1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Analfabetizmi – Kosova e para në Evropë

Më të lexuarat

Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë tregojnë se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë 188 persona.

Mosha e personave analfabetë të plotë dhe analfabetë funksionalë nuk është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, por në këto të dhëna hyn popullata e moshës mbi 10-vjeçare.

Ekspertë të çështjeve të arsimit thonë se këto shifra tregojnë se numri i qytetarëve që nuk dinë shkrim dhe lexim ka shënuar rënie, krahasuar me të dhënat e ndryshme të bëra më herët.

Në vitin 1981 Kosova kishte 17,6 për qind të popullatës analfabete në tërësi. Në vitet e pasluftës në Kosovë rreth 6 për qind vlerësoheshin të ishin analfabetë.

Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet e fundit për analfabetizmin tregojnë se për 2 për qind është përmirësuar gjendja e personave që nuk kanë ditur shkrim lexim.
Me rezultatet e fundit, del se 2 për qind është avancuar, pra është përmirësuar gjendja e shkrim-leximit klasik…

“Mbi bazën e vlerësimeve të deritashme, shkalla e qytetarëve të Kosovës që nuk dinë fare shkrim dhe lexim ka qenë 5.6 për qind, përkatësisht rreth 6 për qind. Me rezultatet e fundit, del se 2 për qind është avancuar, pra është përmirësuar gjendja e shkrim-leximit klasik, do të thotë paaftësisë së qytetarëve të moshës mbi 10-vjeçare që nuk dinë shkrim dhe lexim”, thotë Hyseni.

Sidoqoftë, Hyseni thekson se kjo gjendje është shqetësuese për Kosovën, nëse krahasohet përqindja e analfabetizmit me vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas tij, Kosova zë vendin e parë në Evropë me shkallë të lartë të analfabetizmit.

Për zbutjen e analfabetizmit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vite të tëra ka mbajtur mësime joformale, që mundësojnë mësimin e shkrim-leximit, për qytetarët, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk kanë dhënë shifra të qarta për moshën e analfabetëve. Sipas tij, në kohën kur do të publikohen ato të dhëna, atëherë do të kemi një pasqyrë më të mirë se a mund të zbutet shkaka e analfabetizmit apo jo.

“Edhe po të shtrohet pyetja se deri kur do të mund të çrrënjoset ose zvogëlohej në mënyrë domethënëse analfabetizmi në Kosovë, përgjigjja e saktë nuk mund të jepet pa i pasur të dhënat sipas grupmoshave”.

“E, unë mendoj se ato duhet të dalin diku nga dhjetori, që po supozoj që për njerëzit, të cilët janë të një moshe më të shtyrë se 65 vjeç e më lart, sigurisht që do të jetë vështirë të shpresohet se mund të bëhen hapa të mëdhenj në çrrënjosjen e analfabetizmit në ato kategori. Por, kur bëhet kjo për moshat më të reja, me to natyrisht që duhet të punohet”, konsideron Popovci.

Ndërkaq, Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se mbi bazën e këtyre rezultateve të analfabetizmit, institucionet e Kosovës duhet të merren me zhvillimin e politikave arsimore, si dhe të hartojnë projekte për këtë numër të qytetarëve që nuk dinë shkrim dhe lexim.

Mjaft shqetësuese, edhe sipas Hysenit, mbetet edhe numri i qytetarëve që janë analfabetë funksionalë.

“Numri prej 55 mijë qytetarëve që nuk dinë fare shkrim dhe lexim është hendikep dhe një faktor jashtëzakonisht pengues për zhvillimin e Kosovës. Por, unë mendoj se shqetësimi më i madh është numri i madh i qytetarëve që kryesisht janë analfabetë funksionalë, të cilët dinë lexim- shkrim, por që nuk janë në gjendje ta kuptojnë një tekst apo ta interpretojnë një tekst, apo një tabelë të thjeshtë”, vlerëson Hyseni.

Ekspertët e arsimit thonë se Kosovë se me një punë intensive në mësime joformale, deri në vitin 2015, përqindja e analfabetizmit do të mund të zvogëlohej në 0.5 për qind.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atëbotë, ata janë zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë analfabetizmin.

Deklarata e Mijëvjeçarit është nënshkruar në vitin 2000 nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe ka përcaktuar 8 qëllime, 18 plane dhe 48 indikatorë, për të matur progresin deri në vitin 2015.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit