8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Aksident në punë apo sëmundje profesionale, harta e statusit juridik të Covid-19 në Europë

Më të lexuarat

Të gjithë vendet europiane ju lejojnë ta lidhni sëmundjen e Covid-19 me një aktivitet në punë – shkruan një raport i agjencisë europiane të statistikave Eurostat, por format konkrete se si ndodh kjo, ndryshojnë nga vendi në vend.

Në Itali, Slloveni dhe Spanjë, Covid-19 mund të konsiderohet një aksident në punë, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve të tjera (17 – në mesin e të cilave Franca, Portugalia dhe Holanda), ai mund të njihet si një sëmundje me origjinë profesionale. Në pesë vende të tjera – në mesin e të cilave Gjermania, Danimarka dhe Austria, njohja e sëmundjes për një arsye ose tjetër, varet nga disa kritere kombëtare. Vetëm në Greqi dhe Irlandë, Covid-19 mund të lidhet me punën, por nuk specifikohet nëse bëhet fjalë për një aksident apo një sëmundje profesionale.

Raporti sjell ndër mend se kriza shëndetësore nxori në pah rreziqet profesionale që lidhen me Covid-19, me pasoja të mundshme për sigurimin kundër aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale. Për këtë arsye, në nëntor 2020, Eurostat bëri një sondazh për të studiuar se çfarë lidhje kanë përcaktuar vendet midis sëmundjeve dhe rreziqeve në vendin e punës. Studimi përfshin 27 vendet anëtare të BE, si dhe Norvegjinë dhe Zvicrën.

Një shembull se si njihet kjo sipas ligjit italian ka të bëjë me punonjësit e shëndetësisë, të cilët sipas asaj që u raportua në Eurostat nga autoritetet që iu përgjigjën hetimit të tij “i nënshtrohen një rreziku të konsiderueshëm që të infektohen me COVID-19 dhe rrjedhimisht mbrohen nga sigurimi kundër aksidenteve në punë INAIL (Istituto Nazionale Per L’assicurazione Contro Gli Infortuni Sul Lavoro – Instituti kombëtar për sigurimin kundër aksidenteve në punë) , pasi supozohet se dikush është i sëmurë në punë”.

INAIL e shtriu këtë supozim edhe në kategoritë e tjera të punonjësve në kontakt të vazhdueshëm me publikun, si ata që punojnë në kasë, pastruesit, punonjësit e bankave, pastruesit, operatorët e ambulancës, transportit etj.

Në rastin e punonjësve të shëndetësisë apo profesioneve të tjera me rrezik të lartë, INAIL kryen një hetim për të përcaktuar nëse shkaqet e infektimit lidheshin me punën apo faktorë të tjerë. Hetimi përfshin gjithashtu çdo infeksion që mund të merrni gjatë rrugës për ose nga puna, por vetëm pasi të jenë konstatuar mjetet e transportit, rruga dhe shpeshtësia e udhëtimit. Edhe në Spanjë, njohja e sëmundjes si aksident në punë kërkon të vërtetojë një lidhje mes saj dhe infeksionit, në mënyrë të ngjashme siç ndodh në Itali. Ndërsa në Slloveni është i mjaftueshëm një tampon për të vërtetuar infeksionin gjatë punës.

Por ka edhe vende si në Francë ku flitet për sëmundje profesionale, lidhja me Covid-19 është automatike kur bëhet fjalë për personelin shëndetësor. Në raste të tjera ngrihet një grup pune që analizon situatën rast pas rasti. Në Holandë, njohja si sëmundje profesionale është më e thjeshtë dhe mbështetet në gërshetimin e një tamponi pozitiv dhe simptomave që lidhen me sëmundjen nga ana e subjektit.

Në Gjermani, siç e thamë, ka dy alternativa. Bëhet fjalë për një aksident në punë, nëse infeksioni u shkaktua për shkak të një numri të lartë kontakti profesional me një person i cili dihet se është pozitiv, si për kohëzgjatje edhe për intensitet. Nëse nuk identifikohet një rast specifik, është gjithsesi e mundur që të njihet si aksident në punë, nëse mund të vërtetohet se subjekti ka punuar në një vend ku ishin të pranishëm një numër i madh personash të infektuar me këtë virus.

Në Danimarkë, qasja mbështetet në mënyrë pragmatike në ekspozim dhe për të folur për një aksident në punë, i sëmuri duhet të ketë një diagnozë Covid-19 (shpesh e konfirmuar me test) si dhe duhet të jetë i ekspozuar ndaj virusit në punë për të paktën pesë ditë. Nëse ekspozimi ka një kohëzgjatje më të madhe, ai do të referohet si një sëmundje profesionale.

/ Il Sole 24 Ore

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit