Sa pak dimë. Sa pak e njohim Atë që më së shumti e duam. Në çdo të menduar, mbetem e heshtur; jo vetëm goja, më mbetet e heshtur mendja. Para gjithë asaj madhështie, si të mos mbetet!
Por, sa pak mendojmë për Të. Për të qenët e Tij, për faktin se Ai Është! Pavarësisht çdo gjëje e gjithçkaje tjetër, Ai Është! Kjo mjafton për të na lënë të nemitur përjetë. E përmendim në çdo çast, i lutemi, i falemi, flasim për Të sikur të ishte veç edhe një qenie tjetër mes nesh, ua përkujtojmë të tjerëve, flasim për mëshirën e Tij, i paralajmërojmë njerëzit për fuqinë e Tij, megjithatë, sa pak e njohim. Të zhytur në idetë kallëpe e formulat e gatshme që na mësohen, sa pak e kërkojmë. Sa pak e dimë. Ai nuk është veç një qenie super e fuqishme që të ka bërë, do të të zhbëjë, të të ribëjë dhe mund të bëjë gjithçka me ty, e ti të bësh ç’thotë për të ikur si mi nga hidhërimi i Tij. Ai është Dashuria. Që të ka bërë ta duash. Të ka bërë ta njohësh dhe “të më adhurojnë” – e kur ta njohësh nuk mund të mos e duash, dhe as adhurim nuk ka pa dashuri! Dashuria është udha më e sigurt për te Ai.
Sa pak, vërtet, e mendojmë. Pavarësisht se i dimë përmendësh fjalët e Tij, i dimë emrat e bukur të Tij, sa pak e njohim. Ai është gjithçka që është! Përveç Tij, asgjë nuk ka. Ai është e tërë ekzistenca, e tërë e bukura, e tërë jeta! Çdo bukuri vjen nga Ai, e tërë mahnitja! Ai nuk është si asgjë dhe asgjë nuk i ngjan Atij!
Ne sa pak e ndiejmë. I flasim. Kërkojmë! I përulemi, presim favore nga Ai. I flasim sikur t’i flitnim veç edhe një qenie tjetër jashtë nesh, një qenieje shumë më superiore, më të fuqishme, të aftë për të na bekuar me gjithçka që na pikturon mendja e zemra. Harrojmë se Ai duhet të jetë brenda nesh, në esencën e dashurisë në ne, duhet të jetë qendra e gjithë dashurisë që kemi përbrenda. Duhet ta kërkojmë duke mbyllur sytë, duke u lidhur me dashurinë brenda nesh, dhe aty është Ai. Më afër se vetja jonë. Më afër se damarët e qafës. Ai është aty.
Ai është dashuria e gjithësisë. Çdo thërmijë ekzistence e vetëdijeje merr frymë me dashurinë e Tij. Çdo gjë është, pse Ai Është. Dhe të gjithë, veç për ta dashur atë janë! Këtë kur ta kuptojmë, do të kuptojmë të gjitha të fshehtat e gjithësisë. Nuk do ta shohim më veten të larg Tij, as larg ziliona krijesave tjera në gjithësi. Do ta kuptojmë se jemi një entitet i veçantë në vallen e madhërimit që gjithësia bën për Të.
Kur të mendojmë për atë çfarë Ai Është, në vend të çfarë mund të bëjë për ne, kur në vend të asaj që ne jemi, të mendojmë për atë se Ai Është – atëherë do të hapen mendja, zemra e shpirti – do të hapen pakthyeshëm! Do të hapet para tyre gjithësia me çfarë ka. Do ta kuptojmë që ne jemi grimca gjigante e të mrekullueshme dashurie, për Krijuesin e Dashurisë!
Duhet ta kërkojmë duke mbyllur sytë, duke u lidhur me dashurinë brenda nesh, dhe aty është Ai. Më afër se vetja jonë. Më afër se damarët e qafës. Ai është aty.
Shqipe Palloshi