Turqia bashkëpunimin e saj rajonal me vendet e Ballkanit duhet të vazhdojë ta zhvillojë mbi baza institucionale dhe në bazë të problemeve sektoriale dhe specifike.
Është me rëndësi kritike që Turqia, e cila po përpiqet për krijimin e një atmosfere për paqe të qëndrueshme si në perëndim, ashtu edhe në Lindje të Ballkanit, të japë edhe tani e mbrapa një mbështetje të vazhdueshme për politikat dhe politikanët pro-reformave dhe paqes në këtë rajon. Rruga më e mirë për të garantuar përparimin në Ballkan kalon përmes demokratizimit të rajonit dhe rritjes së nivelit të zhvillimit ekonomik.
Përveç dhënies së mbështetjes politike për politikanët pro-reformave në Ballkan, Turqia duhet të intensifikojë edhe më shumë bashkëpunimin e saj ekonomik me vendet ballkanike dhe duhet të inkurajojë biznesmenët turq të bëjnë më shumë punë në Ballkan. Megjithëse Turqia ka arritur vitet e fundit të jetë e suksesshme në marrëdhëniet e saj ekonomike me Ballkanin, ky sukses nuk është shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet e rajonit. Në të kaluarën, biznesmenët turq i kanë konsideruar në përgjithësi vendet e Ballkanit Perëndimor si tregje të vogla dhe për këtë arsye nuk kanë treguar mjaft interes për këtë rajon. Ndërkohë që, nëse qasja ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ishte në nivel rajonal, atëherë bërja e biznesit në këtë rajon mund të bëhej më tërheqëse. Me fjalë të tjera, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të konsiderohen jo veç e veç, por si një e tërë dhe duhen perceptuar si një treg me 24,7 milion banorë.
Me përjashtim të Serbisë, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ekziston një mbështetje e gjerë për integrimet euro-atlantike. Si një vend anëtar i NATO-s, Turqia duhet të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit në integrimin e tyre në këtë aleancë. Nga ana tjetër, në kuadrin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, Turqia duhet të qëndrojë pranë vendeve të Ballkanit edhe në aspektin e anëtarësimit të tyre në BE.
Ndërkaq nuk duhet braktisur kurrë synimi për mbrojtjen e historisë dhe trashëgimisë kulturore turke në Ballkan. Nuk duhet harruar që turqit ballkanas, të cilët janë një trashëgimi e rëndësishme e Shtetit Osman në rajon, bashkë me komunitetet e tjera të afrishme janë ata që e mbajnë gjallë me të gjithë vitalitetin e saj kulturën turke. Përveç kulturës, zhvillimi i bashkëpunimit në fushat e shkencës dhe arsimit mund të çojë në një ndërveprim politik pozitiv midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit.
Bosnjë-Hercegovina gëzon një vend të privilegjuar në Turqi. Lidhjet historike, kulturore dhe familjare që ekzistojnë midis Turqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës janë arsyeja kryesore e interesimit të veçantë që ka Turqia ndaj këtij vendi ballkanik. Duke u nisur nga gjendja e sotme, mund të thuhet se Bosnjë-Hercegovina ndodhet me të vërtetë në një udhëkryq. Në periudhën e ardhshme ky vend ose do të bëhet një shtet modern evropian e më shumë i integruar në vetvete dhe me një kushtetutë në ndryshim, ose ndarja ekzistuese do të kërcënojë integritetin territorial të vendit.
Mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës nuk ka një konsensus rreth asaj se si duhet të jetë vendi i tyre në të ardhmen. Turqia duhet të ofrojë asistencën më të mirë të mundshme të saj në zgjidhjen e problemeve politike në Bosnjë-Hercegovinë edhe këtej e tutje. Megjithatë, Ankaraja duhet të identifikojë një pikë minimale, mbi të cilën do të pajtoheshin të tre elementët themelues të Bosnjë-Hercegovinës. E thënë ndryshe kjo, Ankaraja për Bosnjë-Hercegovinën duhet të mendojë për rregullime (ligjore) më të vogla, por më efektive, sesa për një ndryshim gjithëpërfshirës kushtetues. Duke nxjerrë mësime nga e kaluara, ndoshta do të ishte më mirë që Ankaraja, në vend që të përpiqej në sinkronë për bashkimin e tre grupeve etnike themeluese të Bosnjë-Hercegovinës në një gjuhë të përbashkët, në solidaritet edhe me vendet mike të Bosnjë-Hercegovinës të kontribuonte fillimisht në eliminimin e problemeve midis boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës. Nga bërja më funksionale e etnitetit të përbashkët të boshnjakëve dhe kroatëve mund të përfitojë e gjithë Bosnjë-Hercegovina. Vetëm se bashkësia ndërkombëtare duhet të japë garanci që “paqja e re”, që do të mund të arrihet ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve, do të zgjerohet në mënyrë të tillë që më vonë të përfshijë edhe serbët e Bosnjës. Me anë të një komisioni të pavarur që do të krijohet, është e mundur të identifikohen rregullimet e nevojshme që do ta bëjnë Bosnjë-Hercegovinën më funksionale; që do të sigurojnë zhvillimin e saj në aspektin ekonomik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të të gjithë popujve të saj.
Turqia duhet të japë mbështetjen e saj edhe në prodhimin e zgjidhjeve për problemin e emrit të Maqedonisë si dhe në vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përndryshe, zhvillimet e mundshme negative në Maqedoni apo Kosovë mund ta çojnë sërish Ballkanin drejt destabilitetit.
Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, pavarësisht se vitet e fundit Ballkani po shkon drejt rrjeteve bashkëpunuese, nuk duhet harruar që ngjarjet e të shkuarës vazhdojnë të bëjnë dritëhije në marrëdhëniet reciproke të vendeve të rajonit. Në veçanti, nuk duhen anashkaluar reagimet e mëdha që ngjallën propozime të tilla, si krijimi i një unioni doganor ndërmjet vendeve që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Me vetëdijen e këtij realiteti, do të ishte e dobishme që Turqia bashkëpunimin e saj rajonal me vendet e Ballkanit duhet të vazhdojë ta zhvillojë mbi baza institucionale dhe në bazë të problemeve sektoriale dhe specifike.
Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR
Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ