Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe i Qendrës Kombëtare të Kancerit në SHBA në studimin e kryer ka arritur në përfundimin se duhani do të vrasë 2 milionë njerëz më shumë se sa tani deri në vitin 2030.
Duhanpirja dhe efektet anësore të shkaktuara prej saj i kanë kushtuar ekonomisë globale më shumë se një trilion dollarë në vit. Kostoja tejkalon ndjeshëm të ardhurat globale nga taksat e duhanit, që sipas OBSH-së kapën vlerat e 269 miliardë dollarëve në vitet 2013-2014.
“Raporti është i rëndësishëm në të paktën dy drejtime. Ai nxjerr në pah se kostot ekonomike të duhanpirjes janë më shumë se një trilion dollarë çdo vit, ndërsa viktimat që aktualisht janë 6 milionë do të rriten në 8 milionë në vitin 2030”, tha Jermiah Paul, përfaqësues i OBSH-së.
Raporti prej 688 faqesh thekson se kostot ekonomike pritet të rriten edhe më shumë, e pavarësisht faktit se qeveritë kanë mjetet për të reduktuar duhanpirjen dhe vdekjet e shkaktuara prej saj, nuk i kanë përdorur siç duhet ato.
Mes politikave të lira dhe efikase përfshihen rritja e taksave dhe çmimit të cigareve, ndalimi i kompanive të marketingut të duhanit dhe ilustrimi figurativ i dëmeve të shkaktuara nga duhanpirja.
Sipas studimit, rreth 80 për qind e duhanpirësve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta e të mesme, e pavarësisht rënies së numrit të shitjeve në disa vende, duhanpirësit në botë janë shtuar./dita