10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Akuzat ndaj Tahirit, nisin verifikimet

Më të lexuarat

Prokuroria e Përgjithshme po shqyrton denoncimet publike të PD-së dhe intervistën e Dritan Zaganit

Prokuroria nis verifikimet për akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Një grup hetimor nga akuza qendrore po mbledh informacione rreth vërtetësive të deklaratave të PD-së në drejtim të ministrit, ndërsa më pas mund të vijojë me dëshmitarë. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Gazeta Shqip pyeti dje zyrtarisht për këtë çështje këshilltarin për mediat në prokurori, Albi Serani, i cili tha se “nuk kam asnjë koment”. Nga ana tjetër, burime të tjera pohojnë se prej ditësh, disa hetues po mbledhin deklaratat e PD-së, ku Tahiri është vënë në qendër të akuzave për lidhje me krimin.

Procedimi penal

Burimet nga akuza qendrore pohojnë se verifikimi i akuzave është një proces normal që ndodh në këtë sistem, ndërsa ftohet cilido që ka fakte ndaj zyrtarëve të lartë të bëjë kallëzim apo të ofrojë prova. Denoncimet mediatike nga foltoret e selive, akuza thotë se duhet të zëvendësohen me dëshmi në prokurori. Sipas burimeve konfidenciale, verifikime do të ketë për dhjetëra akuza që ka lëshuar PD-ja në drejtim të Tahirit, kryesisht për lidhje me trafikun e drogës, apo me disa persona me precedentë të mëparshëm kriminalë. Akuzat e opozitës u intensifikuan në momentin e publikimit të një interviste të ish-shefit të antidrogës në Fier dhe Vlorë, i cili përmendi edhe emrin e ministrit Tahiri si të lidhur me disa persona në qytetin bregdetar. Madje, intervista u transmetua nga selia e PD-së, teksa burimet nga akuza shtojnë se edhe kjo intervistë do të jetë në fokusin e hetuesve. Duket se vjeshta do të ketë ndryshime në prokurori, me çështje të reja, apo edhe me vetë kreun e këtij organi, Adriatik Llalla, pasi nëse miratohet ligji i ri, që po diskutohet, atëherë kryeprokurorit i ndërpritet mandati. Duket se Llalla po mbledh fakte ndaj eksponentëve të të dyja krahëve të politikës, për t’i përdorur gjatë një lufte të pritshme. Kujtojmë se kryeprokurorët e fundit ose janë shkarkuar, ose iu është ndërprerë mandati. Arben Rakipi, Theodhori Sollaku e Ina Rama kanë “luftuar” me mazhorancat qeverisëse, megjithëse në të gjitha rastet, kanë lënë postet. Tashmë, “beteja” e radhës pritet të jetë e Llallës, i cili më parë duhet të mbajë disa “premtime”, se në vjeshtë pritet të ketë arrestime të zyrtarëve të rangjeve më të larta. Megjithatë, burimet nga akuza pohojnë se ende nuk ka një procedim të mirëfilltë për akuzat ndaj Tahirit.

Kërkesa për hetime

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka kërkuar më parë hetimin e të gjitha pretendimeve të opozitës, apo të individëve që kanë prova se emri i tij është i lidhur me botën e krimit. Ministri ka shkuar personalisht në zyrën e Kryeprokurorit Llalla pak javë më parë, duke i kërkuar që të niste një hetim. “Pas akuzave të opozitës ndaj meje, si asnjë tjetër në qeveritë e kaluara, kam shkuar në Prokurori dhe i kam thënë Kryeprokurorit se jam në dispozicion të tij dhe le të më hetojë për gjithçka. Diçka që nuk e kanë bërë të tjerët”, – ka thënë Tahiri, gjatë intervistës për Top Story. Ndërsa për makinën Audi A8, me targa AA 003 GB dhe pronësinë e saj, që sipas dëshmisë së dhënë nga ish-funksionari i lartë i Policisë në Fier është përdorur nga persona të dyshimtë si trafikantë droge në Vlorë, kushërinj me ministrin, Saimir Tahiri ka theksuar se me deklaratat e tij qesharak. “Do të isha i lumtur që edhe Zagani të vinte këtu, të kishte guximin të vinte dhe ta ndiqte këtë çështje ndaj meje në Prokurori, përveçse të mbyllte çështjet e tij me drejtësinë”, deklaroi ministri Tahiri, që paralajmëroi nisjen e këtyre verifikimeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit