3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Arratisjet nga burgjet/ Rrëfimi: Ja si u hap tuneli nëntokësor për arratisjen e Gaxhait

Më të lexuarat

Nga arratisja e Admir Tafilit nga burgu i Drenovës e deri tek thyerja e sigurisë së burgut të Burrelit, janë vetëm disa nga ngjarjet më rënda të ndodhura vitet e fundit.

‘Ka problemet e sigurisë, problemet e veta që nga stafi policorë, punonjësi i ekipit të brendshëm, ekipit të jashtëm’, tha Stefan Çipa, ish Drejtor i Burgjeve për Top Story.

Por, më spektakolari do të mbetet tentativa e arratisjes së Gazmend Brakës, i njohur me nofkën Gaxhai dhe i konsideruar si i forti i Vlorës. E gjithë ngjarja ka ndodhur në qendër të Tiranës, në burgun 302, në vitin 2005.

Ish-Drejtori i Policisë së asaj kohe, Petrit Ismaili, rrëfen momentin kur zbuluan një tunel nëntokësor.

‘Si ngjarje mund të jetë një ngjarje më e sofisfikuar në historinë e arratisjes nga burgu shqiptarë, qoftë nga mënyra e organizimit, qoftë nga investimi. Dhe periudha e gjetur nga personat e interesuar për arratisjen ka qenë ideale, pasi në burg kryheshin punime, biles atë ditë në mëngjes është futur dhe një traktor me zinxhirë, dhe kjo sigurisht ishte në favor të personave për arratisje’, tha Petrit Ismaili, Ish-Drejtor i Burgjeve.

Ngjarja ishte e paprecedentë, dhe policët e burgut ranë në gjurmët e tunelit krejt rastësisht, pasi një pjesë e dyshemes u përpi nga toka.

‘Kishin humbur orientim në lartësi, dhe kishin dal poshtë shtresës së betonit, u konstatua një e çarë nga policët, ne dyshuam se mos traktori që kaloj ka krijuar plasaritje në asfalt, pamë një llampë të ndezur’, rrëfen Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Për hapjen e tunelit ishte punuar prej disa ditësh, dhe niste nga dyqani i luleve e deri tek dhoma familjare e pritjeve. Teknika e punimeve ishte njësoj sikur te hapej një tunel miniere, me trarë dhe tuba ajrimi.

‘Tuneli nga ana e dyqanit, kishte filluar me zbritje vertikale, 10-12 metra, pastaj kishte filluar horizontale, në thellësi ka përdorur matrapik të vogël’, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

I gjithë maskimi ishte një dyqan lulesh, që prej disa kohësh kishte trullosur edhe sigurinë e burgut 302. Lulet përdoreshin si maskim për të nxjerrë thasët me dhe. Një plan gati-gati i përsosur arratisje.

‘Na bënte përshtypje se nuk shiteshin lulet’, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Ish drejtori i Burgut 302, tregon se për këtë ngjarje nuk u arrestua asnjë, sepse autorët kishin humbur gjurmët.

‘Nuk është arrestuar asnjë nga të zotët e dyqanit të luleve, ata kishin bërë parapërgatitje, ai që kishte dyqanin, ishte anonim që e mbante me qera’, tha Petrit Ismaili, Ish – Drejtor i Burgjeve.

Pas këtij incidenti të ndodhur, Gaxhai u transferua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel.

Sot tentativat për arratisje janë të shumta. Por, krahas tyre ndodh shpesh edhe thyerja e sigurisë së brendshme, nëpërmjet sendeve të ndaluara. Këtu nuk bën përjashtim asnjë burg, as ai i sigurisë së lartë.

‘Kemi kapur shumë familjarë që vijnë për të takuar të dënuarit, me lëndë narkotike, me telefona celularë, mjete prerëse, karta sim dhe kemi 4 punonjës policie të cilët janë të arrestuar, të cilët janë kapur duke tentuar të fusin lëndë narkotike, apo telefona’, tha Arjan Hasani, Drejtor i Burgut Fier.

Në këtë video shihet sesi një punonjës i burgut të Fushë-Krujës është kapur në flagrancë, duke tentuar të fusë një aparat celular. Gardiani 56 vjeçar, ka fshehur nën shollën e këpucës një iphone dhe fishën e karikimit.

Video të tilla ka plotë në burgjet shqiptare. Celularë, drogë, mjete prerëse dhe plot sende të ndaluara, futen kryesisht për të dënuar me vepra penale të rënda.

‘Qe përpjekur të futet lëndë narkotike përmes mishit të ngrirë, që kur ne e kemi shkrirë për ta kontrolluar, ishte një sasi e konsiderueshme’, tha Stefan Çipa, ish Drejtor i Burgjeve.

Për të parandaluar këto shkelje, qeveria shqiptare ka propozuar një ligj për të izoluar kriminelët e rrezikshëm, të cilët vijojnë aktivitetin kriminal me persona jashtë burgjeve.

Nisma ligjore bazohet në modelin italian, e njohur me emrin ‘41-bis’ dhe u aplikua ndaj Cosa Nostrës. Në bazë të propozimit, parashikohet që takimet me familjarët të personave me rrezikshmëri të lartë, të regjistrohen audio dhe video. Po ashtu, për këto persona parashikohet reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura. /TCH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit