3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Analfabetëve nuk u duhen libra

Më të lexuarat

Salih Kabashi mbetet një ikonë e publicistikës shqiptare, por jo vetëm asaj që është kultivuar në hapësirat e Kosovës. Si gazetar, udhëpërshkrues e reporter i njohur, ai u shqua sidomos për polemikat e ashpra, në mbrojtje të kërkesës për avancim të statusit politik e juridiko-kushtetues të Kosovës, të cilat u publikuan në shtypin serbokroat, në fundshekullin e kaluar, duke filluar në revistën serbe NIN, pastaj në Politika Ekspres, Mladina, Telex, Danas, Start etj.

Qëndrimet e tij të hapura, natyrisht i patën konsekuencat e veta në jetën dhe karrierën e tij, për ç’gjë u detyrua të emigronte jashtë vendit, ndryshe nuk mund t’i shpëtonte aparatit shovinist të kohës. Ky disident i pandreqshëm, i cili një pjesë të veprimtarisë u detyrua ta zhvillonte jashtë vendit, nuk u kursye as për të tjerët. Kështu, ai u ndodh në krah të lëvizjes demokratike të njohur si ‘Slovenska Pomlad’ (Pranvera Sllovene), ndërkohë që mbante korrespondencë me shkrimtarët, artistët dhe përgjithësisht intelektualët më të shquar të kohës, që kishin synim të njëjtë: demokratizimin e shoqërive ballkanase. Por pa mëdyshje, emri i tij më së shpeshti ndërlidhet me revistat ‘Alternativa’ e pastaj ‘Republika’, si dy mediume me mjaft ndikim, që ndryshe përfaqësonin ndërgjegjen intelektuale kosovare, që përherë e më me shumë këmbëngulje po kërkonte liri dhe pavarësi.

Aktualisht Kabashi, ndonëse nuk është i angazhuar në ndonjë medium, ai është mjaft i informuar me zhvillimet në vend. Atë e gjen në radhën e kritikëve të ashpër që janë vënë si ledhë, kundër erozionit të politikës degraduese në Kosovë dhe hapësirave të tjera të banuara me shqiptarë. Në këtë intervistë të rrallë të tij dhënë për Gazeta e Re, ai ka reflektuar mbi të kaluarën, ëndrrën e papërfunduar të kosovarëve për një shtet demokratik e sovran, që do të ishte i gatshëm për t’u lidhur me hapësirat e tjera të banuara me shumicë shqiptare, pastaj për angazhimet dhe pikëpamjet rreth zhvillimeve politike, si dhe shumë çështje të tjera.

GER: Ndoshta nuk dimë të veçojmë diçka nga veprimtaria juaj e ngjeshur politike e intelektuale e paraluftës, për të tërhequr, fjala vjen, paralele me periudhën e pasluftës. Por na lejoni të bëjmë një përpjekje sado të vogël. Le t’ia fillojmë me këtë pyetje: si është për një armik të ish sistemit, të vijojë të  mbetet kundërshtar dhe kritik i një klase politike që përbëhet pothuajse tërësisht nga shqiptarët, kësaj klase që sot ndodhet në krye të institucioneve të Republikës së Kosovës?

Kabashi: Sigurisht se ndryshon angazhimi i një njeriu në kohë, le ta quajmë robërie apo paralirie me vullnetin e të njëjtit që të jetë kritik edhe ndaj, le ta them, pushtetit në krye të të cilit më në fund qëndrojnë njerëzit tij. Nuk ka dyshim se aktiviteti jo vetëm imi në kohë pushtimi apo në periudha të iluzionit e të delirit bukur  shumë të përhapur për jo vetëm për mundësinë e rrojtjes nën komunizmin jugosllav, por edhe si solucion i vetëm prosperiteti për shqiptarët brenda bashkësisë jugosllave, përkundër vetëdijes për rrezikun nga represioni, përjashtimi e dhuna që kanoste çdo çast, megjithatë ka pasur satisfaksionin e vet: E natyrshme, e ke menduar rrezikun, por mbi të gjitha ke pasur vendosmërinë e përballjes e të qëndresës, të kundërshtimit e të ballafaqimit. Përballja me të gjithëfuqishmit si: Komiteti, shërbimet sekrete, rojet ideologjike, me shqiptarët më titisë se Tita dhe më serbë se serbët, me çelulat e partisë komuniste në çdo organizatë shoqërore, me spiuj e denonciatorë të shumtë rreth e rrotull…, ka qenë jo aq e lehtë, edhe pse nga shumëkush konsiderohej çmenduri, megjithatë ajo luftë e kishte lezetin e saj, sidomos kur kujtoje se kundërshtimi e rebelimi yt ishte i drejtë, sepse bëhej për lirinë, për përparimin e vendit e të popullit tënd, bashkë me të drejtën e shqiptarëve për të qenë të barabartë me të tjerët dhe, sidomos, për t’u bërë të pavarur, fillimisht në kuadër të një Republike Shqiptare të quajtur Republikë e Kosovës, e cila do t’i bashkonte shqiptarët e të gjithë hapësirës etnike nën Jugosllavinë për t’u finalizuar me bashkimin me Shqipërinë në një shtet.

UÇK-ja, çlirimi i Kosovës, vënia e saj nën një protektorat ndërkombëtar, Ura mbi Ibër në Mitrovicë, enklavizimi, shkatërrimet nga ushtria e policia serbe, shitjet  e faljet e pasurive të vendit tonë, shkërmoçja e sistemit shkollor, administrata e korruptuar, vrasjet e pasluftës, një kohë të gjatë, të lodhshme  e të pafund edhe grindjet midis krahëve të ashtuquajtur politikë paqësorë e luftarakë, aleancat më të çuditshme e më të paprincipëta politike, instalimi i analfabetizmit politik e të akomodimit të inkompetentëtëve e të stërkorruptuarëve në krye të institucioneve në të gjitha nivelet politike, shpallja e një pavarësie më shumë simbolike se sa faktike, ku mbi të gjithë e mbi gjithçka kyçe, për çështjet më të rëndësishme shtetërore e kombëtare – qëndrojnë ambasadat e huaja!

Në këso kushtesh, edhe pse e ke ditur se nuk është i lehtë shtetndërtimi, edhe pse edhe me pesimizmin më të madh nuk ke mundë ta imagjinosh një rënie kaq të tmerrshme poshtë…, njeriut, sidomos një njeriut si unë që ka sakrifikuar bukur shumë për një ideal, nuk i mbetet tjetër pos ta vazhdojë luftën, sigurisht me mjete tjera, por tash kundër uzurpatorëve tanë. Vet, për veti, mendoj se do të turpërohemi nëse nuk i shpallim luftë të keqes së instaluar në Prishtinë e nëpër komuna të Kosovës. Unë deri në frymë të fundit do të jam në luftë kundër kësaj të keqeje e kundër kësaj gangrene, i nxitur, sikurse edhe në kohë të Serbi-Jugosllavisë,  nga dashuria e madhe që kam për më të dashurën tonë – Kosovën tonë!

GER: Ndërsa Jugosllavia po i jepte shenjat e para të vetshkatërrimit, ju u shquat për polemikat e ashpra në shtypin kroat, serb e slloven, në mbrojtje të së drejtës dhe lirisë së popujve për vetëvendosje. Siç e dini, as pas kaq dekadash diskursi politik i zyrtarëve serbë, s’ka zëvendësuar pothuajse asnjë argument, e për më keq, as diplomacia kosovare, nuk ka arritur t’i dekonstruktojë ato argumente e ta sensibilizojë opinionin ndërkombëtar për këto hile shekullore që i përmban ky diskurs. Pse?

Kabashi: Në kohën e mbajtjes së Konferencës së Rambujesë, në një tryezë të rrumbullakët në Paris, në fjalën time e kam pas cituar Leninin, i cili në një rast kishte thënë se komunistët mund të bëjnë marrëveshje politike me jokomunistët, sepse ato, marrëveshjet politike janë si biskotat, ato i thyen lehtë dhe i thërrmon kur të duash e sa herë të duash. Të tilla do të jenë marrëveshjet me Serbinë, pata thënë: Serbia nënshkruan çkado dhe të gjitha dhe nuk zbaton kurrëçka e asgjë. Sepse në politikën e diplomacinë serbe dredhia e hileja janë ngritura në zanat e të përkryera deri në pafytyrësi. Edhe sot Vuçiq, Daçiq, Ana Bërnabiq tallen me përfaqësuesit e Kosovës kur gjenden përballë njëri-tjetrit nëpër Evropë e nëpër botë.

Ajo që quhet diplomaci e Kosovës e që nuk është kurrëfarë diplomacie, tash shihet qartë se ka qenë katastrofalisht e pasuksesshme dhe tmerrësisht e dëmshme për vendin, aq sa për gati dy dekada, Serbisë së shtruar përdhe nga ndërhyrja e NATO-s, të ndjekur e të përjashtuar nga Kosova, i mundësuan ringritjen e konsolidimin deri në atë shkallë sa ajo më nuk ndjehet përgjegjëse as për luftën as për gjenocidin.

Po kjo politikë e diplomaci karikaturale petrit selimash, enver hoxhajsh e bexhet pacollësh, shpërbleu me territor kombëtar Malin e Zi dhe tash po bëhet gati t’i shkaktojë dhimbje të reja Kosovës me pazare tepër të dyshimta në trajta korrigjimesh e saktësimesh të kufirit apo edhe me shkëmbime territoriale. Ajo që unë e quaj Trojka uzurpatore e pushtetit në Kosovë (Thaçi, Veseli, Haradinaj), vazhdon ta tall ëndrrën shekullore të Kosovës për liri e pavarësi.

Prandaj, unë, siç e kam thënë para shumë muajsh, as nuk e njoh as do ta njoh këtë qeveri dhe këta sundimtarë, pasiqë i konsideroj shkatrrimtarë të pashpirt të Republikës, të pasurisë së saj, të demokracisë, të lirisë e të vetë kësaj grime pavarësi!

GER: Ju njohim për njeri energjik, njeri që është i etur për të shkruar, rrëfyer,  e qe besa edhe për të polemizuar, mirëpo nuk jeni aktivizuar konkretisht në ndonjë institucion a medium, a ju ka shkuar ndërmend ta ringjallni Alternativën?

Kabashi: Hahaaaa, po. Energji kam, sevdaja e shkrimit ende nuk më ka braktisë, ende e kam të pashuar etjen e rrëfimit, edhe gatishmërinë e polemikës po se po. Ju shihet se nuk i keni përcjellë me vëmendjen e duhur kaskadat e mia nëpër disa mediume: isha aktiv për gati dhjetë vjet në korrespondenturë për Radio Kosovën. Ma ndërpreu kontratën drejtori partiak Azem Bujupi. Jo pse nuk isha më i miri, sepse nuk është zor të jesh i shkëlqyeshëm në kooperativën bujqësore të quajtur RTK, po pse emri im nuk i pëlqente politikës që udhëhiqnin ronxhobonxhot e PDK-LDK-së… Më ftoi Remzi Ejupi në Zëri. Atje botova një dyzinë reportazhesh, derisa Arbana Xharra shpiku shuarjen e rubrikës kulturore (!!!) me të vetmin qëllim largimin tim nga gazeta e saj destruktive. Bashkëpunimi im i gjatë dhe i përkushtuar në fillimet e gazetës pëdëkëiste Epoka e Re përfundoi për shkak të mospagesave dhe të joprofesionalizmit e joseriozitetit të redaksisë. Me gazetën Tema në Tiranë kisha vendosur një bashkëpunim, i cili u ndërpre, nga ana ime! Pasi që një artikull nuk ma botuan me arsyetimin “ke Bukoshin brenda”! Vërtetë unë në atë shkrim të radhës të botuar aty kisha përmendur Bujar  parallinë dhe ministrat e tij analfabetë, gënjeshtarë, grykës e grabitçarë në kuadër të allishverisheve, dyshimeve të keqpërdorimeve me Fondin e Republikës, të njohur si Trepërqindëshi… Bujari ka pas ble shumë gazeta e shumë gazetarë në Prishtinë, Tiranë e në Diasporë…

Ngjallja e Alternativës më është dukur  dhe vazhdoj të mendoj se është e pamundshme. Do të ishte një ndërmarrje e kotë. Ajo i takon dy viteve të bujshme për të dhe për historinë e medias shqiptare të Kosovës. Alternativa ka thyer censurën titisto-staliniste në fjalën e shkruar shqiptare kudo. Brenda faqeve të saj, haptas është kërkuar liria dhe pavarësia që na takonte. Kjo, mua dhe bashkëpunëtorët e mi, nuk ka si të mos na bëjë krenarë. Armiq dhe sabotatorë të Alternativës ishin sa titistët po aq enveristët e Kosovës.

Nuk jam i sigurt se e dini se pas luftës erdhëm në Kosovë me revistën Republika, e cila deri atëherë dilte jashtë vendit. Edhe pse me një ndërprerje njëvjeçare, ngulëm këmbë me forca e mjete vetanake që ta mbajmë revistën. Të tjerët merrnin para nga ambasadat, mbështeteshin nga Komisioni i mediave pranë Unmikut. Revista Republika edhe pse e kërkoi mbështetjen nga Komisioni i Mediave, asaj iu refuzua çfarëdo përkrahjeje, deri edhe në sabotimin e shtypjes kur na detyruan të gjenim shtypshkronjë në Shkup e në Tiranë. Shihej se atyre iu pengonte motoja 10 vjet të vjetër “Për Shqiptarinë e Pavarur dhe të Bashkuar”. Bile ata e thanë haptas: “Ne nuk jemi këtu për të përkrahim Kosovën Republikë”! Shpërthimet e marsit ende nuk kishin ndodhur. Ndërkombëtarët me Blerim Shalën e Veton Surroin me kompani e mendonin e punonin me ambasadat për Kosovën nën Serbi.

Kanë qenë qesharake këshillat e disa pronarëve të gazetave që na thonin: Shko bre në Zyrën amerikane se nuk ka dalë kush prej atyhit pa ia dhënë ata një çek së paku 5000 dollarësh… Sigurisht se, siç thuhet, unë nuk do të pranoja kurrë karamele të tilla të helmëta… Njerëzit kanë harruar se ndihmat ndërkombëtare për median e Kosovës kanë shkuar, apo i kanë marrë, pothuajse në tërësi Koha e Veton Surroit dhe Zëri i Blerim Shalës. Ky i fundit as nuk pranonte reklamën e paguar të Republikës në faqet publicitare të saj…

GER: Ju nuk e keni fshehur simpatinë për Albin Kurtin, siç nuk e keni fshehur përçmimin ndaj pjesës tjetër të politikanëve nga partitë e tjera. A jeni i gatshëm ta ndihmoni, të bëheni pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, po qe se ai ju fton?

Kabashi: Albin Kurtin e kam takuar gjithsej dy herë. Njëherë në fillimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një herë tjetër, shkurtaz, në një takim të Degës së LVV në Istog, e cila asokohe ishte në hapat e saj të parë. Vetëvendosjen si ide e objektiv nacional mua nuk ma ka shpikë Albin Kurti. Ishte në mendjen time, jo në autorësi timen, ende pa lindë kryetari i tashëm dhe themeluesi i LVV. Meritë e jashtëzakonshme e Albin Kurtit është se idenë e vetëvendosjes për shqiptarët e Kosovës e ka përhapë, e ka ngulitë dhe ia ka shpërndarë pjesës më vitale të qytetarëve të Kosovës. Mund të them se e kam përkrahur sepse një kohë ka qenë nën një injorim pothuajse total ndërkombëtar dhe nën një zullum që vazhdon edhe sot nga PDK-LDK-AAK-ja dhe nga pushtetet e tyre të grabitura. Te Albini e kam pa vazhdimësinë e idealit tim. Ai është i vetmi intelektual në krye të një subjekti politik qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni… Të tjerët janë bosh fare, partizanllëqe analfabete e arrogante. Kënd tjetër do të duhej ta përkrahja, pashë Zoten! Mbas Adem Demaçit të rinisë sime, askush tjetër nuk më ka impresionuar politikisht e atdhetarisht sa Albin Kurti.

GER: A jeni optimist që kjo klasë e korruptuar politike do të zëvendësohet herët a vonë?

Kabashi: Optimist nuk jam. Më shumë jam pesimist, sepse optimizmi i tepërt  dhe i përhershëm, edhe atëherë kur gjërat shkojnë për së mbrapshti, është diçka që ka një fqinjësi të afërt me marrëzinë. Pesimizmi është realizëm. Ky më nxit të kundërshtoj, të kritikoj, të rebelohem, të kryengritem dhe, në qoftë se rebelizmi e kryengritja demokratike masivizohen dhe mbështeten nga qytetarët, domosdo se do t’i vijë fundi edhe kësaj të keqeje që po përmbyt Kosovën. Kjo klasë pushtetarësh uzurpues duhet doemos të ndërrohet.

GER: Botuesit në Kosovë janë në krizë, nuk ekziston pothuajse industria e përkthimit, për autorë, të mos flasim… Si një lexues i disiplinuar, me ç’fjalë do ta shpjegoni këtë përkeqësim të sistemit të vlerave?

Kabashi: Libri është në krizë. Kosova ka pak shkrimtarë. Ka plot sevdalinj që shkruajnë dhe nxjerrin libra serikë pa asnjë kualitet, shoqëruar me alamet recensione, me parathënie e pasthënie të korruptuara hymnizuese. Librat të cilave iu bëhen gjithë ato lavdërime të turpshme e të pandershme as nuk i lexon kush. Rrallëkush i blen. Ato falen. Në shëmtimin e librit në Kosovë punë viganësh bën një bandë tipash antikulturorë të instaluar si uzurpatorë e keqpërdorues fondesh në Ministrinë e Kulturës.

Përkthimet, mospasja e përkthimeve cilësore, mospërkthimi i të rejave letrare e shkencore është një invaliditet i pabesueshëm kulturor. Shihni vite me radhë fituesit e Nobelit, bie fjala! Kur shpallet fituesi, te popujt me nuhatje për vlerat, i gjen të përkthyera disa nga veprat e autorit. Neve tek atëherë mësojmë e dëgjojmë emrin e tij… Mos të flas për përkthimet e veprave shqip në gjuhë të huaja ku privilegjin e kohës së Enver Hoxhës e mban ende Ismail Kadareja, ndërkohë që anashkalohen shkrimtarë tanë të tjerë më të mirë se ai! Gjendja e botimeve është e tillë sepse ne kemi shkatërruar shkollat e fakultetet. Analfabetëve nuk u duhen libra.

GER: Meqë jemi te libri, ç’jeni duke lexuar tani?

Kabashi: E them me bindje dhe i përmbushur se cilësia e librave dhe përgjithësisht literaturës që i lexoj këto tri dekadate fundit ka një ngritje të vazhdueshme. Leximi për mua është një mrekulli. Jam i lumtur kur e mendoj se sot kam mundësi që t’i kam në posedim e të lexoj libra me vlerë, qoftë botime të vjetra apo krejt të reja. Janë libra në shumicën e tyre jo shqip. Natyrisht përcjell edhe botimet shqip dhe sidomos autorët e mi më të pëlqyer. Lexoj e rilexoj Rexhep Qosjen. Një libër i Rexhep Qosjes, i mëhershëm apo rishtas i botuar, gjithmonë gjindet në tavolinën time. Kam thënë më parë dhe e përsëris: Pas dyqind vjetësh askush nuk do të dijë asgjë për Kosovën e  shekullit XX e për fillimin e këtij shekulli, pos nëse nuk do të lexojë Qosjen. Vepra e tij është në valorizim permanent. Autori, një ndër figurat më markante letrare, shkencore, filozofike, politike, edhe historike të kësaj epoke, për keqardhje, edhe sot si dikur, është vënë në indeks, atë duan ta mohojnë, ta anashkalojnë, ta pamundësojnë, ta keqtrajtojnë, deri edhe familjarisht, bandat primitive të Kadri Veselit!

Përndryshe tavolina ime këto ditë është e ngarkuar me librin e historianit Edward Luttwak “La grande stratégie de l’empire Byzantin”, për Bizantin, perandorinë e ndritshme njëmbëdhjetë shekullore, në kuadër të së cilës jetuan edhe shqiptarët. Kam në lexim edhe librin “La France arabo-orientale. Treize siècles de présences”, përgatitur nga një grup historianësh për trembëdhjetë shekujt e vazhdimësisë së pranisë muslimane, arabe e otomane në Francë. Po e lexoj edhe librin e autorit Jean Luc Hees mbi fatkeqësinë e sotme të njerëzimit që sundohet nga psikopatë të tipit Trump, Asad dhe nga kasapë që sundojnë në Kaukaz, në Korenë Veriore, në Tajlandë e gjetkë. Sapo mbarova së lexuari librim voluminoz me titull Saxe race &colonies të autorëve Pascal Blanchard, Nicolas Bancel, Gilles Boestsch, Dominic Thomas e Christelle Taraud, i cili i shërben të vërtetës e historisë përmes një akuze të rëndë dhe të guximshme drejtuar të kaluarës koloniale perëndimore.

GER: Edhe një pyetje. Jemi kureshtar,nga të gjitha këto shëtitje nëpër vende të ndryshme, a mund të presim diçka konkrete nga ju? Të paktën ndonjë libër me udhëpërshkrime për shembull?

Kabashi: Kjo sigurisht është pyetja më e shpeshtë që më bëhet e që njëherit është një nxitje e inkurajim i sinqertë, çka unë patjetër e konsideroj shumë nderuese e vlerësuese. Kjo vjen nga miqtë e mi që më thërrasin, “më në fund, hajde ma! Çka po pret?” duke aluduar përmbledhjen brenda një apo disa librash të shkrimeve vërtetë të shumta të mia shkruar e të shtrirë në disa dekada. E mua nuk më jipet! Më më qejf lexoj librat e të tjerëve se sa të bëj libra për vete. Nuk di. Presioni i miqve është i vazhdueshëm. Le të presim nëse insistimi i tyre do ta mposhtë joambiciozitetin tim në librabërje!/Gazetaere

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit