Që nga dje kryeministri Hashim Thaçi, e ka në krah një zëvendëskryeministër të akuzuar për krime të shumta.
Kundër Bujar Bukoshit, i cili është i ngarkuar për çështje sociale në Qeveri, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për vepra të rënda penale që lidhen me punën e tij disamujore në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan koha.
Prokurorja angleze Maria Bamieh ka finalizuar hetimet dje, duke ngritur aktakuzë kundër Bukoshit, Ilir Tolajt, Arbetina Pajazitit, Nexhat Shabanit, Ismet Hysenit, Hajrullah Fejzës, Zenel Kuçit, Bekim Fushës, Alban Thaçit, Basri Asllanit dhe Imer Ajetit për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore për Nexhat Shabanin dhe Ilir Tolajn, kërkim ryshfeti-përpjekje për të marrë ryshfet, evazioni fiskal dhe pengim i provave.
Ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i cili ka thënë se një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër njëmbëdhjetë të dyshuar në një rast korrupsioni të lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë. /koha/kohaislame