Familje nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që marrin ndihmë ekonomike, ishin këtë radhë pasagjerët e linjës ajrore shqiptare “Air Albania”, e cila fluturoi drejt Stambollit, ku shijuan bukuritë dhe u njohën me historinë e këtij qyteti.
Në këtë udhëtim bashkë me ta ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i tyre i vogël Zaho.
Në bordin e “Air Albania”, që u drejtua drejt Stambollit, kishte dhe shumë fëmijë, të cilët ishin të emocionuar nga udhëtimi i tyre i parë me këtë avion.
“Jam në klasën e tetë në Librazhd, është eksperiencë e bukur, është hera e parë që udhëtoj”, shprehet një vajzë.
Ndërsa një qytetar tjetër thotë se “trajtohemi me ndihmë ekonomike, është hera e parë që udhëtojmë dhe jemi shumë të kënaqur”.
Një qytetare nga Tirana thekson se “kishim qejf të udhëtonim njëherë dhe na u plotësua dëshira”.
Për një tjetër qytetare, ky udhëtim ishte i nevojshëm. “Nuk na i ka bërë askush këtë gjë”, thotë ajo.
Kryeministri Edi Rama i shoqëroi gjatë gjithë udhëtimit në Stamboll, këto familje ku bisedoi me ta, duke fiksuar në aparatet fotografike, momente nga ky udhëtim.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë udhëtim krejt të pazakonshëm në krahët e “AIR ALBANIA” që me siguri do t’ju pëlqejë edhe juve për kaq sa do shihni, ju uroj një të diel super”, shprehet Rama.
Në guidën e përgatitur enkas përfshihej edhe vizita në sheshin Sulltan Ahmet, ku ndodhen disa nga monumentet e trashëgimisë botërore dhe një udhëtim me anije në Bosfor.
Ky ishte një udhëtim simbolikë në kuadër të testimit dhe promovimit të linjës së parë ajrore Tiranë-Stamboll. Pas kësaj linje synohet që fluturimet e radhës të jenë drejt Romës, Milanos, Bolonjës dhe Londrës.