2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Aliu r.a, i katerti i khalifeve

Më të lexuarat

E kush nuk e njeh Aliun, të birin e Ebu Talibit nga familja Beni Hashim të fisit Kurejsh! Ai ishte djali i xhaxhait të Pejgamberit alejhi selam dhe dhëndri i tij, bashkëshorti i Fatimes, fëmija më i dashur i Pejgamberit. Ai ishte prijësi i katërt i muslimanëve dhe një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.
Aliu lindi tridhjetë e dy vjet mbas Pejgamberit alejhi selam dhe ishte djali më i vogël i Ebu Talibit. Nëna e tij quhej Fatime bint Esed dhe ishte gjithashtu nga familja e Beni Hashimit. Aliu që në moshë të vogël qëndron pranë Pejgamberit alejhi selam, i cili do të bëhej si babai i dytë për të, dhe kjo lidhshmëri do të vinte dhe forcohej gjithmonë e më tepër me shpalljen hyjnore që i zbriti Muhammedit alejhi selam. Aliu do të ishte fëmija i parë që do të pranonte Islamin rreth moshës nëntëvjeçare dhe një nga të parët që përqafuan këtë fe.

Tiparet e jashtme të tij
Ngjyrën e lëkurës e kishte ezmere të theksuar, sytë të rëndë dhe të mëdhenj, pak i shkurtër dhe me flokë të rënë, kishte mjekër të madhe dhe të zbardhur nga thinjat. Ishte njeri trim dhe tepër guximtar, i vendosur në luftë, por e donte paqen dhe marrëveshjet kur bëhej fjala për të ruajtur gjakun e muslimanëve.
Ibën Xhevzi në librin e tij “Sifetu Safva” përmend se Aliu pati katërmbëdhjetë djem dhe nëntëmbëdhjetë vajza. Me Fatimen, vajzën e Pejgamberit alejhi selam, ai pati katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, ndërsa fëmijët e tjerë me gra të tjera.
Pejgamberi alejhi selam e donte shumë Aliun, jo vetëm pse ai ishte kushëriri dhe dhëndri i tij, por sepse edhe Allahu e donte Aliun. Në ditën e Hajberit, kur muslimanët luftonin kundër çifutëve, Pejgamberi alejhi selam tha:
“Këtë flamur do t’ia japë nesër një njeriu, të cilit Allahu do t’i japë fitoren, ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan këtë njeri”.
Shokët e Pejgamberit alejhi selam atë natë e kaluan duke biseduar se kush do të ishte ky njeri. Të nesërmen të gjithë shkuan te Pejgamberi alejhi selam dhe secili prej tyre dëshironte që të ishte ai personi që do t’i jepej flamuri. Por, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Ku është Ali bin Ebu Talibi?” Atëherë shokët i thanë se ai ishte i sëmurë nga sytë. Pejgamberi alejhi selam urdhëroi që ta sillnin para tij. Pasi e sollën, Pejgamberi alejhi selam pështyu në sytë e tij dhe mbasi u lut për të, ai u shërua sikur të mos kish qenë sëmurë më parë. Më pas Pejgamberi alejhi selam i dha atij flamurin dhe i tha: “Shko drejt tyre ngadalë, derisa të arrish në mejdanin e tyre, dhe më pas ftoji ata në Islam dhe tregoji detyrimet që ata kanë ndaj Allahut, sepse pasha Allahun, sikur Allahu të udhëzojë nëpërmjet teje një njeri të vetëm, kjo do të jetë më mirë për ty sesa edhe një deve e kuqe.”[1]
Aliu mori pjesë në të gjitha luftërat në të cilat mori pjesë Pejgamberi i Allahut alejhi selam dhe nuk iu nda atij, por në luftën e Tebukut, Pejgamberi alejhi selam vendosi që Aliu të mos vinte me të, por të qëndronte si mëkëmbësi i tij në Medinë. Aliu radijallahu anhu i pakënaqur i thotë: “O i Dërguari i Allahut! A po më lë mua që të udhëheq gratë dhe fëmijët?” Dhe Pejgamberi alejhi selam i tha: “A nuk dëshiron që ti për mua të jesh si Haruni me Musain? Porse mbas meje nuk ka Pejgamber.”[2]
Shiko seç dashuri kishte Pejgamberi alejhi selam për Aliun, kur e vë atë në pozitën e Harunit, i cili ishte vëllai i Musait, që i priu popullit kur Musai po largohej për të marrë Tevratin nga Allahu, ndaj edhe Pejgamberi alejhi selam nuk po e linte atë pas me gratë dhe fëmijët, veçse sikur e la Musai të vëllanë e tij që të përkujdesej për popullin. Pra, i besoi në ato çaste atë që nuk mund t’ia besonte vetëm se të vëllait, por vetëm me një dallim se Haruni ishte Pejgamber, kurse Aliu jo.
Dashuria për Aliun, për këtë sahab të nderuar, është pjesë e besimit tonë; ata që e urrejnë atë janë hipokritë dhe padyshim që besimtarët e duan atë.[3]
Një herë, Pejgamberi alejhi selem shkon te shtëpia e Aliut dhe nuk e gjen atë aty. Pejgamberi alejhi selam pyet të bijën, Fatimen, se ku ndodhet ai, dhe ajo i thotë se mes saj dhe atij kishte pasur një zënkë dhe kështu që ai qe larguar nga shtëpia. Pejgamberi alejhi selam më pas e gjen Aliun të shtrirë në xhami dhe rroba i kishte rënë nga trupi dhe ai ishte bërë me dhe. Pejgamberi ulet pranë tij dhe fillon t’ia fshijë dheun me dorë dhe i thotë: “Çohu, o Ebu Turab (babai i dheut)! Çohu, o Ebu Turab (babai i dheut)!”[4] Dhe që nga ajo kohë Ebu Turab ishte emri më i dashur për të.
I tillë ishte Aliu, i dashur për Pejgamberin alejhi selam, dhe i tillë do të ngelte edhe pas vdekjes së tij për Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Ai do të ishte një nga miqtë më të dashur të tyre dhe një nga këshilltarët më të sinqertë për ta.
Të flasësh për këtë sahab, për jetën dhe veprat e tij, për frikën ndaj Allahut, për dijen dhe mençurinë e tij, për edukatën dhe moralin e tij, për adhurimin dhe përkushtimin ndaj Allahut nuk mjaftojnë rreshtat e një reviste dhe as faqet e saj, por ne për ta mbyllur do të japim përshkrimin që i bëhet Aliut nga njëri prej miqve të tij.
Muavije bin Ebu Sufjani i thotë Dirar bin Damres t’ia përshkruante Aliun. Ky kërkon t’i shmanget, por Muavija këmbëngul dhe atëherë Dirari tregon:
“Ai, pasha Allahu, ishte një njeri largpamës, i fuqishëm, fliste fjalë të prera dhe gjykonte me drejtësi, ishte i mbushur gjithë dije, fjalët i kishte të urta, nuk i pëlqente kjo botë dhe kënaqësitë e saj dhe gjente qetësi gjatë natës në adhurim. Pasha Allahun, ai lotonte shumë, mendohej gjatë dhe meditonte, i pëlqenin rrobat e ashpra dhe ushqimi i të varfërve. Pasha Allahun, ishte sikur të ishte njëri prej nesh, na përgjigjej kur e pyesnim, na përshëndeste i pari kur e takonim, dhe vinte kur e ftonim. Dhe me gjithë që i qëndronim afër dhe na rrinte afër, nuk para i flisnim për shkak të pozitës së tij. Kur buzëqeshte, dhëmbët i shkëlqenin si të ishin perla të vëna në radhë. Ai i nderonte njerëzit e devotshëm, i donte të varfrit dhe nuk i hapte rrugë të fortit kur nuk ishte në të drejtë, njerëzit e dobët e mbanin shpresën te drejtësia e tij. Dëshmoj para Allahut se e kam parë disa herë në net të errëta tek falej në vendfaljen e tij dhe qante pa pushim dhe ngashërehej. Më duket sikur e kam para syve duke e dëgjuar të thotë: “O dynja! O dynja! A mua më ke dalë përpara dhe mua po më kërkon? Ku vete, ku vete? Mashtro dikë tjetër dhe jo mua! Të kam divorcuar tri herë ndaj nuk kthehem më te ty, mosha jote është e shkurtër, jeta jote është e ulët dhe rreziku yt i madh. Oh sa pak zahire që kam dhe udhëtimi është i gjatë dhe i vetëm!”

Kur Muavija e dëgjoi gjithë këtë, filluan t’i rridhnin lot, saqë edhe mjekra filloi t’i pikojë dhe ai e fshinte atë me mëngën e rrobës. Edhe të pranishmit i kishte kapur e qara. Dhe Muavija tha: “Allahu e mëshiroftë Ebu Hasanin (Aliun)! Pasha Allahun, i tillë ka qenë! Po ti si e ndien veten pa të, o Dirar?”
Dirari i thotë: “E ndiej veten të trishtuar sikur ajo nënë që i kanë vrarë fëmijën në prehrin e saj dhe ajo s’pushon së qari nga trishtimi.”[5]
Ja, kështu e donin sahabët njëri-tjetrin, ndonëse mund të kishin mospajtime mes tyre.
Aliu vdiq në moshën gjashtëdhjetetre vjeçare, në Kufe të Irakut, duke rënë shehid nga dora e një njeriu të humbur, i cili i përkiste sektit të havarixhëve.
Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej Aliut dhe na bashkoftë ne bashkë me të dhe sahabët e tjerë në xhenet. Amin!

Marrë nga:
Revista “Argumenti”, numër 54, shtator 2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit