-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Arabia Saudite projekton smart city më të madh në botë

Më të lexuarat

Nga Hëna artificiale tek inxhinieria gjenetike – hipoteza zbulohet nga “Wall Street Journal”. Qyteti do të quhet Neom dhe mund të kushtojnë 500 miliardë dollarë

Arabia Saudite po projekton smart city më të madh në botë. Qyteti do të quhet Neom dhe do të ndërtohet në provincën Tabuk, pranë Detit të Kuq dhe në kufi me Jordaninë dhe Egjiptin. Bëhet fjalë për vende të shkreta, të cilat, princi Mohammed bin Salman dëshiron t’u japë një qëllim. Të bëhet një qendër industriale dhe teknologjike, që të tërheqë talentet dhe mendjet më të ndritura në botë.

Për ta bërë këtë, ai është i gatshëm të investojë deri në 500 miliardë dollarë. Projekti është prezantuar në vitin 2017, por vetëm tani Wall Street Journal ka siguruar disa detaje për Neon. Në veçanti, gazeta e njohur amerikane u ndal në ato që për momentin janë veç hipoteza utopike të ofruara nga disa kompani konsulence.

Nga Hëna te shiu artificial

Wall Street Journal publikoi një listë me disa propozime, që për momentin ngjajnë më shumë me një ëndërr se me realitetin nga ana e shoqërive të konsulencës McKinsey dhe Boston Consulting. Pavarësisht se shumë prej tyre duken fantazi, do të japin idenë se sa është gati të shpenzojë princi Mohammed bin Salman.

Për shembull, duke qenë se bëhet fjalë për një zonë shkretëtirë, një investim i mirë do të ishte krijimi i një sistemi klimatik të favorshëm. Në rast nevoje do të hynin në funksion “re” ad hock për të rënë shi. Një tjetër shpikje, vërtet absurde, do të ishte ajo e një Hëne artificiale. Edhe vetë raporti i Wall Street Journal është konfuz në këtë pjesë, por duket se për ta bërë të mundur këtë gjë do të përdorej një flotë me dronë apo imazhe në streaming që vijnë nga hapësira.

Nga dinozaurët robotë te sistemi i mbikëqyrjes

Në një qytet me teknologji të lartë, sipas këtyre propozimeve, nuk mund të mungojë një sistem i përshtatshëm mbikëqyrje: dronë, telekamera dhe sisteme të njohjes së fytyrës do të jenë të pranishme kudo. Duke parë dëshirën për të investuar të princit, edhe McKinsey dhe Boston Consulting janë përshtatur. Në qytetin inteligjent Neom, do të mbizotërojnë robotët. Nëse në fundjavë nuk do të dinit se ku të shkonit, do të jetë një park argëtimi, ku mund të gjeni dinozaurë, kuptohet robotë.

Nga makinat fluturuese te mutacioni gjenetik

Synimi në këtë qytet është të krijohen gjëra të mëdha. Gjatë takimeve të planifikimit, princi Fahd bin Sultan, guvernator i provincës Tabuk, tha se nuk donte më rrugë apo trotuare. Brenda vitit 2030, do të dëshironte veç makina fluturuese. Një tjetër dokument në zotërim të Wall Street Journal, thekson që drejtimi i makinës do të jetë më shumë veç një mënyrë argëtimi dhe jo transporti. Një ndër hipotezat e formuluara lidhet me inxhinierinë gjenetike. Neom mund të mirëpresë një projekt të kolosit japonez Softbank, që sheh te mutacioni i ADN-së mundësinë për të rritur forcën njerëzore dhe koeficientin e inteligjencës.

Një qytet i madh sa një shtet

Në këtë pikë mbetet të kuptojmë nëse propozimet amerikane do të çohen përpara nga Arabia Saudite. Në çdo rast, për princin Mohammed bin Salman, Neon duhet të përfaqësojë një pikë të re të fortë për vendin, e cila do të diversifikojë të ardhurat. Arabët janë të vetëdijshëm që nafta nuk është më një burim të cilit mund t’i besojnë në afat të gjatë. Në këtë kuptim, emri Neon është tregues – tre shkronjat e para të NEOM në alfabetin grek do të thonë “e re”, ndërsa M në fund është shkurtimi i fjalës arabe Mostaqbal, që do të thotë “e ardhme”.

Punimet kanë filluar. Kur ato të përfundojnë, qyteti do të ketë hapësirën e një shteti të madh po aq sa Massachussets. Ai do të zhvillohet pranë detit dhe do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare.

Burimi: Corriere della Sera

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit