-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Armët e zjarrit, shpikja dhe përdorimi

Më të lexuarat

Edhe pse baruti si lëndë me efekte të djegies njihej qysh në antikitet, u desh një kohë e gjatë që ai të përsoset në atë masë, sa të fillojë të përdoret për armë si lëndë shtytëse e predhave dhe projektileve. Në fakt, historia e zhvillimit të armëve të zjarrit në të cilat baruti shfrytëzohet si lëndë shtytëse për hedhjen e predhave, është e lidhur me zhvillimin e teknologjisë së përpunimit të barutit. Sikur që nuk dihet saktë koha dhe vendi kur është shpikur dhe ka filluar të përdoret së pari baruti, ashtu janë të errëta edhe fillimet e historisë së prodhimit dhe përdorimit të armëve të zjarrit.

Shumica e hulumtuesve janë të mendimit se »njohuritë e para për barutin vijnë nga arabët dhe Azia«. Ka hulumtues, të cilët janë të mendimit se baruti për herë të parë është fituar në Kinë, (qysh në antikitet), ku është përdorur kryesisht si mjet ndezës, ndërsa në shekullin X, kinezët e përdorin si mjet shtytës të projektilëve raketorë. »Rreth viteve 1240, mongolët e sollën barutin në Evropë. Asnjë historian i kryqëzatave nuk e përmend dhe nuk aludon për përdorimin e tij«.
Fatkeqësisht, historisë së njerëzimit nuk i ka mbetur ndonjë fakt i shkruar, i cili dëshmon qartë një datë të përafërt, apo një vend ku ka filluar të prodhohet dhe të përdoret baruti. Situatë e njëjtë është edhe me armët, për të cilat ka vetëm shënime të përafërta për llojin dhe vendin ku kanë filluar të përdoren. Armët e zjarrit dhe baruti për qëllime ushtarake duhet të jenë përdorur më herët se sa historianët që kanë arritur t’i identifikojnë. Nga shkaku se efektet e tyre në luftë kanë qenë shumë të kufizuara, historianët dhe kronistët, nuk i hetojnë ato fare dhe nuk i përmendin në kronikat e tyre. Një shkak tjetër pse baruti dhe armët që e shfrytëzojnë atë nuk përmendet më herët është se kushtet teknike nuk e kanë lejuar prodhim në sasi të mëdha. Prodhimi i tyre ka qenë kryesisht artizanal dhe kjo e ka kufizuar mundësinë e shpërndarjes së tyre në masë të madhe dhe kjo ka bërë që ato të mos jenë të njohura sa duhet për opinionin e kohës dhe të mos shënohen në analet historike.

Në Evropë, njohuritë e para të shkruara për barutin i shohim rreth vitit 1300, në një udhëzim për përdorimin e barutit të shkruar nga Grek Marko. Edhe pse shumë hulumtues janë të mendimit se hedhja e predhave nga arma ku baruti është përdorur si lëndë shtytëse është bërë nga evropianët, faktet provojnë se kjo është bërë nga arabët në shekullin XII dhe atë me një lloj arme të quajtur Madfa, e cila ka qenë e përbërë nga druri, në formën e një tyte të shkurtër me dorezë dhe që ka hedhur predha në madhësinë e kokrrës së arrës.
Këtë konstatim e përforcon edhe më tepër fakti se rreth vitit 1280, Hasan-ur Remmah, nga Siria ka shkruar një punim me titull: »Shkathtësia e kalërimit dhe ushtrimeve ushtarake« (El-Furusijjetu-vel- Merasib-ul-Harbijje), në të cilën përmendet përzierja e shalitrës. »Përpos kësaj, në këtë punim ka udhëzime për përdorimin e mjeteve piroteknike, të cilat janë të përafërta me ato të përmendura nga Grek Marko«. Ndoshta kjo mjafton për t’i dhënë përparësi idesë se arabët para evropianëve i kanë njohur vetitë e barutit dhe atë e kanë shfrytëzuar për qëllime ushtarake. Sido që të jetë, efektet e vërteta të armëve të zjarrit filluan të ndihen shumë vonë (shek. XIV), nga ajo që supozohet se kur ka filluar të njihet baruti.
Edhe pas fillimit të përdorimit të armëve të zjarrit në luftë, ato në fillim nuk kishin efekte të mëdha shkatërruese. Efekti i tyre më tepër ishte psikologjik. Për vet faktin se ato për pjesën më të madhe të ushtrisë ishin të panjohura, pamja e tyre në fushëbetejë, si dhe zhurma e madhe që shkaktonin ato pas aktivizimit, mund të shkaktonte efekte pozitive psikologjike te pala që i dispononte, ndërsa frikë dhe panik te pala që nuk i dispononte. Këto efekte ishin momentale, ngase shumë shpejtë identifikoheshin efektet e vërteta të këtyre armëve, prandaj nuk mund të llogaritej që mbi bazë të tyre të realizoheshin veprime taktike të efektshme. Efektet e tyre goditëse, si për nga largësia ashtu edhe për nga forca, nuk dallonin shumë nga katapultat dhe mjetet e tjera hedhëse të kohës.
Kjo ishte për faktin se ende nuk ishin gjetur zgjidhje adekuate teknike, në ndërtimin e pjesëve kryesore të armëve dhe predhave të tyre. Teknologjia e përpunimit të tytës së armëve ishte shumë e thjeshtë dhe e pamundësonte shfrytëzimin e tërë energjisë që lironte baruti pas aktivizimit. Po ashtu, predhat që i shfrytëzonin armët e zjarrit, fillimisht ishin nga guri. Atyre
nuk mund t’u jepej forma e përshtatshme, e cila do të mundësonte shfrytëzimin e tërë energjisë së liruar nga baruti i ndezur në tytë, por edhe lëvizje të rregullt drejt cakut në përputhje me ligjet e aerodinamikës.

Predhat prej guri me formë sferike i shfrytëzonin edhe katapultat dhe mjetet tjera hedhëse. Efekti i predhës në objektiv ishte vetëm goditës, çka sa i përket forcës, nuk dallonte shumë nga ai i mjeteve të tjera hedhëse. Sa i përket gradimit dhe shpejtësisë së qitjes, po ashtu ishte i përafërt me mjetet hedhëse. Përkundër këtyre mangësive, qysh atëherë u vërejtën cilësitë e barutit dhe njeriu nuk hoqi dorë nga përpjekjet për ta përsosur atë së bashku me armët, të cilat e shfrytëzonin.

Niveli i zhvillimit teknik të kohës dhe kërkesat taktike të luftimit, kushtëzuan që zhvillimi i armëve të zjarrit së pari të përqendrohet në armë artilerie e pastaj në armë të dorës. Fillimisht ato kishin konstruksion të thjeshtë. Përbëheshin nga tyta metali të përforcuar për pjesën e drunjtë, e cila njëkohësisht shërbente për mbajtje. Aktivizimi i tyre, i cili zakonisht bëhej përmes ndezjes, ishte i thjeshtë.

Zhvillimi historik i artilerisë është i lidhur ngushtë me zhvillimet e përgjithshme tekniko-shkencore, veçanërisht me teknologjinë e përpunimit të metalit dhe atë të barutit. Meqë efekti i armëve të zjarrit në përgjithësi varet nga mënyra e përpunimit të tytës dhe llojit të predhës, gjatë zhvillimit historik të artilerisë, vetitë dhe karakteristikat e armëve artilerike kryesisht kanë ndryshuar varësisht se si është punuar tyta dhe çfarë predhe kanë përdorur. Nisur nga këta dy elementë kryesorë karakteristikë për armët artilerike, zhvillimi historik i tyre kap
periudhën kohore nga shekulli XIV deri në shekullin XIX, në të cilën zhvillohet artileria me tytë të lëmuar, ndërsa nga shekulli XIX e deri në ditët e sotme, artileria me tytë me vjaska. Sa i përket predhave, ato nga shekulli XIV deri në gjysmën e dytë të shekullit XV, ishin të plota dhe të bëra nga guri a metali, ndërsa forma e tyre ishte sferike. Me to mund të realizoheshin vetëm efekte goditëse në objektiv. Nga gjysma e dytë e shekullit XV, për armët artilerike fillojnë të përdoren predha shpërthyese.

Në fillim ato kishin formë sferike dhe ishin të bëra nga metali. Në të vendosej fitili, i cili në momentin e aktivizimit të mbushjes primare të barutit ndizej dhe derisa mbërrinte predha në objektiv, ai inicionte mbushjen e barutit brenda predhës me çka realizohej eksplodimi. Kjo formë ishte e thjeshtë pasi mund të ndodhte që predha nganjëherë të eksplodonte para se të atakonte objektivin, apo të mos eksplodonte edhe për një kohë pasi të atakonte atë. Kjo varej nga fitili iniciues, gjatësia e të cilit duhej t’i korrespondonte kohës së udhëtimit të predhës. Që nga kjo kohë e deri në ditët e sotme, predhave të artilerisë (granatave), në mënyrë të vazhdueshme u është përsosur mekanizmi për aktivizimin e tyre në momentin e atakimit të objektivit.

Armët e para të zjarrit

Në shekullin XIV, teknologjia e përpunimit të metaleve ishte e nivelit të ulët për të konstruktuar konstruksione precize, të cilat do të ishin në gjendje për ta përballuar presionin e fuqishëm, të cilin e bën baruti pas aktivizimit. Prandaj, edhe armët e zjarrit, fillimisht bëheshin në përmasa të mëdha, gjë që ishte e pamundur që ato të përdoreshin individualisht. Meqë në këtë kohë, në pjesë më të madhe, luftimet zhvilloheshin nën muret e kështjellave, ishte shtuar tej mase nevoja për mjete, të cilat do të përdoreshin për çarjen e mureve të kështjellave, apo për shkatërrimin e mjeteve rrethuese të kështjellave. Të dhënat historike janë të mangëta sa i përket asaj se cilat lloje të armëve të zjarrit janë prodhuar për herë të
parë, në cilin vend dhe kur janë prodhuar. Sipas të dhënave historike duket se italianët duhet të jetë të parët, të cilët filluan të prodhojnë armë artilerie të zjarrit. »Lajmi i parë i besueshëm për armët artilerike të zjarrit, në të cilat baruti ishte forcë shtyse për hedhjen e predhës vjen
tek në vitin 1326 nga Firencja, ndërsa në luftë me siguri është përdorur te Çividela në vitin 1331«.
Llojet e para të armëve të zjarrit të përdorura për qëllime ushtarake, janë bombardat apo lumbardat, siç i quanin raguzianët, si dhe mortajat e llojeve të ndryshme. Mortajat, kishin tytë të shkurtër dhe kalibër të madh. Trajektorja e fluturimit të predhës deri në cak ishte parabolike. Ata përdoreshin për goditjen e caqeve në thellësi. Predhat e tyre ishin sferike
të bëra nga guri (gjyle). Tyta nga brenda ishte e lëmuar. Në pjesën e parë ishte e gjerë dhe shkonte duke u ngushtuar në pjesën e fundit, ku vendosej mbushja e barutit. Mbushja me barut dhe vendosja e predhës bëhej nga pjesa e përparme. Për shkak të tytës dhe predhës joadekuate pas aktivizimit të barutit, një pjesë e energjisë harxhohej duke kaluar përmes predhës dhe murit të brendshëm të tytës dhe kështu predha nga tyta nuk fluturonte me
tërë potencialin që krijonte mbushja e barutit. Kjo bënte që largësia e arritur dhe forca goditëse në objektiv, të mos ishin të nivelit të kënaqshëm.

Raguzasit më 1378 prodhonin dhe në luftë përdornin armët e thjeshta të zjarrit, të cilat i quanin »Lumbarda« . Meqë në sllavishte kjo fjalë nuk ka ndonjë kuptim, ajo duhet të jetë fjalë me prejardhje nga shqipja, me të cilën janë emërtuar bombardat raguziane. (Lumbardhë, shqiptimi sllav lumbarda, për shkak të shkronjës dh,) Sipas profesor Çabej, etimologjia e fjalës lumbardhë rrjedh nga shqipja dhe është formësuar nga »lug luk, lumbardhë (që do të thotë) bombë« . Përcaktimi i profesorit të nderuar se me këtë fjalë emërtohen bombat, më tepër duhet të jetë rastësi. Ai, këtë fjalë e përmend në kuadër të disa fjalëve, të cilat janë përdorur »nëpër veprat e autorëve të moçëm të Veriut, nëpër ligjërime të ndryshme të Veriut e të Jugut«. Sigurisht, autori i »moçëm« që e ka përdorur këtë fjalë, vetëm ka lënë të kuptojë se fjala është për armë zjarri, kurse detaje rreth saj nuk ka dhënë. Se emërtimi i bombardës nga shqiptarët lumbardhë ka kuptim, këtë më së miri e përcakton trajta e parë lug, nga e cila sipas profesor Çabej ka dalë emri Lumbardhë. Vetë fjala »lug« në shqip ka kuptimin edhe të një »hapësirë (e) a vrimë (e) (të) madhe për së gjati e një sendi, nëpër të cilën kalon diçka. Lugu i oxhakut« ku në fakt, forma e lumbardhës nuk ishte gjë tjetër vetëm një lug nëpër të cilin kalonte predha.

Nëse emërtimi i kësaj arme është bërë me një emër shqip, atëherë kush duhet të jetë konstruktori apo prodhuesi? Prania e shqiptarëve në hapësirat ballkanike e më gjerë në këtë kohë nuk kontestohet. Gjatë mesjetës së hershme, pas depërtimit sllav në trojet ilire, procesi i asimilimit të tërësishëm të tyre ka përfunduar shumë vonë. Prania e etnosit të tyre, kulturës, traditës dhe gjuhës hetohet edhe sot në hapësirat ku ata kanë jetuar, posaçërisht në viset dalmate. Ilirët, apo pasardhësit e tyre shqiptarët, në sajë të atësive të tyre ishin të inkuadruar në jetën shoqërore të shumë shteteve dhe perandorive të kohës. Kur flasim për periudhën që po trajtojmë (shek. XIV), ata i gjejmë si burrështetas, ushtarakë të lartë, priftërinj të rangjeve të larta, arkitektë, tregtarë, mjeshtër të zejeve të ndryshme nëpër shumë qendra të mëdha të kohës, duke filluar që nga Perandoria Bizantine, Osmane, shtetet italiane Venedik dhe
Firence, si dhe në Raguzë. Po sipas profesor Çabej, i cili mbështetet në një dokument raguzian të vitit 1285, shihet se edhe gjuha shqipe deri vonë ishte prezent në hapësirat dalmate. Në dokumentin në fjalë thuhet: »Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe« (audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albaneska). Prandaj, mbi bazë të kësaj, edhe pse Lumbardha përmendet 93 vjet pas këtij dokumenti, do besuar se konstruktori i saj është një shqiptar anonim dhe se për shkaqe të panjohura emri i tij nuk ka arritur deri në ditët tona.

Lumbardhat, paraardhëset e topave, dalloheshin nga mortajat në konstruksion, si dhe në mënyrën e përdorimit. Tyta e tyre bëhej nga shiritat metalikë të salduar për së gjati, ndërsa mbi ta për përforcim vendoseshin unaza metalike. Unazat vendoseshin vende-vende, ose me to mbështillej tërë trupi i tytës. Tyta ishte më e gjatë se e mortajave dhe nga brenda kishte formë cilindrike. Mbushja bëhej nga pjesa e prapme në mënyrë shumë të thjeshtë. Në fund të tytës ishte i konstruktuar kapaku, i cili hapej për t’u vendosur gjylja nga guri dhe mbushja e barutit. Pas kësaj, kapaku shtrëngohej me vida, ndërsa ndezja iniciohej përmes një vrime nëpërmjet një thupre metalike të nxehtë (zhigut), ndërsa më vonë përmes fitilit. Kjo mënyrë e mbushjes merrte shumë kohë dhe për këtë shkak përmes lumbardhave brenda ditës, kishte mundësi të realizoheshin tre deri në katër qitje.
Konstruksioni i lumbardhës ishte i tillë dhe mundësonte fluturim të predhës nga tyta me një trajektore më të drejtë, prandaj ato shfrytëzoheshin për goditje direkte të objektivit. Ndër lumbardhat më të njohura në Evropë ishin Duille Grete nga qyteti belg Gent dhe Krimhilda nga Nynbergu i Gjermanisë.
Lumbardha belge është ndërtuar në vitin 1382 dhe ka peshuar 15 t. Tyta ishte e kalibrit 840 mm. dhe e gjatë 5.5 m. gjylja e saj ka peshuar 270 kg. ndërsa lumbardha gjermane ishte më e vogël dhe ajo ka peshuar 2.800 kg.
Përveç gjatë rrethimeve të kështjellave, lumbardhat fillojnë të përdoren edhe në anije. Ka fakte të cilat dëshmojnë së armët artilerike (lumbardhat) nga anija, për herë të parë janë përdorur në Detin Mesdhe më 1333 në luftën midis beut të Tunizisë dhe mbretit të Mavarisë nga Sevilja. »Në luftën te Arnemojda (1338), anija angleze Christopher, të cilën e zunë francezët ka qenë e armatosur me tri armë artilerike të bëra prej hekuri«. Përkundër
faktit se këto armë për shkaqe teknike nuk ishin efikase sa kërkohej, ato filluan të përhapen në të gjitha vendet ku kishte mbërritur civilizimi njerëzor.
Topat janë ndër armët artilerike, aplikimi i të cilëve vazhdon edhe sot.
Ata dalloheshin nga lumbardhat në konstruksion dhe punoheshin përmes teknologjisë së derdhjes së metalit, si dhe nuk kishin hapësirë për mbushje nga pjesa e prapme, por mbusheshin nga gryka. Edhe pse mendohet që së pari ata u prodhuan dhe përdoren në Perëndim nga fundi i shekullit XIV, ka të dhëna se ata i prodhuan dhe i përdorën në luftë të parët osmanlinjtë në Betejën e Kosovës më 1389. Roli i tyre në këtë betejë nuk ka qenë i madh dhe nuk ka ndikuar në epilogun e saj dhe shumë kronistë të kohës përdorimin e tyre nuk e hetojnë fare. Një dëshmi të besueshme se ushtria osmane ka pasur me vete topa në këtë betejë e ka lënë të shkruar kronisti, Mehmet Neshir.
Ai, në kronikën e tij kur e përshkruan radhitjen e ushtrisë osmane thotë:
»Topxhi Hajdari (u vendos) në qendër, ky ishte mjeshtër i përsosur i goditjeve me topa«. Për shkak se kjo betejë është zhvilluar në fushë të hapur, dhe për shkak se në këtë fazë armët artilerike shfrytëzonin predha të plota, efekti i tyre nuk ka mundur të jetë i madh dhe nuk ka ndikuar në epilogun e saj.
Pas Betejës së Kosovës, osmanlinjtë i përsosën topat në vazhdimësi dhe gjatë rrethimit të Kostandinopojës më 1422, ata përdorën topa të mëdhenj, por edhe kësaj radhe ata nuk kishin ndonjë efekt të madh. Gjatë ekspeditës kundër Shqipërisë më 1450, ushtria turke në rrethim të kryeqendrës së atëhershme shqiptare Krujës, kishte përdorur topa. »Në një akt raguzjan të
atyre muajve, thuhet ndër të tjera: Pasi i nguli shatorret përkundrejt qytetit në fjalë (Krujës) sulltani (Murati i Dytë) dha urdhër që nga metali, të cilin e kishte sjellur me vete të derdheshin dy topa, më i madhi i të cilëve, ashtu siç na tregojnë të dhëna të vërteta, hidhte gurin prej katërqind librash (afërsisht dyqind kilogram)«. Për përdorimin e topave në
këtë betejë, dëshmojnë edhe kronikat osmane të cilat e përshkruajnë këtë fushatë të Sulltan Muratit të Dytë. Në një kronikë anonime osmane thuhet:
»Ata goditën Krujën me topa dhe e shndërruan në varrezë«. Ndërkaq, kronisti Kemal Pashazade thotë se: »Ata (turqit) vendosën topa me qëllim që t’i shembnin në disa vende muret rrethuese«. Operacionet për pushtimin e Krujës zgjatën nga 14 maji deri më 26 tetor të vitit 1450. Efekti i topave gjatë kësaj lufte nuk ishte vendimtar. Pas goditjeve të shumta u arrit të shkatërrohej vetëm porta kryesore e kështjellës, por kështjella mbeti e papushtuar.
Në betejën për pushtimin e Kostandinopojës e zhvilluar më 1453, topat kishin rol vendimtar. Bizantologu, G. Ostrogorski duke iu referuar një greku, i cili si duket e kishte përcjellë nga afër Betejën për Kostandinopojën, thotë se »topat vendosën gjithçka« . Për shkak të
fortifikimit të fortë që kishte qyteti i Kostandinopojës dhe për shkak të pozitës gjeografike, e cila i mundësonte që për nevoja mbrojtëse të angazhohej edhe flota detare, shumë pushtues nuk ia kishin dalë ta pushtojnë atë edhe pse nën muret e tij kishin sjellur ushtri shumë të fortë.
Plani i ushtrisë osmane për pushtimin e Kostandinopojës ishte bazuar kryesisht mbi efektet, që do të shkaktonte artileria në muret mbrojtëse të qytetit. Duke u mbështetur në këtë, turqit kishin sjellë me vete »rreth 60 topa të madhësive të ndryshme«, ndërsa në afërsi të qytetit kishin derdhur një top përmasash gjigante, të cilin e kishte konstruktuar »hungarezi
Urban«. Për ta pozicionuar atë, deri te vendi i përshtatshëm, »u desh të ndërtohet një rrugë e të shtrohej trualli për ta lëvizur përpara këtë armë, që e tërhiqnin 60 qe, ndërkohë që 200 burra e shtynin nga të dyja anët«. Kjo luftë është e një rëndësie të veçantë historike për dy arsye. Së pari shënon fundin e Perandorisë Bizantine, e cila gati për dhjetë shekuj kishte qenë fuqia kryesore politike, ekonomike dhe ushtarake e qytetërimit të mesjetës dhe së dyti, rëndësia në aspektin ushtarak është se kjo është beteja e parë në histori ku është përdorur masivisht artileria (topat), mbi bazën e së cilës është varur epilogu i luftës. Topat u përdorën edhe nga
ushtria bizantine, por ata ishin të kalibrit të vogël dhe në sasi të pamjaftueshme për të ndalur hovin e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane. »Topi i madh turk i përdorur nga artiljerë të shkëlqyeshëm i drejtuar me shumë saktësi, godiste me predhat e tij të stërmëdha copa muri
që më në fund rrëzoheshin«. Në sajë të efekteve të topave, më 29 maj të vitit 1453, turqit ndërmorën sulm të përgjithshëm duke i kaluar muret deri atëherë të pakalueshëm të qytetit dhe me këtë rast i japin fund së ekzistuarit të perandorisë shekullore. Gjithashtu »topat në anije luftarake, po ashtu u përdorën për të parën herë nga ushtria osmane, në kohën e sulltan Mehmetit II Pushtuesit (1451-1481), sidomos gjatë pushtimit të Kostandinopojës«.
Përdorim masiv të artilerisë gjatë shekullit XV, ushtria osmane kishte bërë gjatë rrethimit të Shkodrës më 1478. Turqit nën muret e Shkodrës kishin derdhur 11 topa të mëdhenj. Njëri nga ata mund të hidhte gjyle guri të rëndë deri në 600 kilogram.”predha (e tij) e kishte rrethin nandë pëllambë”.
Kjo betejë është e rëndësishme edhe për faktin se për herë të parë turqit kanë përdorur një mortajë. Prifti shqiptar, Marin Barleti i cili ishte pjesëmarrës i kësaj beteje e përshkruan në mënyrë autentike këtë lloj arme. Ai thotë: këtë lloj topi mund ta quajmë ma fort një farë mortaje, sepse asht e gjanë dhe e shkurtën, me zgavër të thellë me grykë të drejtume
nalt dhe me bisht të ngulun në dhe edhe lëshon nji shungullimë, ose nji ushtimë tamam si gjamë deti me stuhi. Se sa turqit e kishin përsosur artilerinë e tyre, flet fakti se ata gjatë kësaj beteje kishin organizuar njësi të posaçme për korrektimin e zjarrit të artilerisë. Në kuadër të kësaj për t’ua lehtësuar punën këtyre njësive, ata kishin ndërtuar disa kulla të larta nga druri nga ku vëzhgohej më qartë kështjella dhe pozicionet mbrojtëse të ushtrisë shkodrane, e cila goditej pamëshirshëm me artileri.
Në planin taktik, në këtë betejë artileria shfrytëzohej për goditje direkte me qëllim të shkatërrimit të fortifikimeve kundërshtare dhe për goditje në thellësi, me qëllim të shkatërrimit të bazës logjistike të armikut. Është interesant fakti se në këtë betejë për herë të parë hetohet tendenca e bashkëveprimit midis artilerisë dhe këmbësorisë. Për shkak se armët
artilerike ende nuk kishin mekanizëm adekuat të gradimit vertikal dhe të atij horizontal, në disa raste duke dashur të bashkëveprojë me këmbësorinë, artileria i goditi edhe forcat vetjake. Ndonëse mortaja dhe topat e përdorur nga ushtria osmane në këtë betejë ishin bërë nga metali i bronzit, përdorimi masiv i tyre flet për një përsosje të madhe të teknologjisë së përpunimit të metaleve. Të gjitha armët u rezistonin qitjeve të shumta dhe as M. Barleti, as kronistët osmanë nuk përmendin ndonjë defekt në topa si pasojë e të shtënave të shpeshta. Më 11 korrik, 1478 kur turqit instalojnë komplet artilerinë e rëndë prej 11 grykësh, kishin arritur që kalanë e
Shkodrës dhe pozicionet e mbrojtësve të saj, t’i godasin me »187 predha«.
Se turqit e kishin përsosur tej mase artilerinë në raport me evropianët, flet edhe e dhëna se në betejën kundër austriakëve e zhvilluar më 1593 afër Sisakut (Kroaci), »turqit kishin përdorur 11 gryka artilerie, ndërsa austriakët asnjë«.
Në shekullin XIV, filluan të përdoren edhe lloje të tjera të armëve të zjarrit. Ndonëse të thjeshta dhe jo efektive sa duhet, ato krijuan një bazë të mirë për përsosje dhe përdorim të mëtejmë. Ka të dhëna se venedikasit në luftë kundër hungarezëve më 1378 te Zara kanë përdorur lloje të ndryshme të bombave të thjeshta të dorës, ndërsa konstruktimin e parë të bombës së dorës e bëri Sigismondu Malatesti nga Roma, i cili më 1433 e mbushi me barut të zi një sferë metalike dhe ia vuri fitilin për ndezje. Që nga kjo kohë, përpos që bombat hidheshin me dorë, ato filluan të hidhen edhe me armë artilerike.
Kjo bëri që artileria të rriste efikasitetin e vet kundër këmbësorisë, pasi predhat shpërthyese ishin shumë më efikase se ato të plota (gjylet). Që nga shekulli XVI, të gjitha predhat shpërthyese, të cilat hidheshin nga armët artilerike, marrin emrin granatë.

Topi

Topi është armë artilerike e kalibrit të madh (mbi 20mm), i cili është i destinuar për asgjësimin e objekteve të fortifikuara, mjeteve të blinduara, mjeteve lundruese, aviacionit dhe forcave te gjalla të armikut. Ka fuqi të madhe të zjarrit dhe me të mund të goditen në mënyrë direkte të gjitha objektet në largësi pamore, si dhe në thellësi. Topi ka tytë të gjatë, e cila i mundëson që predha e dalë nga gryka të del me një shpejtësi të madhe.
Kjo rezulton që trajektorja e fluturimit të predhës të jetë shumë e drejtë dhe për këtë shkak, me anë të topave, goditjet direkte janë shumë efikase.
(Përjashtim bëjnë topat gjigantë me kalibër mbi 400 mm). Topi është armë, i cili varësisht prej kalibrit, ka peshë të madhe. Atë e mirëmbajnë dhe në luftë e përdorin shumë persona. Në pozicion luftarak vendoset me anë të tërheqjes. Në të kaluarën, topat janë tërhequr nga kafshët (zakonisht qetë dhe kuajt), ndërsa në ditët e sotme, përmes mjeteve të motorizuara. Me topa
të lehtë janë të armatosur, transportierët e blinduar, aviacioni luftarak dhe mjetet lundruese, ndërsa me topa të rëndë (mbi 75 mm), tanket dhe anijet luftarake. Topat fillimisht kishin tytë të lëmuar dhe për një kohë të gjatë ata u përdorën kështu. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, lajmërohen për herë të parë topa me tytë me vjaska. Këta gjenden në përdorim edhe sot, mirëpo përdorimi i tytës së lëmuar te topat ka filluar të aplikohet edhe në ditët e sotme. Kjo është e theksuar sidomos te tanket. Të gjithë topat e tankeve moderne të gjeneratës së fundit kanë tytë të lëmuar. Tyta e lëmuar në artileri përpos te topat e tankeve, aplikohet edhe te topat kundërblindues, mortajat e të gjitha kalibrave dhe te raketahedhësit. Sa i përket numrit të tytave, ekzistojnë topa njëtytësh dhe shumëtytësh. Mbushja e topit me municion fillimisht bëhej nga ana e përparme e tytës. Topat modernë, tashmë mbushen nga pjesa e prapme. Kjo mënyrë e mbushjes mundëson që edhe topat të kenë mundësinë e qitjes automatike. Tek ata topa që nuk aplikohet mënyra e qitjes automatike, është konstruktuar mënyra automatike e hapjes dhe e hedhjes së gëzhojës, ndërsa tek disa është konstruktuar dora robotike, e cila në mënyrë automatike e bën vendosjen e predhës në tytë.
Sot, në shumë vende të botës gjenden në përdorim të ushtrive edhe topa për hedhjen e projektilëve me mbushje kimike, biologjike e nukleare. Sipas të gjitha gjasave, topi si armë, do t’i rezistojë kohës dhe do të jetë i aplikueshëm edhe në këtë shekull.

Marrë nga libri “Armët dhe Lufta” autor Fadil Kajtazi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit