2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Anti-Islami po nis dhe mbulohet si anti-hoxhë

Më të lexuarat

Imam dhe publicisti i njohur nga Shqipëria, Justinian Topulli, në një status në rrjetin social Facebook ka shkruar për tendencat për sulmet e “fshehta” ndaj hoxhallarëve.

Ai është shprehur kështu:  “Vala e afetarizmit, anti-fetarizmit, ateizmit dhe angosticizmit erdhi në Evropën perëndimore si pasojë e disa proceseve transformuese sociale dhe kulturore të cilat morën vite të tëra. Fillimisht ata që u rebeluan ndaj autoritetit të Kishës Katolike ishin vetë njerëz të kishës, të cilët ca me të drejtë e ca pa të drejtë në emër të Zotit dhe të së vërtetës duke dashur të rrëzojnë eskluzivitetin e Papatit si zëdhënësi e Krishtit dhe i Zotit në tokë, prodhuan protestantizmin, i cili nga ana e tij prodhoi individualizmin fetar, dhe ky i fundit prodhoi një pafundësi sektesh dhe interpretimesh autoreferenciale, që mohonin çdo autoritet të trashëgimisë dhe traditës. Dhe në emër të shembjes së autoritetit dhe hierarkisë së dijes fetare dhe njohjes së Zotit pas asnjë mësues ndërmjetës, njerëzit kaluan në mohimin e rolit të shpalljes hyjnore dhe të profetëve. Pas këtij mohimi Zoti mund të njihej pa fe dhe pa mësues e ndërmjetës njerëzor, kështu që Ai u bë një Zot i largët, i ftohtë, pa histori, pa shembuj, pa të dërguar dhe mesazhier, dhe kështu përfunduan në Deizëm. Një Zot që e ka krijuar botën si sahatçiu sahatin dhe pasi e ka kurdisur atë ajo punon vetiu pa ndihmën e Tij tashmë. E tashmë ky Zot i largët që mund të njihej vetëm përmes arsyes dhe përjetimeve individuale, mund edhe të mos ekzistonte, përderisa askush nuk e kishte parë dhe ndjerë, përderisa shkenca dhe arsyeja moderne po e sfidonin ekzistencën e Tij. Dhe kështu hap pas hapi, në një betejë shekullore, mes kishës dhe autoritetit politik, mes fesë dhe shkencës, mes së vërtetës dhe besëtytnisë, mes arsyes dhe shpalljes hyjnore, Evropa dikur e krishterë mohoi Krijuesin apo e nxori Atë nga jeta e saj sociale, politike, kulturore e familjare e individuale dhe përfundoi në burimin më të madh të ideologjive afetare e antifetare të shek. XIX dhe XX.

Sigurisht që kjo është një panoramë e mangët dhe e cunguar dhe tepër e reduktuar, por thelbi i thjeshtuar, i përmbledhur me pak fjalë i këtij rrugëtimi kundra fesë ishte pikërisht ky.

Në kohën e sotme kur rrjedhat e ndryshimeve sociale ndodhin shumë më shpejt, mjedisi toksik postmodern tepër infektues, ku post e vërteta dhe vetëreferimi e individualizmi fetar janë bërë refren i ditës, muslimane dhe muslimanë të ndryshëm, shumica dërrmuese johoxhallarë, kanë nisur prej kohësh që në emër të gabimeve, gafave, padijes, nxitimit, keqdashjes, abuzimit, manipulimit etj. të këqija që sigurisht gjenden edhe mes hoxhallarëve, si njerëz që janë dhe jetojnë në të njëjtin mjedis toksik si edhe pjesa tjetër e shoqërisë, ka ngritur krye nihilizmi, shumëzimi me zero i çdo kontributi, theksimi i anëve negative dhe kthimi i përjetimeve të këqija personale si drama dhe tragjeditë më të mëdha që i paskan ndodhur fesë dhe besimit islam.

Nga hoxhallarët e këqij, ndaj të cilëve shfryhet mllef përditë, situata ka precipituar te disa tek mohimi i disa të vërtetave të fesë, duke nisur nga vënia në dyshim e autoritetit të shumë dijetarëve, pastaj të sahabëve, pastaj tek vërtetësia e disa haditheve, dhe në fund edhe te vërtetësia e Kuranit, i cili qenka përkthyer gabim, apo deformuar dhe ndryshuar nga këta apo ata njerëz. Sigurisht gjendja ka përfunduar me disa që kanë hequr mbulesën, kanë lënë namazin, nuk besojnë madje as në Xhenet dhe Xhehenem të botës tjetër, por në një Kuran dhe një Allah dhe Profet ashtu siç e imagjinojnë ata, apo kanë lexuar poshtë e përpjetë nga çdo lloj injoranti dhe dexhali që pretendon se paska zbuluar të vërtetën e Islamit pas kaq shekujsh, e që se paskan ditur tjerët para tij, apo e kanë fshehur qëllimisht ose jo atë.

Ajo që disa sot nuk e shprehin troç me gojë, por i vijnë vërdallë me fjalë dhe shprehje artistike, duke hedhur fajin vetëm mbi predikuesit e fesë dhe gabimet apo fajet e tyre, por që herët ose vonë do ta nxjerrin atë që mbajnë përbrenda dhe që u ha shpirtin, është refuzimi i vetë praktikave dhe parimeve fetare, të cilat ata apo ato i shohin si produkte sociale, kulturore të vendeve dhe kohëve të shkuara. Mllefi i tyre mund të ketë nisur me fajet dhe gabimet e hoxhallarëve, që i fusin të gjithë apo shumicën në një thes, por realisht mllefi i tyre ka degraduar me vetë fenë dhe shpalljen, e cila ka nisur të mos iu pëlqejë më realisht edhe pse disa akoma nuk kanë guximin ta thonë hapur, si disa që tashmë e kanë bërë.

E gjitha kjo nuk është diçka e re dhe as e papritur, për të na ka folur Allahu dhe Profeti i Tij, dhe nuk gjej shembull më të qartë për këtë fenomen që përsëritet kohë pas kohe sesa hadithi që përcjell Imam Buhariu në Sahihun e tij (7320) nga Ebu Seid el-Khudri se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Do të ndiqni udhën e atyre që kanë qenë para jush, pëllëmbë për pëllëmbë dhe krah për krah, derisa nëse hynë në vrimë të hardhucës dhe ju do t’i ndiqni.”

I thamë: o i Dërguari i Allahut, këta janë jehudët dhe të krishterët? Dhe ai tha: “E kush tjetër?””

Hoxhallarët nuk janë engjëj, kanë gabime, gafa, faje dhe defekte të shumta, dhe kanë nevojë të kritikohen dhe këshillohen, nuk kam për qëllim të justifikoj asnjërin prej tyre apo ta mbroj për asnjë nga ato të këqija që ata kanë, edhe nëse unë vetë kam ndonjë prej tyre, qëllimi im është të tërheq vëmendjen nga fenomeni i largimit nga feja dhe parimet e praktikat e saj, por që sot po mbulohet nga disa nën petkun e kritikës ndaj hoxhës dhe gabimeve të tij. Uroj që gjendja e disave të mos degradojë më tepër, sepse realiteti për të cilin po flas vlon nën rrogoz prej kohësh dhe pasojat e tij vetëm sa kanë filluar të dalin në sipërfaqe. Kritika, baltosja apo fajësimi i hoxhallarëve janë për disa thjesht petku dhe kamuflazhi i asaj që do të vijë më pas.

Nuk njoh kurë më të mirë për këta njerëz sesa dija e themeltë fetare, që të ruan nga injoranca dhe dyshimet e pabaza dhe punët e mira, që rrisin besimin dhe devotshmërinë.

Ata kritikë të sinqertë që nuk ndjejnë se përfshihen nga çfarë përmenda këtu, nuk janë qëllimi im, ndërsa ata e ato që përfshihen e kuptojnë shumë mirë mesazhin e këtij shkrimi.”

Lus Allahun të na pastrojë zemrat dhe të na mbajë tek e vërteta e Tij derisa të japim shpirt!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit