5.6 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Armata e SHBA-së lavdëron Njësitet Shqiptare

Më të lexuarat

Websajti zyrtar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një reportazh me pjesëtarët e njësitit shqiptar “ALBSOF”, të cilët shërbejnë si pjesë e Task Forcës që udhëhiqet nga forcat amerikane në provincën e Kandaharit, në Afganistan. “ALBSOF” është i kualifikuar në luftën kundër terrorizmit dhe në taktika të sigurisë së personelit. “Duhet të jeni të trajnuar mirë dhe psikologjikisht e fizikisht të përgatitur…Duhet ta dini kur duhet përdorur arma, kur penda dhe kur duhet të jesh njeri. Duhet përdorur mendja para forcës”, thotë rreshteri i njësitit.

“Më mirë të vdesim për diçka, sesa të jetojmë për asgjë”, është motoja e njësitit, e cila ka përcaktuar jetën e ushtarëve të saj përgjatë gjitha luftimeve dhe operacioneve të shumta paqeruajtëse.

“Kjo do të thotë të përpiqesh të bësh më të mirën dhe të japësh gjithçka nga vetja për diçka”, thotë rreshteri i njësitit, pjesë e Kontingjentit “Shqiponja Pesë” nga Forcat Shqiptare të Operacioneve Speciale.

Kjo është motoja e Forcave Speciale shqiptare. Për shumë ushtarë të “Eagle V”, përfshirë edhe rreshterin e njësitit, kjo nuk është vetëm një slogan, apo fakt i historisë ushtarake, i mësuar në shkollë, ajo është pjesë e historisë së tyre personale.

Këta ushtarë ishin të parët: ata ishin gjenerata e parë, njësiti i parë dhe të parët që e përdorën këtë moto dhe mësuan kuptimin e saj.

Kjo moto ka shërbyer si udhërrëfyese që nga misioni i tyre i parë në Afganistan si pjesë e “Eagle I” e deri në ditët e sotme, kur ende punojnë me forcat e koalicionit dhe partnerët afganë për të përmirësuar sigurinë dhe qeverisjen e vendit.

Rreshteri i njësitit e di se nuk mjafton të jesh vetëm i aftë dhe i fortë. Përkundrazi, ushtarët duhet ta përjetojnë këtë moto dhe të dinë si ta demonstrojë atë me përkushtimi ndaj njerëzve që i mbrojnë, partnerëve e madje edhe ndaj armiqve. Ai beson se ushtarët nuk mund të jetojnë jetën sikur të ishin në një “ishull”.

“Duhet të jeni të trajnuar mirë dhe psikologjikisht e fizikisht të përgatitur”, tha rreshteri i njësitit. “Duhet ta dini kur duhet përdorur arma, kur penda dhe kur duhet të jesh njeri. Duhet përdorur mendja para forcës”.

Ai ka shfrytëzuar këtë njohuri, trajnim dhe përgatitje gjatë dislokimeve, një herë në Irak dhe katër herë në Afganistan.

“Këtu jemi si pjesë e SHBA-së. Misionet tona janë të njëjta”, tha ai. “Duam që të rrisim nivelin e sigurisë dhe të përmirësojmë ndenjën e sigurisë te popullata e vendit dhe t’iu tregojmë atyre që jemi këtu për t’iu ndihmuar dhe jo për t’i luftuar. Kjo është puna jonë, puna e ushtarit, të shërbejmë kudo që vendi ynë ka nevojë”.

Pjesëtarët e ALBSOF-it kanë luftuar dhe janë trajnuar së bashku me forcat turke dhe amerikane. Ata vazhdojnë shërbimin si pjesë e Task Forcës që udhëhiqet nga forcat amerikane në provincën e Kandaharit.

Sipas nënkolonelit David Soika, komandant i Batalionit të 5-të, Regjimenti i 20-të i Këmbësorisë, ekziston një lidhje mes dy forcave dhe pothuajse një miqësi e menjëhershme. Për Soikën, njohuria që ka ALBSOF-i për zonën në kombinim me aftësitë që zakonisht nuk përfitohen në këmbësori apo kalorësi, ka ndihmuar ushtarët për të mësuar dhe kuptuar çështjet unike me të cilat përballet kjo zonë.

“Kjo u jep më tepër besim rreth asaj çfarë ata [ALBSOF] bëjnë këtu. Nuk është sikur ata duhen nga e para të kuptojnë se çfarë po ndodh këtu. Për disa është hera e tretë këtu, dhe kjo na ndihmon shumë”, tha Soika. “Kjo na mundëson të kuptojmë problemet që kishim para dy viteve. Prandaj sa herë që kemi nevojë t’i referohemi të kaluarës apo duam ta kuptojmë pse disa gjëra janë ashtu si janë mund të kthehemi prapa në kohë.”

ALBSOF është i kualifikuar në luftën kundër terrorizmit dhe në taktika të sigurisë së personelit, dhe shpesh janë shtesë ose përforcojnë njësitë e tjera dhe ekipet e specializuara që veprojnë në zonë.

Edhe pse historia e ALBSOF-it dhe njohuritë e tyre për Afganistanin mund të konsiderohen si të pjekura, ata janë relativisht të rinj në moshë. Njësiti i parë i tyre u themelua më 16 tetor 1998.

Soika, bashkë me nënkolonel Ekland Dauti, komandant i Kontingjentit “Eagle V”, komandat e tyre përkatëse dhe forcat e tjera të koalicionit, u mblodhën rishtazi për të festuar ditëlindjen dhe kontributet e njësitit.

“Ajo që është interesante dhe e vë gjërat në perspektivë është se jo çdo profesion ushtarak është aq i vjetër sa i yni”, ka thënë Soika. “Nënkolonel Dauti mund të shohë se si ishte 14 vjet më parë, kur njësia e tij sapo kishte filluar dhe se si ata kanë përparuar gjatë gjithë rrugës për të arritur aty ku janë sot”.

Dauti gjithashtu ishte pjesëtar i gjeneratës së parë dhe kujton vështirësitë që kishin në përgatitjen e ushtarëve të parë të Forcave Speciale në Kompaninë për Veprim të Drejtpërdrejtë, njësia e parë ushtarake shqiptare që u dislokua në Afganistan.

“Na u desh të punonim mjaft shumë për të ndërtuar këtë njësi”, thotë Dauti. “Shumica e djemve nga Kompania për Veprim të Drejtpërdrejtë ishin pjesë e ‘Eagle I’ dhe kjo është puna e tyre që nga misioni i tyre i parë. Ushtarët tanë mësuan shumë që nga dislokimi i parë. Mësuam se si të sjellim përvojat tona në çdo detyrë. E gjithë kjo u bë me sakrificën tonë”.

Motoja e tyre është e ekspozuar në muret prej druri të qendrës së tyre të operimit, një kujtim i sakrificës, shërbimit dhe përkushtimit ndaj misionit që ushtarët bëjnë kur i bashkohen rangjeve të tyre.

Sipas Dautit, motoja e tyre përfaqëson kurajën dhe rrezikun që ndërmarrin ushtarët për të arritur qëllimet e tyre përfundimtare.

“Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Për të kryer dhe përmbushur misionin tonë në bashkëpunim me SHBA-në dhe për të ofruar paqe, siguri, stabilitet dhe zhvillim për komunitetin afgan”, tha Dauti.

“Kjo është pjesë e realitetit ku operojmë. Do të rrezikojmë jetën tonë për jetën e një tjetri”.

Edhe pse rreziku për jetë është pjesë e realitetit të një ushtari, ashtu si shumë udhëheqës të tjerë, Dauti mbetet i angazhuar për të siguruar ushtarëve kthim të sigurt në shtëpi.

(Ky shkrim është marrë nga ueb faqja zyrtare e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës: www.army.mil/article/92196/ From_the_beginning__learning_to_give_everything ; Përktheu: Bardh Shkreli)/JNK

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit