-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Aktiviteti fizik ju bën më inteligjentë

Më të lexuarat

Sipas shkencëtarëve, inteligjenca juaj mund të rritet nëse shkoni në palestër. Gazeta Shqip na sjell detaje rreth kësaj teme.

Vajtja në palestër është me siguri një nga aktivitetet më të mira për të mbajtur në formë dhe për të përmirësuar fizikun tuaj. Janë të shumtë ata njerëz që pas një dite të gjatë në punë, preferojnë që të kalojnë ndonjë orë në palestër për t’u çliruar pak nga stresi i jetës së përditshme dhe për të bërë pak lëvizje.

Po kështu, nëse keni një punë sedentare, si për shembull në një zyrë, palestra është vendi ideal për të lëvizur pak pas një dite të gjatë të kaluar përballë një tryeze dhe kompjuteri. Sigurisht se nuk është aspak e lehtë që të bësh aktivitet sportiv pas një dite të lodhshme pune, por kur bëhet fjalë për trupin dhe shëndetin, një sforco e vogël duhet bërë.

Për këtë arsye, edhe pse dëshira nuk është e madhe, është e nevojshme që të sforcoheni pak dhe të mendoni për të gjitha të mirat që ju sjell palestra për fizikun. Nëse kjo arsye nuk ju mjafton për të lëvizur nga divani, pasi të viheni në dijeni të zbulimit më të fundit shkencor që do t’ju prezantojmë në këtë artikull, me siguri do të motivoheni më shumë për të shkuar në palestër.

Një grup studiuesish ka arritur në përfundimin se vajtja në palestër mund ta bëjë një person më inteligjent. Është pikërisht kështu. Sipas kreut të grupit të shkencëtarëve në fjalë, palestra mund të jetë një bekim i vërtetë për trurin tonë.

Ashtu siç konfirmohet në faqen zyrtare të rrjetit të mirënjohur britanik, BBC, ushtrimet fizike janë një nga metodat më të mira për të zhvilluar inteligjencën dhe për të ngadalësuar procesin e plakjes së trurit tonë.

Një grup studiuesish gjermanë kanë thënë, ndër të tjera, se personat e moshuar që bëjnë çdo ditë ushtrime të lehta fizike apo merren me kopshtarinë, kanë më pak mundësi (rreth gjysma e tyre) që të vuajnë nga deficiti konjunktiv (njohës) në krahasim me ata që kanë një stil jete komplet sedentare.

Ndërkaq, një studim tjetër ka vërejtur se të moshuarit, që të paktën dy herë në javë bëjnë një shëtitje, arrijnë që të kenë një nivel përqendrimi më të lartë dhe një kujtesë më të fortë sesa ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Por kjo gjë nuk është vërejtur vetëm te personat e moshuar, por është parë se e njëjta gjë ndodh edhe me të rinjtë. Studiuesit kanë deklaruar se fëmijët që shkojnë në shkollë në këmbë, arrijnë që të përqendrohen më mirë sesa moshatarët e tyre që shkojnë me autobusë ose me makina.

Dhe pyetja lind natyrshëm: Si ka mundësi që ushtrimet fizike mund t’i bëjnë mirë inteligjencës sonë? Duket se arsyeja kryesore qëndron te fakti se, kur një individ bën ushtrime fizike, gjaku i tij lëviz më shpejt dhe në këtë mënyrë në trurin e tij shkon më shumë oksigjen.

Në këtë mënyrë, truri ka më shumë energji për të menduar. Ndër të tjera, ka shumë mundësi që në këtë mënyrë të stimulohet rritja e neuroneve dhe përhapja e disa neurotransmetuesve shumë të rëndësishëm për mirëqenien e trurit tonë.

Shkencëtarët po vazhdojnë të studiojnë më tej, për të kuptuar në mënyrë më precize dhe të thellë. Truri ynë është vërtet misterioz dhe ka aftësi të pabesueshme që nuk na lënë asnjëherë pa na habitur. Nëse u tërhoqët nga argumentet e mësipërme, mos i humbisni as pesë kuriozitetet e mëposhtme rreth tij:

5. Truri i një të sapolinduri rritet tri herë më shumë në vitin e parë të jetës së tij dhe ndalon së rrituri rreth moshës 18 vjeç.

4. 75% e trurit është i përbërë nga uji dhe 12% nga yndyra!

3. Truri ynë është më aktiv kur flemë sesa kur jemi zgjuar!

2. Informacionet mund të “udhëtojnë” në tru me një shpejtësi prej plot 430 km/h!

1. Aromat dhe erërat e ndryshme janë kujtesa që fiksohen më shumë në tru!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit