-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Alabama i tha “Jo” tribalizmit të Trumpit

Më të lexuarat

THOMAS FRIEDMAN

 

Shumë gjëra do të mund t’i thoja derisa shoh Doug Jones-in tek e mposhtë Roy Moore-in në garën për Senatin e Alabamas, por po e them vetëm një: “Falemnderit.”

Falemnderit shumicës së alabamasve që e deshën vendin tonë më shumë se që i urrenin demokratët. Falemnderit që votuat si qytetarë, jo si anëtarë të fisit. Falemnderit që e kuptuat se të përcaktohesh si përfaqësues të Alabamas një njeri të akuzuar për ngacmim fëmijësh nuk do të kishte denigruar vetëm shtetin tuaj, por do të denigronte gjithë trupin legjislativ. Falemnderit që patë mirësinë e Doug Jones-it, megjithëse ai është demokrat, dhe që e patë të keqen e Roy Moore-it.

Dhe falemnderit që i dërguat mesazh Donald Trumpit dhe Stephen Bannonit që ju nuk jeni aq budallenj sa mendojnë ata se jeni. Se ju mund të shihni në çka janë përlyer ata – që provojnë të përdorin tweet-e përçarëse dhe racizëm që t’i bëjnë amerikanët të harrojnë problemet reale, kandidatët aktualë, interesat kombëtare apo edhe interesat vetjake, thjesht duke e urryer “tjetrin”.

Zoti iu bekoftë të gjithë juve. Gjesti juaj ishte thellësisht patriotik.

Është shumë herët për ta thënë me siguri të plotë, natyrisht, nëse ky është një trend nacional, por kur shumica në një shtet republikan si Alabama – ku ndjesitë anti-abort janë aq të mëdha, duke e bërë thuaj të pamundur për një demokrat që të zgjedhej – duke hedhur poshtë përpjekjen e Trumpit dhe Bannonit për të na kthyer nga një shoqëri qytetare në shoqëri tribale, dhe duke ofruar shpresë për kombin tonë. Është një shenjë e mirë e shëndetit.

Flas prej përvojës, sepse dikur u pata bërë pjesë e kësaj humnere tribale. Në të 70-at, kur po e mbuloja luftën civile libaneze, një rrëfim u përhap në Beirut që thoshte se fallangat e krishtera libaneze kishin gjetur një mënyrë të re për të zbuluar palestinezët që përpiqeshin të kalonin në një prej pikave të kontrollit. Fallangat do t’iu shfaqnin vozitësve një domate, dhe do t’i pyesnin: Çka është kjo? Nëse vozitësi do të përdorte libanishten standarde, “banadurra,” do të lejohej që të kalonte. Nëse do të përdorte palestinishten, e të thoshte “bandora,” do të nxirrej jashtë veturës dhe do të qëllohej.

Kjo është politika tribale në thelbin e saj: Nuk ka rëndësi sesi e jetoni jetën, ose se çfarë aspironi për shoqërinë tuaj. Krejt çka ka rëndësi është identiteti juaj tribal apo sektarian, i zbuluar nga mënyra sesi e thuani fjalën domate.

Njerëzit e Lindjes së Mesme e kanë një thënje për këtë mënyrë të të menduarit: “Unë dhe vëllai im kundër kushëririt tonë. Unë, vëllai dhe kushëriri im kundër të huajit.”

Gara për senatin e Alabamës më kujtoi atë storje – jo pjesën ku qëllohet, natyrisht, por mënyrën sesi alabamasve u ishte thënë se kënd të linin të kujdesej për vendin tonë të çmuar, dikënd të cilin nuk do ta linin të kujdesej për fëmijët e tyre – vetëm sepse nuk vinte nga tribe-ja, fisi i tyre.

Ne jemi përplasur me këtë mendësi edhe në të kaluarën. Por në momentet e kaluara të ndarjeve tribale/kulturore, sistemi ynë ishte gjithnjë i aftë që të prodhonte liderë të aftë që të nxirrte engjëjt më të mirë që të na shtyenin drejt kryerjes së detyrave tona të ditës.

Por edhe me fitoren e Jones-it në Alabama brengosem që teknologjia – rrjetet sociale në veçanti – dhe ligjet arkaike dhe i ndalojnë lojtarët e rinj që të hyjnë në politikë punon kundër daljes së liderëve të tillë kombëtar. Brengosem që dëmi i pakthyeshëm iu është bërë normave tona dhe institucioneve nga ky koktell helmues i Trumpit, Twitteri dhe tribalizmi.

Nuk u befasova kur dëgjova ish-drejtorin ekzekutiv të Facebookut Chamath Palihapitiyja duke i thënë CNBC-së të martën që media sociale po e krijon një shoqëri që nuk di të dallojë “popullaritetin” nga “e vërteta.” Mjetet që kemi krijuar, shpjegon ai, “po fillojnë që të shkatërrojnë fabrikën sociale që e prodhon mënyrën sesi funksionon shoqëria.”

Është e kollajshme të harrojmë, se në këtë periudhë të Twitterit, se sa shumë një lider që mund t’i mbajë njerëzit bashkë mund të arrijë – madje edhe në kohë të vështira.

Mendoni për Abraham Lincolnin. Në mes të luftës sicile dhe në mes të tranzicionit tonë nga shoqëri agrare në shoqëri industriale, Lincolni dhe Kongresi aprovuan aktin e ngastrave të tokës më 1862, që e hapi Perëndimin për marrëveshje; aktet për Hekurudhën e Paqësorët të 1862 dhe 1864, të cilat e lidhën lindjen dhe perëndimin me pjesën tjetër të kombit, duke i vendosur bazat për një ekonomi të vërtetë kombëtare; Akti Morrill i 1862-s, që i themeloi kolegjet për të mësuar agrikulturën, shkencën dhe ingjinierinë, kualifikime të cilat i duheshin vendit për të hyrë në nivelin e radhës.

Ne po ecim në një periudhë të ngjashme të ndryshimeve radikale edhe sot. Ritmi i ndryshimeve klimatike po shpejtohet; bota po shkon nga e ndërkonektuara në të ndërvarurën; dhe makinat dhe softverët po i gëlltisin pnët e shkathtësive të mesme e të larta. Vendit i vyen një plan për investime në qytete të mëkëmbshme, në sisteme të të mësuarit për çdo punëtor etj. Dhe çka kemi në vend të kësaj? Një projektligj tepër tribal republikan për taksat i cili nuk e adreson asnjë prej këtyre problemeve.

Por ndoshta, veç ndoshta, shumica e ngushtë në Alabama i ka dërguar edhe Trumpit e edhe vendit një mesazh. Jemi të lodhur me cinizmin tuaj, jemi të lodhur me përpjekjet tuaja për të na kthyer në tribe, ne e duam një president që është bashkues dhe jo përçarës, sepse kemi shumë punë për të bërë si vend tash – dhe ajo mund të bëhet vetëm së bashku.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit