Nga një vend transit në rrugëtimin e drogave nga vendet e largëta aziatike në drejtim të vendeve evropiane si tregu më i madh, Kosova tanimë por bëhet vend destinacioni i drogave.
Kështu Kosova në aspektin e drogës po avancon shumë shpejt dhe numri i përdoruesve po rritet me trende alarmante. Sa është ai numër askush nuk e di saktësisht por flitet për shifra që sillen nga 10 mijë deri në 20 mijë përdorues që janë këtu, në mesin tonë, por që mund të mos e kemi ditur, shkruan “Zëri”.
Pra, përkundër faktit që Policia e Kosovës krenohet me operacionet e suksesshme në gjetjen dhe konfiskimin e drogës numri i narkomanëve në Kosovë vazhdon të rritet me ritme shqetësuese.
Ekspertë të sigurisë dhe organizata të ndryshme që merren me rehabilitimin e narkomanëve tregojnë për një rritje enorme të numrit të personave të varur nga droga në Kosovë dhe ç’është më keq, kryesisht të rinj.
Njohësi i kësaj fushe Nuredin Ibishi, mendon se Kosova kohëve të fundit është bërë vend destinacion i drogës përveç faktit që qysh moti është cilësuar si vend tranzit.
“Kosova është shpallë si vend tranzit i drogës, por fatkeqësisht një pjesë e asaj droge mbetet në Kosovë, pra, e ka destinacion Kosovën edhe pse në sasi më të vogla. Megjithatë, sido që të jetë sondazhet që janë bërë në Kosovë tregojnë për një rritje te jashtëzakonshme të numrit të përdoruesve të drogës kohëve të fundit”, tha ai. /Zëri/kohaislame