4.8 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

SHQIPJA FETISH – Ardian Vehbiu

Më të lexuarat

Ardian Vehbiu

SHQIPJA FETISH

Efektet anësore të purizmit në tekstin letrar

Që të vegjël, nga të parat gjëra që na kanë thënë për gjuhën shqipe ka qenë porosia për ta mbajtur të pastër – amanet që vinte nga rilindësit. Dhe kjo pastërti do të arrihej duke e mbrojtur shqipen nga “fjalët e huaja” dhe duke e pastruar atë nga “huazimet e panevojshme”. Si politikë gjuhësore zyrtare e adoptuar nga të gjitha institucionet publike, purizmi përthyhej poshtë në vëmendje këmbëngulëse ndaj “fjalës së huaj” – që duhej mbajtur larg ose, nëse kish hyrë tashmë, “nxjerrë përjashta”.

Më se një shekull e gjysmë më parë, Rilindja Kombëtare e vuri në ballë të programit të saj kulturor nevojën për ta pastruar gjuhën shqipe – duke shënjestruar me përparësi, dhe aso kohe me të drejtë, turqizmat. Siç do të çlirohej Shqipëria nga sundimi osman dhe do të fitonte mëvetësinë nga Perandoria, edhe shqipja do të çlirohej nga ndikimi “mbytës” i turqishtes-osmanishtes, duke dëbuar fjalët që kishin hyrë nga kjo gjuhë, për t’i zëvendësuar ato me “fjalë të bukura shqipe”.

Veç bindjes se shqipja duhej pastruar, për t’u bërë gjuhë e kombit që po rilindej, ky aksion i higjienizimit të leksikut kërkonte dhe (1) një teknikë për identifikimin e fjalëve të huaja në gjuhë, (2) një teknikë për zëvendësimin e tyre dhe (3) autoritetin e duhur për t’i kryer këto zëvendësime. Identifikimi do të bëhej nga intelektualë dygjuhësh, që ishin në gjendje të pikasnin origjinën e fjalëve; zëvendësimi do të bëhej ose duke futur në përdorim fjalë shqipe nga gjuha e popullit, ose duke krijuar fjalë të reja në tavolinë; ndërsa autoriteti do të buronte nga vetë përqafimi i kombëtarizmit si ideologji kombëtare-institucionale.
Shekulli XIX ishte edhe shekulli i triumfit të gjuhësisë historike-krahasuese dhe i bindjes, mes dijetarëve të Europës, se e vetmja qasje mirëfilli shkencore ndaj gjuhës ishte studimi i historisë së saj.

Për shqipen, gjuhësia romantike solli në tryezë mundësinë e lashtësisë së saj dhe të fisnikërisë që vinte nga mosha; shqipja u zbulua të ishte “nga gjuhët më të vjetra të Europës”, në mos të botës mbarë; dhe kjo vjetërsi e gjuhës dhe, veçanërisht, e fjalëve të saj, do të duhej rikthyer duke pastruar kopshtin nga barërat e këqija.

E njëjta gjuhësi romantike, e përshtatur në mjediset kombëtariste të Ballkanit, ku kultivohej edhe lëvizja jonë e Rilindjes, solli me vete konceptin (e rrejshëm) se origjina e një fjale ishte pjesë e identitetit të saj, po aq sa edhe kuptimi i saj dhe karakteristikat e saj gramatikore dhe mënyra e përdorimit. Një fjalë e huazuar në shqipe, ta zëmë nga sllavishtja ose nga greqishtja, për të mos thënë turqishtja-osmanishtja, do të mbetej ashtu gjithnjë “mish i huaj”, ndryshe nga “fjalët e bukura vendëse”; të parat i shtoheshin dhe i bashkëngjiteshin gjuhës mekanikisht, ose në mënyrë parazitare; të dytat ishin pjesë e saj organike.

Si ideologji dhe si frymëzim kulturor, purizmi u kërkonte përdoruesve të gjuhës – veçanërisht atyre që e shkruanin dhe e përpunonin: poetëve, publicistëve, përkthyesve, mësuesve – që të bëheshin të vetëdijshëm për origjinën e fjalëve që përdornin; dhe pastaj, si të identifikonin fjalët e huaja, t’i zëvendësonin ato me fjalë shqipe. Me kohë, ky angazhim elitar filloi të adoptohej anembanë hapësirës ku lëvrohej shqipja – duke u sanksionuar pastërtia e gjuhës si një nga kriteret e të shkruarit mirë: krahas drejtshkrimit të rregullt, gramatikës korrekte dhe stilit të përshtatshëm.

Largimi i fjalëve të huaja nga shqipja, veçanërisht nga shqipja e shkruar, krijonte në leksik një zbrazëti që duhej mbushur njëfarësoj. Idealisht, si lëndë e parëe gatshme për zëvendësim do tëduheshin përdorur fjalë “të gurrës popullore”, tëqëmtuara poshtë e lart në shqipen e folur dhe dialektore – por kjo nuk ishte gjithnjë e mundur, sidomos për fjalët abstrakte që i kërkonte ngutshëm dija.

Prandaj, që në krye, autorët rilindës e pranuan krijimin e fjalëve të reja – neologjinë – si rrugë standard për të pasuruar ligjërimin shqip. Mirëpo një fjalë e krijuar rishtas ende nuk është pjesë e leksikut; mbetet figurë leksikore, siç është metafora figurë semantike, derisa përdorues të tjerë e bëjnë të tyren dhe fillojnë ta përdorin. Ç’është e vërteta, shumë neologjizma të kohës së Rilindjes sonë janë bërë pjesë e leksikut të përditshëm të shqipes dhe folësit nuk i shquajnë dot më si të tilla, si neologjizma:për ta vazhduar me analogjinë e kopshtarisë, fara e tyre ka zënë për bukuri, në truallin e gjuhës. Por shumë neologjizma të tjerë nuk e kanë kapërcyer dot testin e përdorimit, duke mbetur të burgosur në tekstet që i përmbanin. Fjalë, si çështje, cilësi, sasisot nuk dallohen më si të krijuarame inseminim artificial; ndërsa simotra e tyregjithëmësonjëtore nuk përdoret, përveçse për t’iu referuar vizionit tëdikurshëm të

Rilindjes për universitetin shqip.
Shembullin më elokuent të politikës gjuhësore të Rilindjes, në lëmin e letërsisë, na e jep poema e gjatë narrative Erveheja, e poetit bejtexhi Muhamet Kyçyku-Çami, shkruar dikur rreth viteve 1820, sipas rregullave dhe stilit të poezisë së bejtexhinjve – me një leksik të pasur (disa thonë “të rënduar”) me turqizma (orientalizma), të cilat i jepnin edhe formën poetike karakteristike. Rilindësi Jani Vreto, autor mes të tjerash i një numri tekstesh shkollore për t’u përdorur nga nxënësit e mësonjëtoreve të para shqipe të kohës, e mori tekstin deri atëherë dorëshkrim tëErvehesësë Kyçykut-Çamit dhe e përpunoi me rrënjë, duke e transliteruar në alfabetin e Stambollit dhe, sidomos, duke e pastruar nga qindra e qindra orientalizma, për t’ia risjellë lexuesit në “shqipe të pastër”, në vitin 1888. Kjo ndërhyrje ishte unike në llojin e vet, sepse ripunimi i një vepre letrare motivohej pikërisht me nevojën e pastrimittë saj nga një kategori fjalësh, të cilat nuk ishin pjesë e programit leksikor të Rilindjes. Sot varianti origjinal i Ervehesë nuk mund të kuptohet pa një aparat filologjik-kritik të hollësishëm, meqë lexuesi i sotëm nuk i njeh fjalët e përdorura nga autori bejtexhi; ndërsa varianti i përpunuar prej Vretos, edhe pse krejt i lexueshëm, tingëllon i sheshtë dhe naiv, për shkak të varfërimit të leksikut. E megjithatë, Erveheja e Vretos u përdor në shkollat shqipe për një kohë të gjatë, edhe pas 1912-ës . Edhe Vretoja, si autor i pastrimit të poemës, edhe të tjerët ideologë të Rilindjes më pas, me gjasë besonin se kjo lloj ndërhyrjeje vetëm sa e kish bërë tekstin më të lexueshëm dhe “më shqip”, pa ia cenuar natyrën mirëfilli letrare poemës.

Një shekull e pak, pas Ervehesë së Vretos, kultura shqiptare elitare mbetej ende e rrënjosur në ideologjinë romantike të Rilindjes, dhe në idealin e “pastërtisë” të zbatuar edhe ndaj gjuhës. Disa breza gjuhëtarësh, shkrimtarësh, publicistësh, leksikografësh, mësuesish dhe punëtorësh të gjuhës e kishin çuar përpara këtë ideal, duke i shërbyer me vetëdije dhe pasion “pastrimit” të shqipes nga fjalët e huaja “të panevojshme” – që nga ndërhyrja në tekste, te kultivimi i autocensurës leksikore dhe te mirëmbajtja e një sistemi leksikor imunitar, që duhej të pengonte hyrjen dhe normalizimin e fjalëve “të huaja” në shqipe. Kjo ndodhi, pa çka segjuhësia e shekullit XX, kryesisht e ndikuar nga Kursi iSaussure-it dhe konceptete tij për marrëdhëniet mes diakronisë (përmasës historike) dhe sinkronisë në gjuhë dhe në ligjërim, ishte larguar tashmë nga mitet e gjuhësisë historike-krahasuese, për esencën historike tënjësisë gjuhësore. Për gjuhësinë saussureane, fakti që një fjalë si breg ka hyrë në shqipe nga sllavishtja fqinje nuk luan asnjë rol nëpërdorimin e kësaj fjale nga folësi shqip – ndryshe nga, të themi, karakteristikat e saj fonetike, gramatikore (qëështë emër i gjinisë mashkullore, që bën në shumës brigje, që merr pjesë në kompozita, si bregdet) dhe kuptimore (që shënjon vijën e kontaktit mes tokës dhe një mase ujore etj.)

Një shekull e pak, pas Ervehesë së Vretos, kultura shqiptare elitare i mbetej, megjithatë, besnike imperativitfolklorik-gjuhësor për ta mbajtur lart vigjilencën ndaj “fjalëve të huaja” –ushqyer sa nga pasioni rilindës për ta mbajtur shqipen “të dëlirë”, aq edhe nga kombëtarizmi gati automatik i politikës gjuhësore të regjimit totalitar tëEnver Hoxhës, i cili gjithnjë i shihte fjalët e huaja me dyshim, duke iu frikësuar rolit të tyre subversiv nëgjuhën e shkruar dhe në kulturë (ngjashëm me “shfaqjet e huaja”): këtu do kujtuar se gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX botoheshin deri edhe revista akademikekushtuar pastërtisë së gjuhës (“Gjuha jonë”), ku dilnin periodikisht lista fjalësh qëduheshin shmangur dhe zëvendësimesh përkatëse. Ashtu edhe u natyralizua, në kulturën shqiptare bashkëkohore, kjo lloj etike e pastërtisë, qëparavendos marrjen në pyetje të fjalëve të dyshimta dhe deri edhe përndjekjen e tyre në bazë të“biografisë” ose të prejardhjes, çka edhe i ka dhënëetimologjisë, kësaj dege të specializuar të gjuhësisë historike, një aktualitet doktrinar të rrallë, në vetëdijen tonë metagjuhësore.

I zbatuar në leksik, purizmi i tanishëm jo vetëm është efekt i ideologjisë kombëtariste për gjuhën, por edhe simbolizon zbatimin konkret të kësaj ideologjie –sa kohë që shqipja, sipas një klisheje romantike të mirënjohur, vazhdon të perceptohet si e kërcënuar për vdekje, nga “fjalët e huaja”; dhe prandaj edhe është detyrëqytetare e gjithkujtqë ta mbrojë, duke e mbajtur të pastër. Askush nuk duket ta vërë në dyshim dobinë e një qasjeje të tillë, dhe sidomos efikasitetin e saj për mirëmbajtjen e shqipes së shkruar në përgjithësi, dhe për mbylljen e kufijve të saj ndaj huazimeve të reja. Edhe pritja që u bëhet neologjizmave, nga opinioni publik i kultivuar, mbetet po aq entuziaste sa në kohën e Rilindjes; pavarësisht nga motivet e krijimit dhe të hedhjes së këtyre fjalëve (shpesh pseudofjalëve) në qarkullim.

Një qasje të tillëdisiplinore sistematike ndaj fjalëve të huaja nëtekstet letrare e ndeshim edhete ribotimet, në vitet 1990 e më pas, me ndërhyrje masive në leksik, të vepravemë të hershme në prozë tëIsmail Kadaresë. Bëhet fjalë për vepra themelore të letërsisë shqipe moderne, si romanet Kronikë në gur, Kështjella dhe Dimri i madh, teksti i të cilave është kaluar në sitën e puristit dhe ku mijëra fjalë, të identifikuara si “të huaja”, janë zëvendësuar me rrugë të ndryshme, nga autori vetë ose nga redaktorët e veprës.
Le të sjell një shembull, nga romani Dimri i vetmisë së madhe, i ribotuar nga Onufri në vitin 2012:

Kur Besniku doli në rrugë, ora nuk kishte shkuar ende shtatë e gjysmë. Mbrëmja ishte e lagët. Ai pa njerëzit e parë veshur membipetknëpër bulevardin e madh dhe pothuajse u çudit, sikur të bënte një zbulim të papritur. Kishte ardhur përnjëmend vjeshta (f. 6).
Nuk besoj të jem i vetmi lexues, qëi ngecin sytë te fjala mbipetk; një neologjizëm që zëvendëson fjalën më të njohur pardesy, të përdorur në versionet origjinale të romanit në vitet 1970. Mbipetkështë, vërtet, fjalë e pazakonshme; dhe sepse i referohet një teme – petk – që është edhe ajo e rrallë në shqipen e sotme dhe me siguri edhe në tekstet e këtij autori.

Origjinalisht, paragrafi i cituar synonte të krijonte një farë atmosfere – ardhjen e vjeshtës. Fjalën pardesy e përdorte shqipja rëndom aso kohe, dhe ndoshta e përdor edhe sot po aq rëndom. Por në leximin e tanishëm, ose pas ndërhyrjes leksikore, ky paragraf ndërron edhe synimin: në vend që të përgatitë skenografinë përkatëse (vjeshta, shiu, zymtësia etj.), kthehet në një vitrinë ku reklamohet neologjizmi mbipetk. Efekti zhvendos vëmendjen dhe, në analizë të fundit, e sakrifikon rrjedhshmërinë diskursive për një parim ideologjik/didaktik.

Mund të pyesim: kjo fjalë e pazakontë, mbipetk, është në shërbim të tekstit ose të veprës, apo është futur për të promovuar një ideologji a utopi leksikore të autorit a të redaktorit gjuhësor të tekstit? Unë besoj se ajo nuk i shërben tekstit; dhe se, duke qenë kaq e rrallë dhe e panjohur për lexuesin, e vë tekstin (dhe tërthorazi edhe veprën) në shërbim të një ideologjie që nuk ka doemos lidhje me artin.

Ja edhe një shembull i ngjashëm, këtë herë nga faqja 16:
“Liri,” e ndërpreu Kristaqi, “në vend që me thashetheme politike të merren këta që banojnë poshtë nesh,” ai bëri me dorë nga fundashtroja, “po merresh ti?”
Fundashtroja? Origjinali i vitit 1974 ka dyshemeja – fjalë e rrënjosur në shqipe; por që tani përfundon e dëbuar nga teksti për shkak të “biografisë së keqe”, për t’u zëvendësuar me një neologjizëm kundërintuitiv, sa kohë që dyshemeja nuk është gjë që shtrohet, siç mund të ishte, për shembull… shtroja.

Dhe kështu me radhë. Çfarë tërheq këtu vëmendjen nuk është zëvendësimi i kësaj apo i asaj fjale, gjatë përgatitjes së një teksti për ribotim; por natyra sistematike, madje programatike e këtij operacioni masiv të arnimit të teksteve, përndryshe qendrore, në historinë e letërsisë shqipe të shekullit XX.

Rolin motivues të ideologjisë kombëtariste puriste (në thelb, një trashëgim i shekullit XIX) nëspastrime të tilla, e ndriçojnë ndoshta premisat që u nënvendosen; duke filluar nga pyetja, që mund ta bëjmë, por pa iu përgjigjur dot, nëse autori e konsideron zëvendësimin leksikor si pjesë të produksionit letrar, apo thjesht si aspekt tëmakijazhit ideologjik kombëtarist të tekstit.

Që pardesy është “fjalë e huaj” në shqipe, këtë mund ta sqarojë veç etimologjia, ose “enciklopedia historike” e autorit/lexuesit. Me gjasë, ajo fjalë hyri në shqip përmes importeve tregtare së bashku me veshjen përkatëse dhe dëshirën, e atyre që e lakmonin dhe e vishnin, për të ndjekur një modë të caktuar ose për t’u identifikuar si “perëndimorë”. Edhe qëtiranasit e Dimrit të vetmisë së madhe shfaqeshin në rrugë të veshur me pardesy, kjo i përshtatet periudhës në më shumë se një kuptim (pardesy ishte fjala që përdornin, dhe vetë veshja konotonte modernitet dhe një farë mirëqenieje urbane). Nuk ka nevojë të njohim etimologjinë e fjalës për ta dalluar konotacionin e saj. Përkundrazi, mbipetk e nxjerr veshjen nga konteksti historik (Tirana e fillimviteve 1960), për ta referuar te një utopi leksikore artificiale.

Nga ana tjetër, mbipetk e bën tekstin të tingëllojë më “shqip”, po të ndjekim premisën – gjithnjë të diskutueshme – se një fjalë vendëse, qoftë kjo edhe neologjizëm, ka përparësi edhe estetike ndaj huazimit; madje edhe kur huazimi vetë i përket ligjërimit popullor (askush në Tiranëdhe besoj edhe gjetiu nuk e ka quajtur dhe as e quan pardesynëmbipetk).

Kësisoj, zëvendësimi e shndërron autorin nga citues – të ligjërimit të tjetrit – nëtë citueshëm; sa kohë që tani ai i ofron lexuesit të vet potencial një model leksikor për t’u ndjekur. Dhe, meqë bie në sy mes fjalëve të tjera, mbipetk vjen dhe interpretohet, nga lexuesi, si prani leksikore e autorit në tekst; duke e shndërruar autorin ideal (implicit) nënjëinstitucion mbikëqyrës, përzgjedhës dhe zëvendësues të leksikut letrar shqip. Ky rol i autorit ideal mungonte në versionet e hershme të veprës dhe është shtuar në vitet 1990; që kanë qenë edhe vitet e kristalizimit të Kadaresë si udhëheqës shpirtëror i kombëtarizmit shqiptar post-komunist.

Kur shqyrton qindrat, në mos mijërat e instancave të zëvendësimit të fjalëve të huaja nëversionet e ripunuara të romaneve të përmendura më lart, nuk mund të mos vësh re se “fjala e huaj” është hequr nga teksti zakonisht thjeshtsi e huaj, pavarësisht nga konteksti dhe konotacioni. Kështu, te ribotimi i romanit Kronikë në gur, autori/redaktori ka hequr nga teksti fjalë, si:tavan, kala, oxhak, xhade, inat, minder, dollap, parvaz, mazgalle, musandër, xham, shejtan, sherr, hile, shami, batanije, peshqir, shilte, çezmë, pazar, zile, ferexhe, kullë, hajat, tabaka, çibuk, borxh, mysafir, duke ndjekur sistematikisht një program të largimit të fjalëve me prejardhje nga turqishtja. Efektin e zëvendësimeve të tilla e ilustron pasazhi i mëposhtëm:

(Versioni i vjetër)
Në shtëpinë tonë të madhe kishte lloj-lloj gjërash: kazanë bakri,dybekë,tepsiratë çdo madhësie, hambarë druri,kanxhatë hekurta, trarë,gjyle(për njërën prej tyre thoshin se ishtegjyletopi), kamë me dorezë të qëndisur,fuçira,sëndukëme data të vjetra, mokra guri, gjithfarëkovasheçengelash, gropa për të zier gëlqeren,gjyma, ibrikë, teneqe, legenë, njëdyfekme strall, gjithfarë rrangallash të vjetra e të çuditshme.

(Versioni i ripunuar)

Në shtëpinë tonë të madhe kishte gjithfarë sendesh: kazanë bakri,tundsa për rrahjen e qumshtit,enëtë çdo madhësie, hambarë druri, trarë,sfera hekuri(për njërën prej tyre thoshin se ishtepredhëtopi), kama me doreza të qëndisura,voza,arka rrobashme data të vjetra, mokra gruri, gjithfarë gremçash e vargorësh, gropa për të zier gëlqeren,prushana,pushkëme strall,fshikuj, gjithfarë rrangallash, që s’u dihej as emri.
Natyra e zëvendësimeve do të kuptohet më mirë nga tabela më poshtë:
Versioni i vjetër Versioni i ri
dybek tundës
tepsi enë
gjyle sferë hekuri
gjyle predhë
fuçi vozë
sënduk arkë rrobash
çengel gremç
pushkë dyfek

Më tej, disa nga “fjalët e huaja” në paragrafin origjinal thjesht janë hequr, pa zëvendësim (kovë, gjym, ibrik, teneqe, legen) dhe janë shtuar disa fjalë të reja (prushanë, fshikull).
Në versionin e parë, emra sendesh, si:kazan, dybek, kanxha, gjyle, fuçi, sënduk, çengel, gjym, ibrik, teneqe, legen, dyfek i referohen një bote materiale disi të vjetruar, të ndryshkur, të ciflosur, të shtrembëruar, të pluhurosur; tekstologu do të dallojë në to një izotopi, e cila i ka rrënjët edhe në prejardhjen e tyre të përbashkët, si orientalizma ; pa çka se njohja e këtyre fjalëve si orientalizma, nga lexuesi, mbetet problematike (në shumicën e rasteve, lexuesi do t’i njohë fjalët si të vjetruara).

Në versionin e dytë, disa nga këto fjalë janë zëvendësuar: dybeku është bërë tundës, sënduku arkë, fuçia vozë, dyfeku pushkë; disa të tjera janë zhdukur – tepsitë, kanxhat, çengelat, gjymat, ibrikët, teneqetë, legenët; ndonjëherë duke u zëvendësuar me fjalë të përgjithshme ose hiperonime – p.sh. tepsia është bërë enë; sënduku është bërë arkë, gjylja është bërë sferë (në fakt tepsia është një lloj ene; sënduku një lloj arke; gjylja një lloj sfere; marrëdhënia brenda këtyre çifteve fjalësh, në semantikë, quhet hiponimi/hiperonimi).

Zëvendësimiia ka hequr tekstit edhe vjetërsinë: dyfeku mund të jetë një lloj pushke, por ndryshe nga pushka, dyfeku është edhe i vjetër, edhe historik; gjylja nuk është as sferë, as predhë (vështirë që në një shtëpi të Gjirokastrës të mbanin predha, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës). Në përgjithësi, versioni i parë e fut lexuesin në një mjedis me rrangalla edhe leksikore; ndërsa i dyti lexohet edhe si ushtrim për sterilizimin e tekstit. I pari e vë veprën në qendër të produksionit letrar, i dyti autorin dhe ideologjinë e tij; teksti i parë i referohet leksikisht botës së Gjirokastrës, teksti i dytë orientohet për nga autori, si gjuhëkrijues.

Nga pikëpamja artistike, ndërhyrjetë tilla, që nuk i quajmë dot “retushime”, është e vështirë të përligjen – dhe pikërisht ngaqë romani është i ankoruar në një vend dhe kohë historike të përcaktuar, Gjirokastrën e viteve 1930-1940, e cila – të mos harrojmë – vetëm 20-30 vjet më parë kish qenë qytet i Perandorisë Osmane. Brenda kësaj kornize kohore-hapësinore, fjalët me prejardhje nga turqishtja-osmanishtjai shërbejnë ankorimit, duke e sjellë historinë në roman edhe nëpërmjet leksikut; ndërsa zëvendësimi i tyre e largon këtë histori; duke e bërë qytetin më abstrakt, më të jashtëkohshëm, më surreal.

Që purizmi, i zbatuar në ripunimin e teksteve letrare, jo vetëm e varfëron shqipen letrare, por edhe i dëmton këto tekste duke ndërhyrë nëmarrëdhënien e tyre me lexuesit, e tregon edhe shembulli i mëposhtëm: në versionin origjinal tëKronikë në gur, njëri prej blerësve në pazarin e Gjirokastrës i thotë tjetrit: “I bëfsh paret ilaçe!”. Shprehja është më tepër e gegnishtes jugore; sikurse duket edhe nga forma gegnishte e emritparet(në toskërishte do të ishteparatë); I.K.-ja do ta ketë dëgjuar diku rrugëve të Tiranës; megjithatë, ajo i ka mbijetuar shartimit në një mjedis tjetër, jugor; së paku për lexuesin që jeton në kryeqytet (lexuesin ideal të I.K.-së në vitet 1960-1980). Ndërkohë, në versionin e ri, kjo shprehje e ka ndërruar jelekun: “I bëfsh paret barna!”. Dhe këtu leximi ngec, sepse fjalabarna, si barasvlerë leksikore përilaçe, nuk e ka vendin te ky kontekst;barnai përket shqipes librore, të shkruar, burokratike, ndryshe ngailaçe, që është e shqipes bisedore, të rrugës. Për këtë arsye, “i bëfsh paret barna” tingëllon artificiale, e sajuar, e paqenë; edhe pse shprehjet popullore e kanë forcën te natyra e tyre si gjysmëproverba, ose te përsëritja a tecitimi.

Duke u identifikuar, me vetëdije, si pastrues (dhe pasurues a kopshtar) i gjuhës, autorii mbetet besnik misionit që i kërkonteshkrimtarit, dhe në përgjithësi intelektualit, Rilindja Kombëtare; pa çka se kjo vetvetiu e instrumentalizon letërsinë, duke e vënë në shërbim të “çështjes kombëtare” – diçka që mund të ishte imperative në fund të shekullit XIX, por vështirë se mund të jetë edhe sot, aq më tepër në një kontekst social-kulturor, ku shkrimtarët nuk e kanë më rolin e dikurshëm, në plazmimin e ligjërimit dhe, në analizë të fundit, të gjuhës.

Studiuesit e formave tëpurizmit gjatë shekullit XX, kur kjo ideologji u adoptua deri edhe zyrtarisht nga regjimet fashiste në Europë (Itali, Gjermani) dhe gjetiu, shpesh përmendin një aforizëm të filozofit Teodor Adorno: “Fjalët e huaja (Fremdwörter) janëhebrenjtë e gjuhës” – meqë, në atë periudhë, ishte e pamundur të mos gjeje ngjashmëri mes persekutimit të hebrenjve në Gjermaninë naziste dhe persekutimit “fjalëve të huaja” nga puristët, në gjermanishte dhe në gjuhë të tjera: e njëjta bindje për organicitetin dhe epërsinë e fjalës vendëse ndaj së huajës; i njëjti identifikim i viktimës (“viktimës”, në rastin e fjalëve) sipas biografisë dhe biologjisë; i njëjti mënjanim nga qarkullimi dhe jeta publike. Në kulturat e vogla, si jona, nevoja për pastrim të gjuhës është parë si domosdoshmëri praktike; ndonëse askush nuk ka provuar ndonjëherë se një fjalë vendëse a e ngjizur me material vendës, si fundashtrojë ka ndonjë farëpërparësie funksionale, në ligjërim, ndaj një huazimi si dysheme – përkundrazi, ndryshe nga e dyta, qëështë rrënjosur në shqipe dhe ka zënë vend për bukuri në paradigmën e lakimit të emrave femërorë me -e fundore të theksuar (si fe,rrufe, diarre, e ve, e re, kanape, ese, niseshte, kubeetj.), e para ende nuk është kodifikuar dhe nuk njihet nga përdoruesit. Nëthelb, edhe purizmi ose përqendrimi i vëmendjes tek identifikimi dhe mënjanimi nga përdorimi i njësive leksikore në bazë tëkritereve të origjinës, duket sikur nuk i shërben aq gjuhës vetë, sa ç’i shërben statusit të atyre që e praktikojnë; dhe që e shprehin pushtetin e tyre kulturor, duke ia lejuar vetes këtë lloj ndërhyrjeje në ligjërim dhe në gjuhë (edhe në tekstet, edhe në fjalorët).

Nëse huazimet rishtas krijojnë vështirësi nëkomunikim, kjo nuk lidhet aq me origjinën e tyre – tashmëështë sqaruar, nga gjuhësia e shekullit XX, se origjina e një fjale nuk luan rol në funksionimin e saj në ligjërim; sa ç’lidhet me shkallën e përshtatshmërisë së huazimit, në sistemin gramatikor të gjuhës pritëse. Teksa puristët dhe entuziastët e kopshtarisë leksikore vijojnëtë qëllojnë me top gërmadhate orientalizmave në shqipe, duke kërcyer përpjetënga gëzimi sa herë që u del një “turqizëm” përpara, shqipja ende nuk po i gjen dot mjetet, për të asimiluar numrin e madh të anglicizmave, që hyjnë në epokën e kompjuterit, të telefonit celular, të internetit dhe të rrjeteve sociale; ndryshe nga italianizmat, anglicizmat janë fonetikisht të vështira për t’u integruar në paradigmat gramatikore të shqipes (që këtej, dëgjon abominacione të tipit sejvoje fajlin ose bëje sejv). Njëlloj si në periudhën kritike midis viteve 1750-1850, kur emrat nga turqishtja u dyndën aq fort në shqipen e asaj kohe, sa rrezikuan të modifikojnë strukturën e saj gramatikore, edhe sot anglicizmat na gjejnë të papërgatitur; sepse institucionet që duhej tëofronin filtrat përkatëse dhe të përpunonin terminologjinë, e kanë humbur edhe forcën edhe autoritetin.

Kjo që po ndodh me shqipen, përballë sfidave të globalizmit dhe të anglishtes, sikur konfirmon – pa qenë nevoja – se përpjekjet puriste, edhe kur bëhen mirëfilli nga ekspertët, edhe kur janë më shumë poza ideologjike, nuk kanë aq lidhje me funksionimin dhe mirëmbajtjen e shqipes, si enë të kombit; por më shumë ushqejnë dhe mbajnë gjallë iluzionet dhe ideologjitë romantike të shekullit XIX, përfshirë edhe ato për gjuhën, letërsinë dhe kulturën.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit