“Associated Press”
Gratë në Ballkan janë duke udhëhequr një revolucion politik.
Historikisht me pak ndikim në politikat e rajonit konservator, ato janë duke marrë gjithnjë e më shumë poste të larta udhëheqëse duke sinjalizuar se rregullat tradicionale janë duke ndryshuar, derisa vendet e Ballkanit po shkunden nga e kaluara e tyre e luftës dhe po shkojnë drejt anëtarësimit në BE.
Gjatë viteve të përgjakshme të të ’90-tave, shumë në Ballkan u kthyen në komandantë lufte, kryesisht meshkujt nacionalistë, që mendonin se do t’i mbronin ato nga konfliktet etnike që rrafshuan qytete dhe lanë më shumë se njëqind mijë të vdekur.
Mijëvjeçari i ri ka sjellë një krizë në formë tjetër: apati ekonomike, papunësi të lartë dhe korrupsion të dukshëm politik.
Të inkurajuar nga BE-ja dhe të ndikuar nga lidhjet më të ngushta me Perëndimin, gjithnjë e më shumë janë gratë ato që janë ngre për të ndryshuar mënyrën e vjetër të të bërit biznes në Ballkanin mashkullor.
Disa i shohin gratë si më pak nacionaliste dhe më të përshtatshme për nevojat e një epoke të re – diplomacisë, konsensusit dhe kompromisit.
“Gratë kanë qenë gjithmonë më të suksesshme sesa meshkujt, me gjithë respektin e duhur,” thotë Dushka Latinoviq, një infermiere nga ana e kontrolluar nga serbët në Bosnje.
“Femrat janë më të ndjeshme…më të forta, më emocionale, dhe në këto kohë të vështira njerëzit kanë nevojë më shumë për një zemër”, shprehet ajo.
Edhe pse standardet e përgjithshme të barazisë gjinore janë ende larg nga ato që ekzistojnë në demokracitë perëndimore, Kosova patriarkale dhe minishteti serb i formuar pas luftës në Bosnjë kanë vendosur dy gra në postet e tyre më të larta.
Serbia dhe Mali i Zi të dominuar nga meshkujt, kanë miratuar ligje për të rritur numrin e grave në postet drejtuese, pjesë e një përpjekjeje për të bindur BE-në se ata i përkasin bllokut.
“Fuqia e grave në politikë është një fuqi e butë”, thotë Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.
“Ky është një ndryshim pozitiv që vendi ynë dhe vendet tjera në rajon … janë duke bërë, duke i dhënë një shans grave”, thotë ajo.
E sapoardhura e fundit në politikë është ekspertja financiare karizmatike, 43 vjeçarja Alenka Bratusek, kryeministrja e parë femër e Sllovenisë.
Ndërsa Sllovenia ka qenë tradicionalisht shoqëri më liberale sesa pjesa tjetër e Ballkanit, zgjedhja e Bratusekit në javën e kaluar ishte e rëndësishme, sepse ajo erdhi në një moment të trazirave të thella financiare dhe politike në shtetin e vogël alpin.
Një yll në rritje në mesin e politikanëve veteranë sllovenë, Bratusekit i është besuar konsolidimi i ekonomisë së vendit dhe rivendosja e besimit në institucionet shtetërore, të cilat janë tronditur rëndë nga kriza e gjerë financiare e BE-së.
“Është e rëndësishme që kjo ndodhi në një moment të ndjeshëm, në një periudhë të krizës”, thotë sociologia Milica Gaber Antiq.
“Është një mesazh i fortë për gratë e tjera: Ne gratë mund t’ia dalim”, shprehet ajo.
Shumë gra udhëheqëse tashmë janë duke u lavdëruar për drejtimin nëpër stuhi të vendeve të tyre.
Ish-kryeministrja e Kroacisë Jadranka Kosor, mori përsipër funksionin e kryeministres në kohë trazirash, pasi paraardhësi i saj, Ivo Sanader, u detyrua të japë dorëheqje në vitin 2009 pas disa skandalesh korrupsioni, dhe pastaj përmbylli bisedimet për pranimin e vendit të saj në BE.
Në vitin 2011 në Kosovë – ku së fundi anëtarëve të Parlamentit u janë dhënë fletore me një shumëllojshmëri thëniesh përfshirë edhe atë se “heshtja është thesar i vetëm që një grua posedon” – pak e njohura, Jahjaga u zgjodh presidentja e parë ndonjëherë femër, pjesë e një kompromisi të ndërmjetësuar nga amerikanët, që i dha fund grindjeve midis grupeve politike të dominuara nga ish luftëtarët kryengritës dhe udhëheqësit e errët të biznesit.
Në javën e kaluar në mini-shtetin serb në Bosnjë një politikane tjetër pak e njohur, Zheljka Cvijanoviq, u propozua si shefe e re e qeverisë, pasi kabineti i mëparshëm dha dorëheqje.
Kjo do të bëjë atë gruan e parë që udhëheq qeverinë në vendin ku asnjë ministri në qeverinë qendrore nuk është drejtuar nga një grua.
“Si një grua, unë shpresoj që të shtojë një dhunti të ri dhe një dimension të ri në institucionet e Republikës Serbe (të Bosnjes),” ka thënë ajo.
Femrat përbënin vetëm 1.6 për qind të pranisë në Parlamentin e Serbisë në vitin 1990, nivelin më të ulët në Evropë.
Por, me rrëzimin e të fuqishmit Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 dhe përpjekjeve të vendit për t’u bashkuar me BE, përqindja e grave është rritur në 20 për qind. Ligji serb tash kërkon që çdo i treti kandidat në listën zgjedhore të jetë grua – rregull i kërkuar nga BE.
Por, rrëfimi i njëjtë nuk ekziston në tërë rajonin. Gjatë sundimit komunist që pasoi Luftën e Dytë Botërore, autoritetet promovuan përfshirjen e grave në politikë si pjesë e agjendës komuniste mbi barazinë gjinore.
Në atë kohë gratë shërbyen në pozita të larta në qeveri dhe iu dhanë të drejta të barabarta, vende pune, paga dhe arsimim.
Bullgaria, për shembull, kishte përqindjen më të lartë të punësimit të grave në botë në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar, dhe gratë kishin poste udhëheqëse si nënpresidente, kryetare e Parlamentit, katër ministre dhe kryetare e kryeqytetit, Sofjes.
Por, zakonet e vjetra vdesin vështirë.
Ministrja kosovare për Integrimin Evropian Vlora Çitaku pranon se “është pothuajse e pamundur që të harrohet madje edhe për një moment të qenit grua – këtë ma kanë kujtuar çdo ditë, që kur u bëra ministre”.
Ajo thotë se të jesh një grua në politikën e dominuar nga meshkujt paraqet “një jetë të vështirë.”
“Para së gjithash ata të pyesin: a je e martuar? Çfarë mendon babai yt kur udhëton gjithandej e rrethuar me burra?”, përqesh ajo.
“Janë gjithë këto stereotipe … janë disa detyra të caktuara që një grua duhet t’i bëjë, në mënyrë që të jetë e plotë’”, thotë ajo.
Dhe në Slloveni, menjëherë pasi që Bratusek mori bekimin e Parlamentit, kundërshtarët politikë shkruan mesazhe në Twitter se “mandati i saj do të jetë po aq i gjatë sa edhe fustani i saj”.
Bratusek u përgjigj thjesht:
“Unë uroj që ne gratë të mos gjykohemi më vetëm nga gjatësia e fundeve tona”./rel