“Bashkë me skandalin që ka ndodhur sot në Frankfurt kemi parë edhe njëherë se si disa vende të Evropës janë bërë anë në referendumin që do të zhvillohet në Turqi”
ANKARA (AA) – Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, ka thënë sot përmes një deklarate se dënojnë ashpër lejimin e organizimit të një marshimi në Gjermani nga ana e përkrahësve të organizatës terroriste PKK për referendumin që do të zhvillohet në Turqi më 16 prill, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai ka theksuar se ata të cilët pengojnë takimin e deputetëve dhe ministrave të Turqisë me qytetarët turq që jetojnë në Gjermani për arsye të paqena, mbyllin sytë dhe lejojnë organizmin e një marshimi nga mbështetësit e një organizate të cilën vetë ata e kanë shpallur si terroriste dhe me simbolet e tyre në dorë.
“I ftojmë për një seriozitet më të lartë ata të cilët mundohen të shpjegojnë këto tubime nën ombrellën e të drejtës së tubimit. Të pretendosh që takimet e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli me qytetarët turq që jetojnë atje janë të rrezikshme dhe të sillesh ndaj aktorëve terroristë sikur të ishin legjitimë, nuk ka asnjë lloj shpjegimi. Ato që kanë ndodhur janë një mbështetje e hapur ndaj terrorizmit.
Realisht bashkë me skandalin që ka ndodhur sot në Frankfurt kemi parë edhe njëherë se si disa vende të Evropës janë bërë anë në referendumin që do të zhvillohet në Turqi më 16 prill dhe janë duke punuar për fushatën ‘jo’. Dua të theksoj edhe njëherë që vendimin më 16 prill nuk do ta japë Evropa, por populli i Turqisë”, ka thënë në vijim zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın.