Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për të forcuar sërish marrëdhëniet e tyre, ndërkohë që Uashingtoni përgatitet për të tërhequr trupat ushtarake nga Afganistani fqinj. Por disa analistë besojnë se faktori më i rëndësishëm për paqen në rajon janë lidhjet midis Pakistanit dhe Indisë.
Analistët në Uashington thonë se marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Indisë mund të shndërrohen në faktorin më të rëndësishëm për të ardhmen e Afganistanit, dhe se Uashingtoni mund të luajë një rol më të madh në inkurajimin e një bashkëpunimi midis dy rivalëve, të cilët zotërojnë armë bërthamore.
Hassan Abass është profesor i Sigurisë Ndërkombëtare në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington. Professor Abass thotë se ai mendon se rajoni do të përballet me kohë të vështira, nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin trupat ushtarake në vitin 2014, nga një Afganistan politikisht dhe ekonomikisht i dobët, pa një konsensus të fortë rajonal.
“Largimi nga Afganistani në këtë situatë, pa një mirëkuptim rajonal ose ndërkombëtar, do të thotë më shumë luftë, më shumë dhunë, do të sjellë të paktën mungesë stabiliteti të vazhdueshme.”
Çelësi, thotë zoti Abass, është bashkëpunimi në mes Indisë dhe Pakistanit. Por profesor Abass thotë se, pavarësisht marrëdhënieve të përmirësuara kohët e fundit, të dyja palët vazhdojnë të përpiqen të kenë ndikim në Afganistan përmes mjeteve të ndryshme.
Islamabadi akuzon Nju Delhin se po kryen operacione zbulimi në rajon, ndërsa India akuzon Pakistanin se po toleron militantët e armatosur që veprojnë jashtë territorit të tij.
Shuja Nawaz, drejtor i Qendrës së Azisë Jugore në Këshillin e Atlantikut, thotë se nuk ka zgjidhje të thjeshtë. Ai thotë se ndërkohë që është në interes të Pakistanit të ndryshojë ligjet e tij në mënyrë që të mund të lëvizë kundër grupeve brenda vendit, politikisht kjo është një detyrë shumë e vështirë për Islamabadin.
“Deri tani, ata kanë patur një sistem ligjor jashtëzakonisht të dobët dhe, për arsye të ndryshme politike, kanë patur një vendosmëri edhe më të dobët për të vepruar kundër këtyre grupeve.”
Por kryengritjet e fundit dhe aktivitetet e ndryshme të militantëve në Pakistan, thotë zoti Nawaz, mund ta detyrojnë qeverinë e Pakistanit të përqëndrohet në situatën e brendshme.
“Unë shpresoj që rëndësia e situatës të kuptohet jo vetëm në rradhët e qeverisë dhe nga ushtarakët, por edhe nga gjithë shoqëria e Pakistanit. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm që ky është një kërcënim shumë serioz dhe me pasoja të menjëhershme për stabilitetin e Pakistanit dhe se Pakistani nuk do të ketë asnjë përfitim nëse lejon aktiviteteve të tilla me ose pa dijeninë e qeverisë.”
Moeed Jusuf, i Institutit Amerikan të Paqes, thotë se për Uashingtonin trysnia mbi Indinë dhe Pakistanin për të luajtur një rol më të madh bashkëpunimi mund të bëhet diçka edhe më e rëndësishme, pasi një partneritet afat-gjatë SHBA-Pakistan, përtej luftës kundër terrorizmit, mund të mos jetë i mundur.
“Unë nuk mendoj se interesat strategjike të këtyre dy vendeve përputhen deri në atë pikë sa të dy palët të bëhen aleatë kryesorë të njëri tjetrit në Azinë Jugore.”
Marrëdhëniet mes Islamabadit dhe Uashingtonit kanë qenë të ndërlikuara për vite me rradhë, dhe bashkëpunimi anti-terrorizëm mes dy vendeve u ndal pas një operacioni përtej kufirit të NATO-s në nëntor, i cili vrau 24 persona të personelit ushtarak pakistanez.
Ndërsa të dy palët kanë punuar për të rivendosur lidhjet pozitive, Shtetet e Bashkuara nuk kanë reaguar shumë ndaj kushteve të vendosura nga parlamenti i Pakistanit për rivendosjen e marrëdhënieve dhe rihapjen e rrugëve të furnizimit të NATO-s në Afganistan.
Kushtet përfshijnë ndalimin e sulmeve me anë të avionëve pa pilot mbi Pakistan dhe që territori pakistanez të mos përdoret për transportin e armëve apo municioneve në Afganistan. Uashingtoni nuk ka thënë nëse do t’i përmbahet ose jo këtyre rekomandimeve, por është shprehur se do të diskutojë qëndrimet politike me Islamabadin.
Por analisti Moeed Jusuf insiston se paqja dhe stabiliteti varen nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Indisë dhe Pakistanit.
“Afganistani është i rëndësishëm, por lidhja Pakistan-Indi është element kyç për këtë.”
Ai thotë se sa më shumë të impenjohet Uashingtoni për të afruar dy palët, aq më i mirë do të jetë rezultati në Afganistan fqinj.kohaislame