8.4 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

AKR: Kusari – Lila, takon ramocasit e kërcënuar

Më të lexuarat

Zyra për Informim e Aleancës Kosova e Re, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, persona të caktuar kanë kërcënuar një qytetar të fshatit Ramoc, pasi në shtëpinë e tij ishte paraparë që Mimoza Kusari – Lila, të mbajë një takim elekroral. Përkundër kërcënimeve, AKR njofton se Kusari – Lila, është pritur nga ramocasit.

“Edhe pse me presione dhe kërcënime, banorët e fshatit Ramoc kanë pritur sot për vizitë kandidaten për kryetare të Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila”, thuhet në komunikatën për media lshuar nga AKR.

Sipas zyrtarëve të kësaj partie, e cila me Mimoza Kusari-Lila garon në balotazh në Gjakovë kundër Pal Lekajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, persona të ndryshëm kanë kërcënuar pronarin e shtëpisë ku ishte paraparë të mbahej tubimi me banorët e këtij fshati.

“Mirëpo ky tentim nuk e ka penguar vizitën dhe komunikimin me banorë”, thuhet në njoftim.

Kusari – Lila, gjatë këtij takimi me qytetarët e Ramocit, ka thënë se mesazhi i saj është që të ndjehen të lirë, të komunikojnë për çdo problem dhe çdo çështje me rëndësi, në çfarëdo kohe, pavarësisht nëse e merr apo jo besimin e votës së tyre.

Ajo ka kritikuar qeverisjen aktuale për mospërfundim të rrugës Ramoc-Korenicë, duke thënë se komuna e Gjakovës ka muaj që ka tenderuar projektin për ndërtimin e rrugës, por projekti as që ka filluar.

“Andaj jam këtu sot për t’ju siguruar se me, ose pa votën tuaj, kjo zonë do të jetë në fokus të qeverisjes sime me theks të veçantë në projektet bujqësore. Investimet në qeverisjen time nuk do kenë as njëherë ndërlidhje me përkatësinë politike. Kjo rrugë e vështirë që bëra për të arritur deri tek ju, na mëson të gjithëve se kemi shumë çështje emergjente për të zgjidhur dhe demanton deklarimet e kryetarit në largim, se infrastruktura në Komunën e Gjakovës është e rregulluar”, ka thënë Kusari – Lila.

Banorët e fshatit Ramoc deklaruan se kjo është vizita e parë që një figurë e lartë politike i bën Ramocit si dhe shprehën keqardhjen për sjelljet e disa personave të cilët kërcënuan dhe penguan mbajtjen e tubimit me kandidaten Kusari Lila. /Tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit