Nga Doug Bandow
Beteja vjetore mbi buxhetin, është në kulmin e vet, dhe Uashingtoni vazhdon të shfaqë mosfunksionimin e tij. Kjo papërgjegjshmëri fiskale, ndikon më shumë se sa vetëm programet e brendshme. Në vitet e ardhshme, ka të ngjarë që ajo të prekë edhe politikën e jashtme dhe ushtarake të SHBA-së.
Qeveria amerikane, nuk ka detyrë më të rëndësishme sesa mbrojtja e kombit. Megjithatë, sigurimi i “mbrojtjes së përbashkët”, siç e përcakton Kushtetuta, është diçka jashtëzakonisht e lehtë. Amerika rrethohet nga oqeane të mëdhenj në lindje dhe perëndim, dhe fqinjë të qetë në veri dhe në jug.
Sot vetëm Rusia, me një arsenal raketash bërthamore, mund të nisë një sulm serioz ndaj Amerikës. Megjithatë, Moska nuk ka stimuj për ta bërë këtë, pasi rezultati do të ishte një hakmarrje shkatërrimtare. Ushtria e Kinës po zgjerohet, por ajo është fokusuar në parandalimin e Uashingtonit që të pengojë dominimin e Republikës Popullore të Kinës në shtëpi dhe në lagjen e saj.
Terroristët janë të shumtë, por ata shtohen kryesisht nga politikat jo shumë të mirë-menduara të SHBA-së, të cilat krijojnë armiq dhe konflikte mes pupujve të tjerë dhe Amerikës. Për më tepër, ndërsa sulme të tilla janë të tmerrshme, ato nuk përbëjnë një kërcënim ekzistencial.
As forcat konvencionale të Amerikës, dhe as arsenalet bërthamore, nuk ofrojnë përgjigjen më të mirë. Luftërat e kushtueshme anembanë botës, kanë më shumë gjasa të zgjerojnë, sesa të zvogëlojnë numrin e akteve terroriste. Mundësia më e mirë, do të ishte të angazhoheshim më pak ushtarakisht, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Por pse atëherë, Uashingtoni do të shpenzojë 717 miliardë dollarë në vitin fiskal 2019, për të mbajtur një ushtri të madhe, flotë dhe baza ajrore në mbarë botën? Në çro rast jo për mbrojtjen e vetë Amerikës. Kjo bëhet për të mbrojtur aleatët, për të ushtruar ndikim, për të riorganizuar shoqëritë e dështuara, diktuar sjelljet e vendeve të ndryshme, dhe për të promovuar vlerat tona nëpër botë.
Të gjitha këto mund të kenë vlerë, megjithëse shumë më rrallë nga sa thuhet. Dhe asnjëra
nuk ka të bëjë dhe aq me mbrojtjen e territorit, qytetarëve amerikanë, sistemit kushtetues dhe prosperitetit. Mjerisht, sulmimi është shumë më i kushtueshëm se sa parandalimi.
Shumica e shpenzimeve të SHBA mbi Pentagonin, shkojnë tek fuqi e projektuar. Prandaj Shtetet e Bashkuara kanë një buxhet të jashtëzakonshëm ushtarak, të barabartë me atë të një duzine shtetesh të marra së bashku. Asnjëra prej tyre, ose të gjithë të bashku, nuk mund ta mposhtin dot Amerikën.
Përkundrazi, Uashingtoni kërkon aftësinë për t’i shënjestruar ato. Buxheti i ashtuquajtur i “mbrojtjes”, është çmimi i politikës së jashtme agresive të Amerikës. Luajtja e rolit të xhandarit global, nuk është e lirë. Edhe pse amerikanët, duhet të jenë të përgatitur të paguajnë çdo kosto të nevojshme për mbrojtjen e tyre, por jo për ribërjen e botës.
Dërgimi i amerikanëve për të luftuar dhe vdekur për detyrat me rëndësi periferike, ka qenë gjithmonë një marrëzi. Edhe nëse sikur Amerika të jetë ndjerë dikur aq e pasur aq sa të harxhonte burimet e saj financiare në synime të tilla, ato kohë kanë përfunduar tashmë.
Uashingtoni de fakto ka falimentuar, duke pasur detyrime të shumta të pafinancuara.
E ardhmja e saj fiskale, vetëm sa do të përkeqësohet, kur brezi i “Baby Boomers” të ketë dalë në pension. Vitin e kaluar, Partia Republikane, dikur kujdestarja e vetëshpallur e thesarit, e përdorte kontrollin e të dyja dhomave të parlamentit në Kapitol Hill, për të rritur njëkohësisht shpenzimet federale dhe ulur taksat.
Rezultati qe një defiçit që arrinte 779 miliardë dollarë, shumë më lart se 114 miliardë dollarët nga viti i kaluar. Herën e fundit që Xhaxha Semi gjeneroi një deficit të madh, ishte viti 2012 kur vendi e mori veten nga kriza financiare. Mjerisht, shifrat vetëm sa do të përkeqësohen tani.
Zyra e Buxhetit në Kongres (CBO), është shprehur se propozimet e presidentit mbi buxhetin e vitit 2019, do ta çojnë defiçitin në rreth 1 trilionë dollarë, pa një tjetër krizë financiare. Dhe këto shifra do të vazhdojnë të rriten, në 1.527 trilionë dollarë në vitin 2028, ose gati dyfishi i nivelit të vitit të kaluar.
Kjo rritje e borxhit, do të shoqërohet nga rritja e normave të interesit, të cilat tashmë kanë filluar rritjen e tyre të pashmangshme, ndërsa Rezerva Federale, do të nisë të zbusë politikën radikale ekspansioniste që daton nga koha e krizës financiare.
Uashingtoni mund të shpresojë për lajme më të mira nga sa priten:produktivitet më të lartë, norma më të ulëta interesi, dhe rritje më të shpejtë ekonomike, të cilat do të lehtësonin presionet fiskale në Uashington. Megjithatë, e kundërta është gjithashtu e mundur.
Në fakt, lufta tregtare e presidentit rrit mundësitë e ndryshimeve negative, ndërsa shmangia e një recesioni ekonomik gjatë dekadës së ardhshme, do të kërkojë më shumë se sa vetëm fat. Për të shmangur krizën, politikëbërësit e ardhshëm ka të ngjarë të rrisin shpenzimet për të “stimuluar” ekonominë, duke shtuar një defiçit që tashmë pritet t’i kalojë 1 trilionë dollarë në vit.
Imagjinoni një krizë ekonomike si ajo e 2008-ës, por me barrën e borxhit dy herë më të madhe. Natyrisht, Kongresi mund të rrisë taksat, por kjo masë nuk është aq popullore, se sa shkurtimet e shpenzimeve. Për më tepër, defiçiti në rritje, është kryesisht rezultat i rritjes së shpenzimeve.
Çfarë do të ndodhë me Pentagonin, që shpenzon kaq shumë para dhe kohë, dhe kaq shumë jetë amerikane, duke mbrojtur kombet e tjera, shumica e të cilëve janë të populluara dhe të begata? Shkurtimet janë të pashmangshme. Momenti i pare, është rishikimi i politikës së jashtme, duke e detyruar Uashingtonin të heqë dorë nga angazhimet e marra, ose të detyrohet t’i mbajë ato pa forcën e nevojshme.
Gjithashtu, administrata duhet t’i japë fund aleancave të vjetëruara, duke e përshtatur strukturën e saj të forcës në përputhje me rrethanat. Kjo kërkon një debat serioz mbi rolin e Amerikës në botë, dhe kompromisin e pashmangshëm mes aventurizmit ushtarak, programeve sociale të brendshme dhe të ardhurave private.
Edhe shpenzimet ushtarake meritojnë një rishikim veçanërisht të plotë. “Amerika e Para”, siç deklaron presidenti Trump, nuk duhet të nënkuptojë shpërfilljen e nevojave dhe të drejtave të të tjerëve. Por ajo duhet të pranojë, se detyra kryesore e qeverisë amerikane, është t’i shërbejë qytetarëve të saj.
“Amerika e Para”, do të thotë gjithashtu se lufta, duke pasur parasysh kostot e saj unike – jetët e humbura, rreziqet e marra përsipër, paratë e humbura – është mjeti i fundit që duhet ndërmarrë vetëm për qëllimet më serioze, madje edhe jetike.
Shënim: Doug Bandow, është një anëtar në Institutin Kato. Ai ka qenë ish-ndihmës special i presidentit Ronald Regan, dhe autor i librit “Çmenduritë e huaja:Perandoria e Re e Amerikës”
“National Interest” – Bota.al