1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Albin Kurti: Drejt përfundimit të koalicionit me LDK, kryeministri do të jem unë

Më të lexuarat

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti deklaroi se bisedimet me LDK-në për formimin e qeverisë së re janë drejt finalizimit dhe se kryeministër i vendit do të jetë ai.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kurti foli për negociatat me LDK-në për ndarjen e qeverisë dhe pikat kryesore të programit të koalicionit.

Deklaratat kryesore të Kurti janë:

Për formimin e qeverisë:

“Bisedimet për harmonizimin e programit qeverisës i kemi filluar prej kohësh. Bisedimet për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv i kemi filluar vonë, pas certifikimit të rezultateve. Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për qeverinë. Unë jam optimist.

Nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e Vetëvendosjes, në bashkëqeverisje me LDK, me mua kryeministër.

Kemi diskutuar për ministrat, jemi dakorduar që t’i kemi dy zëvendëskryeministra, zëvendëskryeministri i parë nga LDK, zëvendëskryeministri i dytë nga Vetëvendosja. Jemi dakorduar që t’i kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave.

Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, por kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post.

Ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin.”

Për programin e koalicionit:

“Në mandatin tonë qeverisës ne do të përqëndrohemi në dy prioritete: në punësim dhe në drejtësi.

Ne duam një reformë të pesëfishtë, reformë në drejtësi, reformë në ekonomi, reformë në arsim, në shëndetësi dhe reformë në siguri.

Reforma në drejtësi dhe reforma në siguri do të bëhet nëpërmjet një procesi vettingu, sepse shoshitja duhet të ngjajë jo vetëm tek prokurorët dhe gjykatësit, por edhe tek pozicione të veçanta dhe në rangjet e larta të inteligjencës dhe policisë.

Duam që ta marrim sistemin ekonomik dual, edukativ siç është në Gjermani, por edhe në Zvicër dhe Austri, ku studentët dhe nxënësit kalojnë disa ditë në shkolla e fakultete dhe një ose dy ditë në ndërmarrje.

Duam që të kemi investime të huaja duke filluar me investimet nga diaspora, sepse vështirë të kemi investime të huaja kur nuk investon as diaspora jonë për shkak të korrupsionit në Kosovë. Dhe mbi të gjitha do ta ndalojmë korrupsionin në qeveri, dhe do ta luftojmë kudo në institucione dhe në shoqëri.

Me LDK po ashtu jemi dakord që ta zëvendësojmë tarifën 100 përqind me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.”

Për bisedimet me Serbinë:

“Principi i marrëveshjes së ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vajtimi i Serbisë për Kosovën e humbur, me ç’rast ajo duhet të ngushëllohet me një kompesim territorial, por duhet të vihet në spikamë jeta e qytetarëve, nevojat praktike, të drejtat njerëzore dhe vuajtjet që kemi pësuar pikërisht nga një shtet si Serbia, që nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit