1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Armët në SHBA – a është mbushur kupa?

Më të lexuarat

Ashtu siç ndodh pas çdo masakre me armë, edhe këtë herë në SHBA ka shpërthyer debatet rreth ligjeve për armët. Ndryshe nga deri tani, përkrahësit e ligjeve më të rrepta shohin këtë herë një shans.
“Kjo mund të jetë një pikë kthese”, – për këtë ishin të një mendje pjesa më e madhe e të ftuarve në biseda në televizionin amerikan të dielën (16.12.), në qendër të të cilave ishte masakra në shkollën fillore Sandy-Hook në Connecticut. Autori i masakrës arriti të shuante jetën e 20 fëmijëve të vegjël dhe gjashtë të rriturve që punonin në shkollë. Më parë ai kishte vrarë nënën e tij në shtëpinë e përbashkët. “Nëse edhe vrasja brutale e fëmijëve gjashtë dhe shtatëvjeçarëve nuk sjell ashpërsimin e ligjeve për armët në SHBA, atëherë çfarë?”, ishte pyetja që shtrohej vazhdimisht në bisedë.

Obama duhet të marrë masa
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, i cili nuk bën pjesë as në Partinë Demokrate dhe as atë Republikane dhe që në të kaluarën është angazhuar vazhdimisht për ashpërsimin e ligjit për armët, në kanalin televiziv NBC, i bëri thirrje presidentit të marrë iniciativën: “Presidenti duhet t’i thotë kombit se çfarë duhet të bëjmë dhe jo t’ia kalojë topin Kongresit. Ky duhet të jetë prioriteti kryesor në axhendën e tij”, u shpreh Bloomberg, i cili përmes ashpërsimit të ligjeve dhe ndjekjes më të rreptë penale, e ka ulur në mënyrë drastike numrin e vrasjeve në Nju Jork. Bloomberg tërhoqi vëmëndjen për pasojat: nëse nuk do të bëhet asgjë, gjatë mandatit të dytë të Obamës do të vriten 48.000 vetë nga armët.

Frika nga lobi i armëve pa arsye?
Bloomberg numëroi masat që mund të merren: Obama duhet të kujdeset që ligjet ekzistuese të zbatohen në mënyrë më strikte, p.sh. të ndiqen më rreptë penalisht ata persona, të cilët në kërkesën për leje armësh nuk deklarojnë të vërtetën. Presidenti duhet të hartojë ligje që ndalojnë armët automatike dhe pseudo-ushtarake. Duhen ndaluar karikatorët që kanë më shumë se 10 fishekë dhe duhet të ekzistojë detyrimi për kontrolle në shitjen dhe shfaqjet e armëve. Bloomberg deklaroi më tej se frika e politikanëve nga pushteti i lobit të armëve, “National Rifle Association”, shkurt NRA, është një mit: “Pushteti i NRA -së mbivlerësohet. Sipas të gjitha sondazheve, opinioni publik dëshëron t’i jepet fund kësaj masakre dhe nëse për këtë nuk mjafton vrasja e 20 fëmijëve unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë ende.”
Po në kanalin NBC, senatorja Dianne Feinstein nga Kalifornia deklaroi se që në fillim të punës së Kongresit të ri do të paraqesë një ligj për armët, që ndalon shitjen e armëve automatike dhe për kalimin e të cilit mund të angazhohet presidenti Obama: “Ligji do të ndalojë shitjen, transferimin, importin dhe pronësinë e armëve të tilla. Ai do të vlejë për të ardhmen dhe nuk do të ketë efekt prapaveprues.” E njëjta gjë vlen edhe për karikatorët me më shumë se 10 fishekë. Për ligjin po punohet prej mëse një viti. “Synimi është të ndalohen armët e luftës nga rrugët dhe qytetet tona”, tha senatorja.

Pas sulmit të tmerrshëm.
Duket se ligje të tilla gjejnë mbështetje më të madhe pas masakrës. Senatori i pavarur Joe Lieberman, foli në kanalin televiziv Fox për ndalimin e armëve automatike dhe kërkoi një komision hetimor, i cili të punojë për hartimin e masave për parandalimin e katastrofave si ajo në Newtown. Senatori demokrat Dick Durban, e krahasoi efektin që mund të ketë tragjedia e Newtown me atentatet terroriste të 11 shtatorit 2001: atëherë kombi u bashkua dhe u bë e mundur të ndryshoheshin ligje përkatëse.
Lobi i armëve hesht për tragjedinë e Newtown
Edhe pse në debate u shpreh mendimi i përbashkët, se vetëm ligjet më të ashpra për armët nuk mund të pengojnë çdo masakër, pikërëndesa u vendos dukshëm në këtë aspekt. Por në diskutime ra në sy mungesa e mbrojtësve të së drejtës së armëmbajtjes. Gazetari David Gregory, drejtuesi i emisionit “Meet the Press” në kanalin NBC, shpjegoi se të 31 senatorët me qendrim pro armëmbajtjes ishin ftuar në emision, por asnjëri nuk ishte paraqitur. Ndërsa Bob Schiffer, drejtues i “Face the Nation” në CBS, deklaroi se shoqata NRA e kishte refuzuar ftesën për pjesëmarrje në emision.
Për këtë arsye të dielën në emisionet për këtë temë mund të dëgjoheshin vetëm pak zëra konservatorë. Një prej tyre ishte Louie Gohmert, senator nga Teksasi, i cili bën pjesë në radhët e atyre që kërkojnë një prani më të madhe armësh. Ai deklaroi në Fox News: “Do të dëshëroja që rektorja e cila me heroizëm u përpoq të ndalonte vrasësin të kishte pasur një M-4 (armë automatike) në zyrën e saj”. Atëherë ajo do të kishte pasur mundësi ta përdorte pasi kishte dëgjuar krismat dhe “nuk do të kishte qenë e pambrojtur por mund ta kishte ndaluar vrasësin, ta kishte vrarë atë përpara se ai të shuante jetët e çmuara të fëmijëve.”/DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit