1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Akuzuesit dhe të Akuzuarit

Më të lexuarat

Nga Ibn Abasi (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur njerëzve t’iu jepej përmes pretendimeve që ngrenë, do të kishte të atillë që do të pretendonin pasurinë dhe gjakun e të tjerëve, por atij që akuzon i takon prova, ndërsa atij që e mohon, betimi.” [1]

Ky është një nga hadithet bazë në sheriatin islam, që përdoret në gjykata dhe në jetë. Ky hadith vendos themelet e asaj që njihet në legjislacionin e sotëm si Parimi i Prezumimit të Pafajësisë, që do të thotë se cilido që akuzohet për një vepër penale, prezumohet (pra merret për e mirëqenë) të jetë i pafajshëm, derisa të mos dëshmohet fajësia e tij.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se çdo njeri është i pafajshëm para gjykatës dhe në sytë e njerëzve për çdo akuzë që i bëhet, përderisa nuk sillen prova për atë, për të cilën akuzohet. Por sheriati islam për të rritur sigurinë e pafajësisë së dikujt që akuzohet, ka shtuar edhe elementin e betimit për të. Sigurisht që barra e provës dhe e fakteve që fajësojnë apo akuzojnë dikë për një veprim të caktuar i takon atij që akuzon, e nëse ai nuk ka prova dhe fakte mbështetëse, atëherë të akuzuarit i takon të betohet se akuza është e pavërtetë.

Natyrisht, është e mundur që akuzuesi të thotë të vërtetën dhe të mos ketë mundësi të japë prova, përveç dëshmisë së tij, por në këtë botë nuk mund të gjykohet pa prova dhe fakte, përndryshe, pasuria, nderi dhe jeta e njerëzve do të cenohej shumë lehtë. Ndërkohë, e vërteta e plotë dhe e padyshimtë do të dalë në gjyqin e madh para Zotit, dhe pikërisht për këtë arsye, Islami ka futur elementin e betimit në Zot për atë që akuzohet, duke e vënë para përgjegjësisë së ndërgjegjes së tij në këtë botë dhe Allahut në botën tjetër, që ai të mos gënjejë.

Në jetë përballemi shpesh me akuza, për të cilat jo vetëm nuk ka prova, por janë thjesht hamendësime apo përshtypje të njerëzve të ndryshëm, nganjëherë opozitarë apo kundërshtarë ndaj teje. Natyrisht, ka akuza që edhe nëse do të ishin të vërteta nuk përbëjnë vepër penale, por që dëmtojnë imazhin publik dhe nderin e dikujt që akuzohet. Kështu që atij që akuzohet, i lind e drejta të sfidojë akuzuesit që të sjellin prova, dhe nëse ata nuk e bëjnë, atij i lind e drejta t’i mohojë ato, duke u betuar në emër të Zotit.

Kështu që nisur nga kjo që përmendëm më lart, i sfidojmë të gjithë ata që na akuzojnë, me vetëdije, nga budallallëku i tyre ose jo, që të sjellin prova dhe fakte, se reagimet parimore dhe të drejta që bëjmë karshi gylenistëve vjedhës të përfaqësimit të muslimanëve në KMSH, motivohen ose nxiten nga shtete apo qarqe të caktuara përmes parasë apo përfitimeve të tjera. Duke qenë se prova të tilla nuk ekzistojnë, sepse nuk ka, ne nuk na ngelet vetëm se të betohemi në Allahun, se as na ka nxitur kush dhe as na ka paguar askush, për të goditur të keqen që ka përfshirë institucionin e KMSH-së. Madje mund të shtoj se e sfidoj cilindo që na akuzon, që edhe pse nuk ka prova, është plotësisht i bindur se paguhemi nga x apo y për të bërë këtë që bëjmë, atëherë të përballemi me mubahala. Bujrum kushdo që të jetë!

Nëse askush nuk guxon të dalë, atëherë mbylleni gojën, sepse nëse vazhdoni, jeni gënjeshtarë.

Hoxhë Justinian Topulli

[1] Transmeton Buhariu 4552, Muslimi 1711, Bejhekiu 21733, etj. Fjalia “por atij që akuzon i takon prova” gjendet vetëm në transmetimin e Bejhekiut, por është vlerësuar si e besueshme nga dijetarët e hadithit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit