1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Angazhimi

Më të lexuarat

SHKRUAN: AGRON TERZIQI

 

Njerëzit në shumicën e rasteve dështojnë jo për shkak të mungesës së aftësive dhe kapaciteteve të tyre, por për shkak të mungesës së angazhimit. Ndërsa meditojmë për njerëzit e suksesshëm, ne mund të vërejmë se besimi i fuqishëm, pasioni i fortë dhe angazhimi i tyre ka qenë më i madh, se sa sfidat dhe pengesat që të tjerët ua kanë vënë. Ndodh që të kesh shkallë të lartë të entuziazmit, aftësi të mëdha, njohuri të gjera, synime të qarta dhe konkrete për të cilat ëndërron ditë e natë që t’i realizosh, duke shpresuar gjëra pozitive nga ato, mirëpo nëse të mungon angazhimi për t’u ballafaquar me mangësitë dhe pengesat në rrugën e realizimit të këtyre synimeve, gjithsesi do të dështosh. Shumica e kompanive falimentojnë, shumë lidhje bashkëshortore dështojnë për të vetmin shkak, atë të mungesës së angazhimit.

 

Një mendimtar thotë: “Këmbëngul gjithmonë, sepse në këtë botë nuk ekziston asgjë që mund t’i zërë vendin asaj. Vetëm talenti nuk mjafton, ka shumë njerëz të talentuar që janë dështakë, ndërsa zgjuarsia vetvetiu nuk është garanci për sukses. Shumë njerëz të zgjuar nuk kanë përfituar asgjë nga zgjuarsia e tyre. Nuk është i mjaftueshëm vetëm shkollimi, pasi bota është e mbushur plot me njerëz të shkolluar të cilët janë joproduktivë. Ato që garantojnë suksesin janë këmbëngulja dhe vendosmëria, me lejen e Zotit.” Prandaj orvatu dhe lufto deri në frymën tënde të fundit.

 

Angazhimi është forcë, e cila na shtyn të vazhdojmë edhe përkundër kushteve të vështira, ajo është fuqi shtytëse që na udhëheq në realizimin e veprave të mëdha.

Angazhimi i ndryshon gjërat e zakonshme, duke i transformuar në gjëra madhështore. Ajo është diçka, që të bën të përshkosh largësi të gjata edhe nën rrebeshin e madh të shiut. Angazhimi nxjerr nga brendia jote të gjitha kapacitetet dhe aftësitë e mundshme dhe i vë në dispozicionin tënd. Me forcën e angazhimit nuk do të ngecësh, si dhe sa herë që ballafaqohesh me ndonjë përvojë të re, mundësitë do të hapen shumë e më shumë përderisa të korrësh suksesin. Një herë një dijetar qe pyetur se kur konsiderohet dikush i dështuar? Ai u përgjigj: “Kur dikush ka një ëndërr të madhe, ka nxënë dije të mëdha, ka shpenzuar shumë pasuri dhe kohë që të përparojë në aftësitë e tij, që të gjitha këto për ta realizuar ëndrrën e tij, mirëpo në çastin e përballjes me sprova dhe pengesa gjatë realizimit të ëndrrës së tij ka hequr dorë nga angazhimi dhe përpjekjet”.

 

Ekziston një fjalë e vjetër e urtë: Të suksesshmit nuk zmbrapsen, ndërsa të zmbrapsurit nuk korrin sukses. Me lejen e Zotit nuk do të dështosh ndonjëherë, por vetëm atëherë kur do të ndalosh nga angazhimi dhe orvatja. Çelësi i suksesit i thënë shkurtimisht është “mos u dëshpëro”. Më lejoni të bëj një pyetje. Sa herë keni pasur ëndrra dhe i keni braktisur ato për shkak të rrethanave dhe faktorëve të ndryshëm? A nuk ka ardhur koha që t’i nxirrni forcat tuaja të ngujuara në brendësinë tuaj? A nuk ka ardhur koha t’i jetësoni ëndrrat tuaja? Detyrojeni veten që t’i realizoni ëndrrat tuaja, duke sakrifikuar çdo gjë që zotëroni, pa marrë parasysh se çfarë thonë ata që ju rrethojnë. Drejtojini kapacitet tuaja nga realizimi i synimeve tuaja.

 

Në rrugën tuaj drejt suksesit do të hasni në shumë sfida dhe mos i injoroni ato, por përballuni me të gjitha duke i mposhtur ato një nga një. Vazhdoni dhe kini parasysh gjithmonë se insistimi dhe këmbëngulja i largojnë të gjitha pengesat. Këto janë disa këshilla se si të arrini shkallën e duhur të angazhimit:

a) detyrojeni veten të jeni besimtarë të devotshëm;

b) angazhohuni të jeni personat më të mirë brenda familjeve tuaja;

c) detyrohuni që t’i realizoni synimet tuaja;

d) vërini kusht vetes të jeni më të mirët në punët që bëni;

e) përpiquni të jeni bashkëshorti, prindi dhe shoku më i mirë në vendin tuaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit