Organizata ka kontaktuar me dhjetëra persona në lidhje me këto masa arbitrare të ndërmarra ndaj Katarit nga tre vendet e Gjirit si pasojë e krizës së jetuar.
Organizata joqeveritare ndërkombëtare “Amnesty International” (AI) ka dënuar masat, të cilat janë ndërmarrë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kundër Katarit dhe kërkoi që këto masa “arbitrare” të shfuqizohen menjëherë.
Në deklaratë me shkrim të bërë nga organizata në fjalë thuhet se kanë kontaktuar me dhjetëra persona në lidhje me këto masa arbitrare të ndërmarra ndaj Katarit nga tre vendet e Gjirit si pasojë e krizës së jetuar.
Këto masa paraqesin neglizhencën ndaj jetës së mijëra njerëzve, shpërbërjen e familjeve si dhe një pengesë të rëndësishme kur bëhet fjalë për ekzistencën dhe arsimimin e popujve të këtyre vendeve, ndërsa u kërkua që masat të shfuqizohen urgjentisht.
Ndihmës drejtori i Programit për problemet globale të AI, James Lynch, i cili çdo javë viziton kryeqytetin Doha, tha se këto masa radikale do të kenë pasoja të mëdha, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Fëmijët do të ndahen nga nënat dhe baballarët e tyre. Familjet do të shpërndahen. Kjo nuk ka të bëjë vetëm për Katarin, por edhe me vendet që kanë ndërmarrë këto masa. Viktimat e këtyre masave mund të humbasin punën e tyre ose të drejtën për arsimim. Unë u bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që minojnë të drejtat e njeriut “, ka thënë Lynch.
Organizata në fjalë bën të ditur se liria e shprehjes në vendet e Gjirit ka pësuar një goditje të re, ndërsa ata të cilët në Emiratet e Bashkuara Arabe shprehin simpati ndaj Katarit do të mund të ndëshkohen deri me 15 vjet burgim. Ndërkaq në Arabinë Saudite kjo do të llogaritet si krim i internetit dhe Bahrejni kërcënoi të gjithë ata që shprehin simpati ndaj Katarit me gjobë dhe me burgim deri në 5 vjet.
Amnesty International bëri të ditur se mospajtimet politike mes vendeve duhet të zgjidhen në kuadër të respektit të të drejtave njerëzore dhe tërhoqi vëmendjen se shpërbërja e familjeve, bërja presion ndaj lirisë së shprehjes dhe neglizhenca e punonjësve emigrantë dhe ekspozimi i tyre ndaj rreziqeve nuk do të kenë asnjë shpjegim logjik.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahreini dhe Jemeni të hënën njoftuan se i kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, të cilin e akuzojnë për destabilizim të rajonit.
Arabia Saudite, EBA dhe Bahreini mbyllën hapësirat e tyre ajrore për Katarin dhe dhanë urdhër që diplomatët e Katarit të braktisin këto vende në afat prej 48 orësh.
Autoritetet e Jordanisë, gjithashtu iu bashkuan Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera dhe paralajmëruan degradimin e marrëdhënieve diplomatike me Katarin.