5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

“Alternativa për Gjermaninë” do të shfuqizojë mekanizmat mbrojtës të pas-luftës ndaj nazizmit

Më të lexuarat

Partia populiste e krahut të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” do të zhbëjë disa nga masat mbrojtëse të pasluftës, të marra për të mbajtur në kontroll pushtetin e ekzekutivit gjerman. Manifestoja e kësaj partie, sugjeron një gjë të tillë, nëse Alternativa vjen në pushtet.

Duket se zhbërja e masave të ndërmarra pas Luftës së Dytë Botërore, është pjesë e programit të fushatës zgjedhore, që u paraqit në një konferencë për mediat nga ana e dy bashkë-drejtuesve të partisë populiste gjermane, që ka rritur mbështetjen së fundmi.

Programi kërkon që Gjermania të jetë në gjendje të heqë shtetësinë e “emigrantëve kriminelë” që bashkohen me grupe terroriste apo banda kriminale brenda 10 vjetësh pasi ata janë bërë shtetas gjermanë, madje edhe nëse një gjë e tillë i lë ata pa asnjë nënshtetësi – një lëvizje që nuk do të shkelte vetëm kushtetutën gjermane, por edhe ligjin ndërkombëtar.

Denatyralizimi u përdor si instrument represioni kundër armiqve politikë, përfshirë edhe figura të rëndësishme si Albert Ajnshtajni apo Hannah Arendt, gjatë periudhës naziste të vendit si dhe në Republikën Demokratike Gjermane.

Në reagim të këtyre abuzimeve, Gjermania Perëndimore ndaloi denatyralizimin që lë qytetarët pa asnjë nënshtetësi në ligjet e veta themelore, në vitin 1949 dhe më pas nënshkroi edhe rezolutën e OKB-së për reduktimin e gjendjes së mungesës së nënshtetësisë.

Draft-manifestoja e Alternativës për Gjermaninë zotohet më tej për të zbatuar sistemin zviceran të demokracisë së drejtpërdrejtë, sipas së cilës qytetarët mund të propozojnë referendum për ndryshime kushtetuese dhe i premton popullit gjerman “votim sipas modelit britanik nëse Gjermania duhet të qëndrojë ose jo në Eurozonë e nëse është e nevojshme, edhe në Bashkimin Europian”.

Një politikë e tillë do të kërkonte, gjithashtu, ndryshime në kushtetutën gjermane pasi referendumet në nivel kombëtar, aktualisht mund të mbahen vetëm për çështje të rihartimit të kufijve të shteteve federale të vendit.

Ligji themeltar gjerman gjithashtu, ndalon aktualisht që qeveria të thërrasë dhe të caktojë kushtet e një referendumi – diçka që do të duhet ndryshuar nëse Gjermania kërkon të ndjekë “modelin britanik”.

Mekanizmat e demokracisë së drejtpërdrejtë u kufizuan qëllimisht gjatë themelimit të Gjermanisë së pas-luftës, pasi Hitleri kishte përdorur një seri referendumesh për të marrë më shumë pushtet pas vitit 1933.

Manifestoja programor e “Alternativës për Gjermaninë” deklaron se “zbatimi i referendumeve sipas modelit zviceran do të jetë një pjesë e panegociueshme e çdo bisedimi për koalicion”.

Mundësia që “Alternativa për Gjermaninë të marrë pjesë në bisedime për koalicion pas zgjedhjeve federale gjermane të 24 shtatorit, është mjaft e vogël, pasi partitë e mëdha të qendrës kanë përjashtuar koalicionet me partitë populiste.

“AfD” merrte 15 për qind të votave në sondazhet e shtatorit të kaluar, mirëpo sondazhet më të fundit e vendosin atë poshtë 10 përqindëshit në nivel kombëtar. Rënia e mbështetjes duket se është shkaktuar nga lufta e brendshme në këtë parti.

Platforma elektorale e “AfD” gjithashtu, përshtat edhe një kërkesë për “emigracionin negativ” – një ide që së fundmi është marrë nga partia e Lirisë në Austri.

Sipas kësaj ideje, propozohet që numri i njerëzve që lejohen të hyjnë në Gjermani do të mbahet poshtë numrit të njerëzve që largohen: specifikisht, drafti sugjeron se 200 mijë njerëz të tjerë do të duhet të largohen nga vendi më shumë sesa ata që mbërrijnë.

Politika të tjera të “AfD” përfshijnë ndalimin e përgjithshëm të shamisë, heqjen e taksës mbi trashëgiminë dhe shfuqizimin e kontrolleve të qirasë.

Zgjedhjet e shtatorit në Gjermani po priten me shumë ankth në Europë, pasi me rritjen e partive populiste dhe ato ekstremiste, duket se pozicioni që do të marrë ky vend do të jetë thelbësor për të ardhmen e Eurozonës dhe Bashkimit Europian.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit