-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Armët shqiptare në luftën e Kongos (Video)

Më të lexuarat

Pushtimi i qytetit Goma në lindje të Kongos nga rebelët zbuloi një aferë që përfshin edhe Shqipërinë. Rebelët e ushtrisë M23 kapën armatimet e lëna pas nga ushtria kongoleze. Në pamjet e regjistruara nga gazetarët e agjencisë “Reuters” zbulohet se ushtria kongoleze përdorte armatim shqiptar.

Bëhet fjalë për predha mortajash të rënda 120 milimetra që kanë dalë nga rezervat e ushtrisë shqiptare dhe kanë përfunduar në duart e ushtrisë kongoleze.

Një ushtar i forcave rebele tregon arkat me predha mortajash mbi të cilat ka mbishkrime në gjuhën shqipe. Ato janë predha mortajash të rënda që janë prodhuar deri në vitin 1985 në Shqipëri.

Këto të dhëna jepen në arkën e ambalazhit të këtij armatimi që duken qartë në kampin e ushtrisë kongoleze, e cila u tërhoq përballë sulmit të rebelëve, raporton “Top-Channel”.

Dërgimi i armëve në Kongo nga ana e Shqipërisë është lehtësisht e verifikueshme edhe në një raport të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve në Ministrinë e Mbrojtjes. 

 

Në listë saktësohet se në 26 tetor të vitit 2011 është dhënë një licencë që ka skaduar në 25 tetorin e vitit 2012 për të dërguar në Kongo 200 copë mortaja 82-milimetërshe, 60 copë mortaja 120-milimetërshe, të cilat nuk u dërguan dhe 10 mijë copë predha mortajash 120-milimetërshe që mbërritën në Kongo nëpërmjet Malit të Zi, si vend transit që janë pikërisht predhat e filmuara nga “Reuters” në qytetin Goma, në lindje të Kongos.

Ky vend për shumë kohë ka qenë nën embargon e armëve nga ana e Kombeve të Bashkuara për shkak se një luftë e përgjakshme civile ka shkaktuar për vite të tëra plot pesë milionë viktima.

Ndërkohë, më 29 nëntor të vitit 2011 Kombet e Bashkuara zgjatën edhe me një vit embargon e armëve që prekte të gjitha grupet rebele në këtë vend afrikan.

Por, embargon e kanë çarë armët shqiptare, të cilat janë përdorur në masë në luftën e Kongos. Predhat 120-milimetërshe tashmë janë në duart e grupeve rebele që kërkojnë të pushtojnë të gjithë vendin, i cili drejtohet nga një emër i njohur si president, Zhozef Kabila.

Predhat e mortajave në sasi të mëdha ndodhen në depot e ushtrisë shqiptare, shumë prej tyre janë demontuar në Gërdec e së fundmi në uzinat ushtarake si dhe disa poligone të caktuara nga ushtria.

Pak kohë më parë shpërtheu edhe një debat i fortë politik për trafikun e armëve, pasi deputeti Erjon Braçe akuzoi se Ministria e Mbrojtjes po bënte trafik armësh duke i çuar sasi kolosale një kompanie serbe në Malin e Zi.

Me rindezjen e konfliktit në Kongo, në skenë dolën armët shqiptare që tashmë janë edhe në duart e ushtrisë dhe në duart e rebeleve dhe po shkaktojnë viktima në këtë vend të trazuar afrikan.

Ministria e Mbrojtjes deklaroi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shkelje të ligjit, pasi shitja e predhave qeverisë së Kongos është bërë në mënyrë legale.

Zyrtarë të kësaj ministrie thanë se në dijeni për këtë aktivitet janë edhe Kombet e Bashkuara dhe se Republika Demokratike e Kongos nuk është nën embargo armësh.

“Ministria e Mbrojtjes sqaron se këtu s’ka asnjë skandal e asnjë lajm. Shitja e predhave qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar në OKB. Përdorimi i fundit i predhave shqiptare është nga veteranët e luftës të qeverisë së RDK, që nuk është në embargo. Gjithçka është bërë brenda akteve ligjore. Nëse rebelët kanë shtënë në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësia jonë”, deklaroi një zyrtar i MM.

Frika e luftës civile në shkallë të gjerë është rikthyer në Kongo, pas një përshkallëzimi të ri të situatës me mësymjen e qytetit lindor të Goma-s nga forcat rebele.

Një muaj pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-se deklaroi se ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj liderëve të lëvizjes rebele M23 dhe të gjithë atyre që shkelin embargon e armëve të vendosur Republikës Demokratike të Kongos, kryengritësit morën nen kontroll Goman dhe refuzojnë të largohen prej andej.

Mësymja e tyre detyroi Forcat e Kombeve të Bashkuara të tërhiqen. Mijëra vetë janë larguar nga zona e luftimeve përreth qytetit Sake, që e pretendojnë të dyja palët. Pas marrjes së Gomas, lëvizja rebele M23, që besohet se mbështetet financiarisht, por edhe me armë nga Ruanda, është betuar të çlirojë të gjithë vendin, duke përshkallëzuar sërish tensionet në rajonin e paqëndrueshëm.

Teksa Kongo përpiqet të rigrupojë ushtrinë e saj të copëzuar, presidenti Laurent Kabila pezulloi nga detyra kreun e forcave tokësore pas akuzave të një paneli ekspertësh të OKB-së se i ka shitur armë grupeve të tjera të armatosura në lindje. Shefi i krahut politik të M23-shit, Jean Marie Runiga, deklaroi se pavarësisht apeleve të qeverisë, rebelët nuk do të tërhiqen të paktën jo derisa Kabila të vendosë të hyjë drejtpërdrejtë në bisedime me ta. 

Konfliktet e brendshme e mundojnë këtë vend prej shumë kohësh, aq sa Kongo është kthyer në epiqendrën e asaj që ekspertët e përkufizojnë si “lufta e madhe e Afrikës”.

Edhe pse u firmos një marrëveshje paqeje dhe më 2003 u krijua një qeveri tranzicioni, banorët e zonave lindore nuk i shpëtuan terrorit të milicisë dhe ushtrisë. Lufta ka marrë tre milionë jetë njerëzish, qofte si pasojë direkte e përplasjeve të armatosura, qoftë për shkak të sëmundjeve apo kequshqyerjes.

Luftimet ushqehen nga pasuria e jashtëzakonshme e Kongos me minerale dhe të gjitha palët po përfitojnë nga anarkia e krijuar për të shfrytëzuar sa më shumë burimet natyrore.

[iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/FrG0ARx763A” frameborder=”0″ allowfullscreen]
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit