Nada Dosti
Eshtë ulur aty vetëm në një nga librari/kafetë më të frekuentuara nga të huajt. Hyj rastësisht dhe ulem përballë me të qëllimisht sepse më intrigon një personazh i tillë: zeshkane, me një turban në kokë, me ca libra aty pranë …instikti prej gazetareje më shtyn t’i afrohem dhe t’i flas. Por kur jeton në një vend të huaj dhe bombardohesh me pyetje kureshtare “Nga je?”, “Përse ke ardhur këtu?”, “Me çfarë merresh?”, kupton se nuk është etike të shqetësosh të tjerët dhe për t’u treguar mikpritësa duhet të sillemi sikur nuk i vëmë re të huajt. Rikthehem përpjekjes time për t’u përqëndruar në librin që kam në dorë, por më kot se një seri pyetjesh më vijnë në kokë…. “A thua të jetë amerikane? Nga tiparet duket si e tillë! A thua ka ardhur për turizëm apo është ndonjë dipllomate? Nga modestia në paraqitje duhet të jetë vullnetare. Si fytyrë e parë më duket, me siguri e kam takuar në ndonjë trajnim nga këta të UN-it sepse po më vështron prej disa minutash…Vetëm kur e gjej mbi kokë teksa me një buzëqëshje stërgjigante më thotë: “Selam!” Prezantohemi shkurtimisht dhe për mirësjellje e ftoj të ulet me mua. Zhytemi kështu në një bisedë të thellë dhe tepër motivuese për të dyja ne. Flasim për shumëçka dhe andej nga fundi zbulojmë se sapo kemi takuar një shpirt binjak në fushën e aktivizmit.
Sepse Alicia është aktiviste e të drejtave të njeriut veçanërisht kundër racizmit dhe islamofobisë.
“Pavarësisht se ekziston një shtypje globale ndaj personave të margjinalizuar, ekzistojnë edhe aktivistë të patundur në çdo cep të botës që do të luftojnë parreshtur për një liberalizim universal ndaj margjinalizimit dhe etiketimit”, shprehet ajo plot pozitivizëm.
Quhet Alicia Hernandez Strong, e sapo ftuar tek Organizata Politike në eventin “Të ndërtosh ura” për të folur rreth klimës politike në Amerikë, si të ndërtosh solidaritet ndërkombëtar dhe të promovosh solidaritet global midis aktivistëve në Amerikë dhe në Shqipëri. Event i cili u mbajt edhe në shqip edhe në anglisht sepse po, Alicia di edhe shqip. Në fakt është duke e mësuar dhe i duket gjuha më e zorshme në botë.
Alicia, si afro-amerikane dhe si muslimane e konvertuar, na fol pak për eksperiencën personale rreth shprehjes së famshme “Kthehu andej nga ke ardhur”!
“A e dini se sa herë e kam dëgjuar këtë shprehje?
Që ta dini ju:, unë kam lindur këtu (në Amerikë). Prindërit e mi kanë lindur dhe janë rritur këtu, gjyshërit e mi gjithashtu. Pa dashur të zgjatem tek fakti se dy prindërit e mi janë veteranë lufte.
Por njerëzit shohin lëkurën time, hixhabin tim dhe direkt japin verdiktin se unë s’i përkas këtij vendi. Racizëm! Pikë!
Ne zhpenzojmë aq shumë kohë duke u përqëndruar tek ndryshimet tona, duke luftuar njëri-tjetrin, ndërsa ajo çka na duhet vërtetë është solidaritet kundër rrezikut që po na kanoset dhe që është supermacia e bardhë dhe neo-liberalizmi. Nuk mund t’ja lejojmë vetes që të mbetemi të strukur në komunitet tona kulturore dhe etnike. Nuk mund të vëmë në rrezik komunitetin tonë për faj të një komuniteti tjetër. Le të bashkohemi dhe t’i futemi punës!”
Alicia, si të erdhi kjo ide e çmendur për të ardhur në Shqipëri, si nisi e gjitha kjo dhe me çfarë po merresh konkretisht këtu?
Kur isha 16 vjeçe jam takuar me një familje shqiptare që jetonte në vendin tim. Ata ishin shpërngulur në Amerikë gjatë luftës në Kosovë. Kjo ka qenë hera e parë që kam dëgjuar për shqiptarët.
Pas kësaj, kam qenë gjithmonë e interesuar për kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Gjatë viteve të studimeve universitare aplikova për një program në Kosovë dhe që prej atëherë fillova të vija e shkoja shpesh, për arsye studimore por edhe për t’i njohur më mirë këto vende.
Na trego pak më shumë për karrierën tënde, ëndrrat dhe pasionet e tua, si dhe misioni yt në jetë…
Kam lindur nga një baba afro-amerikan dhe një nënë peurtorikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jam rritur si një katolike. Në moshën 17-vjeçare zgjodha të konvertohem në Islam pas një sërë kërkimesh dhe studimesh mbi fetë të një lënde në shkollë.
Kam përfunduar studimet universitare në Yale në degën Shkenca Politike dhe Antropologjia e Fesë. Fusha ime e kërkimit shkencor është e bazuar më së shumti mbi identetin islam tek muslimanët e Shqipërisë dhe Kosovës. Që prej shkollës së mesme kam qenë një aktiviste e flaktë. Më së tepërmi kam qenë e angazhuar me adokimin kundër racizmit, pabarazisë midis klasave shoqërore dhe islamofobisë. Aktualisht po mësoj gjuhën shqipe dhe së shpejti planifikoj të kthehem në Amerikë që të përfundoj studimet e mia Master në degën “Studime të Europës Lindore”. Më çfarëdo lloj gjëje që unë merrem mundohem që më së shumti t’i shërbejë kauzës time për të luftuar padrejtësitë në botë.
Çfarë përshtypje të ka lënë Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi deri tani? Çfarë vlerëson më së shumti tek ne dhe për çfarë të acarojnë më së shumti?
Shqipëria dhe Kosova janë dy vende fantastike për t’u vizituar, vende mbresëlënëse, ushqim i mirë dhe njerëz mikpritësa. Njerëzit duket se bëhen copash për të të ndihmuar edhe nëse nuk ka ndonjë interes, madje sapo të kanë njohur. Dhe kjo është një cilësi që e dallon nga popujt e tjerë dhe në ditët e sotme, në një botë si kjo e sotshmja është një gjë shumë e rrallë.
Keni një gjuhë shumë të bukur por tepër të vështirë për t’u mësuar. Mund t’ju duket paradoksale por ajo çka vlerësoj më së shumti është edhe ajo që më lëndon më së shumti tek shqiptarët: fakti se ndihem e përkëdhelur, kur thoni ju “në pllam të dorës” (shprehet në mënyrë dialektore) teksa marrin vesh se jam amerikane. Duket që ju shqiptarët, e sidomos kosovarët, keni një dashuri të veçantë për amerikanët. Mirëpo nga ana tjetër më dhemb ky lloj diskriminimi pozitiv sepse e kam parë se si shqiptarët i trajtojnë vendasit qoftë kur bëhet fjalë për njerëzit me ngjyrë apo gratë më shami. Gjatë hulumtimeve të mia në Kosovë, kam pasur një zyrën time në Universitetin e Prishtinës dhe e shihja se si përditë diskriminoheshin studentet me mbulesë islame, madje këtë gjë ua kam shprehur edhe titullarëve të mi: “Përse ju ma mundësoni mua një post të këtillë në një administratë shtetërore kurse studentet e juaja i trajtoni në të tillë mënyrë?”. Nëse do bëja një krahasim midis dy vendeve, dhe kërkoj ndjesë nëse kaloj në paragjykime, por kjo është thjesht një përshtypje personale, do thoja që në Shqipëri njërëzit janë më mendj hapur dhe më të gatshëm për të pranuar diversitetin. Në Shqipëri jam ndjerë më e qetë në këtë aspektin e pranimit në shoqëri. Më vjen mirë që të paktën këtu shikimet janë më tepër në formë kurioziteti se sa diskriminues. /tesheshi.com/