1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ahmet Bushati, mësuesi i parë që çeli mejtepin në Dërgut

Më të lexuarat

Është bërë zakon nëpër çdo rastisje shkollore që mësuesit e parë të quhen jo pa krenari ”komisarë të dritës”. Ky epitet tashmë ka fituar të drejtën e qytetarisë si reminishencë e së kaluarës diktatoriale. Por ka një “nonsens” të madh në këtë togfjalësh të kushtuar mësuesëve tanë. Pra kujtojmë ata që i gjetën gadi këto shkroja dhe harrojmë ata që na i sollën këto shkonja përmes vuajtjesh e privimesh të skajshme. Pikërisht po harrojmë ata mësues dhe mësuese që qindra vjet më parë na i sollën dhe na i “bekuan” këta gërma të dashura shqipe. Askush nuk kujtohet për ato mësues që shkrojtën germat shqip në kohën e perandorisë osmane, at’here kur trekëndëshi i të varurit u qëndronte mbi kokë si mallkim i shekujve.

Në këtë shkrim nuk kam për qëllim ta hallakas lexuesin nga njëra degë në tjetrën, por të flas pak dhe saktë dhe me dokumenta të hulumtuara në Arkivin Qëndror të Shtetit për njërin prej të parëve të mi që la gjurmë në përhapjen e arsimit në Shkodër. Që në fëmijërinë e hershme mbaj mend se vëllai im i madh Qazimi më thoshte se: baba më merrte përdore dhe më çonte tek vorret e xhamisë së Dudasit dhe aty përpara ngrihej një varr së bashku me ca varre të tjerë, ku shkruhej “Molla Ahmet Bushati”. Këto katër o pesë varre ishin në sheshin përpara xhamisë për njerëzit më dinjitozë të lagjes. Babai më thoshte se ishte varri i gjyshit të tij. Pikërisht edhe unë po e nisi nga ky varr, që sot nuk ekziston më, bashkë me xhaminë, pasi stuhia e marrë “6 shkurt 1967” i rrafshoi të gjitha.

Ahmet Bushati, i parë sipas dokumentacionit që kemi arritur të mbledhim, u lind në Shkodër më 1833. Ishte fëmija dhe trashigimtari i vetëm i Hysen Bushatit. U lind në lagjen Dudas, në lagjen e Dasho Shkrelit që dha jetën në betejen e Shpuzës kundër malazezvet në vitin 1835, duke u shndërruar në hero për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Shkodra kishte akoma në kujtesë sundimin e Bushatlijëve dhe ruante respekt të madh per ta. Kishte pothuaj dy vjet që kishin rënë nga pushteti dhe kishte ikur në Stambollë veziri i fundit Bushatli, Mustafa Pasha Bushati me grua, fëmijë dhe kushërinjtë e afërt, duke lënë pas kompleksin e pallateve në Kosmaçë të cilat më pas do t’i merrte Drini si rrjedhojë e dëmtimit të shtratit nga termeti. (Kështu shkruan Nasuf Beg Dizdari, në revisten Albania të Konicës më 15 korrik 1898).

Sipas tregimeve të bashkëkohësve, Ahmeti figuron si nxënës mejtepi në lagjen Ndocej. Kjo shkollë fillore gjendej afër me shtëpinë tij. Në moshën tetë-vjeçare e frekuentoi së bashku me shokë të tjerë të lagjes për dy vite radhazi. Më pas, në biografinë e Ahmetit shënohet se që në vitin 1845, në moshë të njomë, kishte filluar të mësonte arabishten dhe të merrte mësime të ndryshme teologjie nga myderrizët e mirënjohur të Medresesë së Pazarit, institucion i themeluar nga Mehmet Pashë Plaku (Bushatliu). Kreu me sukses Medresenë e Pazarit. Nga dora e mësuesve të respektuar si Salih efendia i Madh, Molla Ahmet Hadri dhe Molla Sylo Fakja, si dhe të myderrizëve të huaj të shquar që ishin atashuar nëpër institucionet arsimore të Shkodrës, u përgatit nga një kontigjent klerikësh që më vonë u afirmuan dhe u bënë të famshëm, duke nderuar veten, institucionin dhe vendin: Jusuf Tabaku, M. Ahmet Kalaja, Hasan ef. Podgorica, Daut Efendi Boriçi etj.

Siç del pra nga dokumentat stërgjyshi im ka lindur dhe është rritur në lagjen Dudas, diku nga viti 1833, dhe shtëpia e tij ka qenë afër asaj të Vorfajve.

E quaj me vend të sqaroj diçka lidhur me emrin e lagjes, që deri më sot ka pasë një trajtim të gabuar. Le të merremi pak me etimologjinë e fjalës Dudas. Shumë studiues profesionistë dhe amator spekulantë të thekur e bijnë prejardhjen e kësaj fjale nga emri Dodë duke e zbutë zanoren në “u”. Shumë konformistë, për arsye nga më të ndryshmet duke ruajtur me fanatizëm dhe duke iu përshtatë konjukturave të kohës, nuk e kanë kundërshtuar këtë ide jo të saktë. Ndërsa për mendimin tim kjo fjalë rrjedh nga turqishtja ”dud”, që të thotë man, vend me mana shumë që do të thotë Dudas. Një fjalë e tillë është kuptimplote sespe në Dudas ka qenë pyll me mana që qytetarët i përdornin gjethet e tyre për të rritur krimat e mëndafshit. Në atë kohë, qyteti i Shkodrës prodhonte mëndafsh të një cilësie të dobtë.

Babai i tij, Hysen Bushati ka ardhur në këtë lagje të Shkodrës me gjithë familjen e tij rreth vjetëve 1794-95 duke u shpërngulur nga lagjja “Tabake” afër Kalasë Rozafa. Me rënien e Bushatlijvet, Hyseni mbeti i vetëm në këtë botë, tre vëllezërit e tjerë iu vranë në betejat e fundit të Mustafa Pashë Bushatliut, në betejat e Tarabulluzit, duke luftar për nderin e Bushatlijvet. Kjo lagje në ditët e sotme nuk ekziston më si e tillë. Ajo ishte e vendosur në fund të kështjellës Rozafat, në breg të djathtë të lumit Drinaz (Drin). Emri i kësaj lagjeje përpara pushtimit turk nuk dihet. Me ardhjen e osmanëve, lagjet përreth kalasë morën emrin e përsonave bamirës, të pozicionit gjeografik, apo të profesionit që ushtrohej më tepër nga banorët e asaj lagjeje. Konkretisht emri “Tabake” rrjedh nga fjala turke “regjje lëkurash”. Në këtë lagje merreshin kryesisht me regjje lëkurash, pasi ishte e pozicionuar në hyrje të qytetit dhe fshatarët e Nën-Shkodrës ndaloheshin aty për tregun e bagëtive. Kjo lagje kishte dy rrugë kryesore: njëra e lidhte me Urën e Bahcallëkut, ndërsa tjetra që nuk gjendet më ishte rruga tregtare që prapa xhamisë së Plumbit, kalonte nëpër urën e Kirit duke ndjekur drejtimin nga Vau i Dejës, Pukë, Prizren etj. Lagjja “Tabake” në periudhën e Bushatlijvet qe ndër lagjet më të përmenduna dhe të para të Shkodres. Që në vitin 1846 filloi devijimi i Drinit nga shtrati i vjetër duke formuar Drinazin e sotëm, së bashku me lumin Kir dhe gradualisht mbushi me zhavor Bunën.

Kjo ishte gjëndja e Shkodrës kur Ahmet Bushati femijë filloi të ndiqte mësimet në Medresenë e Pazarit. Kishte filluar të levrinte mësimi i gjuhës shqipe nëpër shkollat e qytetit. Por duhet të theksojmë shkurtimisht se fillimi i Rilindjes sonë Kombëtare solli përpjekje të reja e serioze edhe nga feudalët vendas për përdorimin e shqipes në administratë. Dokumentet flasin se : “Më 1830, në një mbledhje që organizoi Mustafa Pashë Bushati me parinë, kundër reformave, u ngrit zëri për një administratë të brëndshme shqiptare në gjuhën e vendit, kërkesë që do ta bëjë më vonë të sajën Rilindja Kombëtare”. Kemi një përpjekje të organizuar për mësimin e gjuhës shqipe, sidomos në korespondencën tregtare, gjë e cila nuk vonoi dhe u vu në jetë nga administrata e asaj kohe.

Sundimtaret Bushatllinjë nuk qenë njerëz të pashkolluar: me interesimin e tyre të drejtpërdrejtë u morën nisma kulturore-arsimore që, pavarësisht nga modelet e importuara, u shërbyen proceseve intelektuale dhe ndihmuan që të shpëndahej “smogu” i padijes dhe i amullisë mesjetare. Medresetë dhe bibliotekat që u hapen e funksionuan me kujdesin e vazhdueshëm të Mehmet Pashë Plakut, Karamahmutit e Mustafa Pashës, krahas pikësynimeve fetare, rrezatonin dituri e kulturë të përgjithshme. Vlen të theksojmë se nën sundimin e Bushatlijvet kontratat që hartonin tregtarët e Shkodrës ishin të shkruara në shqip. Nuk duhet harruar se në këshillat e dijetarëve të pallatit pranë vezirëve, të përbëra prej dijetarësh, teologësh, juristësh, etj. funksiononin edhe rrethet e poetëve, krijuesve, rapsodëve, duke shërbyer jo vetëm si konsulentë me prestigj ose si argëtues, por edhe për të zhvilluar biseda e debate në sferave të ndryshme të diturisë. Është e natyrshme të mendohet se e tërë kjo veprimtari bëhej në gjuhën amtare, ashtu si edhe në medresetë e në mejtepet, pavarësisht nga gjuha e teksteve. Pas vitit 1846, me një dekret të sullatanit, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. Duke qenë se për komunitetin mysliman lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët myslimanë të kohës u munduan që përmes këtij alfabeti të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, qoftë si mjet të ngushtimit të betejës kulturore, qoftë si armë që përballonte asimilimin nga të huajt dhe shkombëtarizimin.

Gjuha e ëmbel shqipe, ndonëse e palëvruar, megjithëse e rrethuar dhe e ndodhur nën ndikimin e gjuhëve të mëdha të përparuara që tentonin t’i merrnin frymën, si turqishtja, greqishtja, italishtja etj, e ruajti burimin e saj të lashtë amtar, e ruajti tharmin, i mbajti të gjalla lidhjet shoqërore në gjirin e popullsisë, si dhe i zhvilloi ato më tej duke e pasuruar kështu thesarin e madh të kulturës kombëtare. Me ndihmë të qytetarëve katolikë, por dhe me subvencione dhe shpërblime nga Austro-Hungaria, mbaheshin edhe tre shkolla femrore ku jepnin mësim tre mësuese shkodrane; Kushe Micja (1859), Tereza Berdica (1862) dhe Tina Nikë Gjergji (1869). Pra në kushtet kur gjuhës shqipe i ishin vënë thonjtë në fyt për ta bërë me dhënë shpirt, dolën tre zonja Shkodret dhe i dhanë frymë

Ahmet Bushati pasi punoi disa vjet si imam në xhamia të ndryshme të qytetit, me kërkesë të Daut Efendi Boriçit, i cili në ate kohë ishte kryeinspektor arsimit për Vilajetin e Shkodrës, drejtuar Valiut, emërohet mësues pranë mejtepit të xhamisë Ana-Liqenit (Mahalla e Re). Të bën përshtypje fakti se sa korrekte është përgjigjja e Valiut lidhur me procedurat burokratike shkresore që kalon Ahmet Efendi Bushati me emërimin e tij si mësues. Kjo tregon se ai ishte për kohën një personalitet, njeri i shkolluar, i ditur dhe me reputacion në lagje dhe gëzonte respektin e komunitetit. Por si gjithnjë ai ishte i pazëshëm për vehten e tij. Valiu ndër të tjera nënvizon në letrën dërguar Daut Boriçit: ”Meqë me shkresën e datës 15 shkurt 1871 na njoftoni se duke filluar nga data 27 shkurt e vitit 1871 si mësues i mejtepit të Ana-liqenit (Mahallës së Re), në vend të Abdullah Efendiut të larguar, është emëruar Ahmet Efendi Bushati, kundrejtë rrogës mujore të mësuesit, por deri më sot nuk është kryer ende veprimi i regjistrimit zyrtar të këtij urdhëri nga ana e Këshillit Drejtues të Vilajetit, prej sot urdhërohet kryerja e këtij veprimi, 23 shkurt 1871. Ismail Haki Vali dhe Komandant i Shkodrës. (Marrë nga Ditari i Daut Boriçit, fleta nr.70, që ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit).

Komuniteti musliman i qytetit të shkodrës kishte mejtepet si qëndra të shkollimit fillestar, ku mësim jepte vetëm një hoxhë që paguhej nga prindërit e nxënësve, me përjashtim të ndonjë mësuesi që paguhej nga shteti.
Këtu mësonin fëmijë të vegjël e të rinj deri në 13-14 vjeç. Këto mejtepe njiheshin me emrat e hoxhëve që jepnin mësim dhe ishin të vendosur në Pazarin e Vjetër, por edhe në qytet. Mejtepe të njohura në Pazar ishin: Mejtepi i Molla Ferhatit (1830), Mejtepi i Mulla Halil Boriçit, Mejtepi i Mulla Mustafës, Mejtepi i Mulla Kamberit, Mejtepi i Mulla Abdylit, Mejtepi i Mulla Abdullahit të Vogël, Mejtepi i Mulla Hysein Shazit, Mejtepi i Mulla Sylos dhe Mejtepi i Mulla Jakupit.
Mbasi kryenin mejtepin për një periudhë katër-pesë vjeçare, disa nga djemtë ndiqnin mësimin në medrèse, e disa bëheshin shegertë pranë ndonjë mjeshtri zanatçi apo tregtari. Kur qyteti nisi të përparojë me shkolla fillore të rregullta, mejtepet e Pazarit e humbën rëndësinë dhe që nga viti 1910 e më pas erdhën duke u mbyllur njëri pas tjetrit. Një varg mejtepesh të këtij lloji vepronin edhe brënda në qytet, ku më i përmenduri qoftë për nga disiplina, qoftë për nga frekuentimi, ishte ai i Molla Medos (1892) në qendër të qytetit. Ai grumbullonte afro 500 fëmijë, me moshë 6-14 vjeç. Që në çerekun e fundit të shek.XIX, në lagje të ndryshme të qytetit u hapën 11 mejtepe. Pra kësaj plejadë arsimdashësish të suksesshëm i përket edhe Molla Ahmed Efendi Bushati. Nuk është rastësi shkresa që i dërgon pas dy vjetësh Daut Boriçi, si drejtor arsimit i vilajetit të Shkodrës, Valiut të Shkodrës ku kërkohet që Ahmet Efendi Bushati të çelë për herë të parë mejtepin e lagjes Dërgut:

Ismail Haki, Vali dhe Komandant i Shkodrës.
Pas kërkesës së ardhur nga ana e banorëve të lagjes Dërgut, me anë të shkresës zyrtare u kam sqaruar se nuk ka para shtesë për fondin e arsimit dhe kjo situatë nuk përbën ndonjë detyrë të ngutshme, atëhere në lidhje me akordimin e parave të kërkuara (nga ana e popullit) si dhe në raste të tjera të ngjashme, por veçanërisht në lidhje më rrogën prej 195 groshësh së mësuesit të mejtepit që i jepet imamit të asaj lagjeje Ahmet Efendi Bushatit, nëse është e mundur, të mbulohet nga arka e bashkisë, dhe nga ana e drejtuesve të shtetit është dhënë leja e kërkuar në lidhje me këtë çështje dhe nga ana e zyrës së bashkisë me anë të shkresës zyrtare (bujrulldi) është urdhëruar të veprohet në përputhje me urdhërin e marrë, sipas së cilës rroga e caktuar është përfshirë në buxhetin e bashkisë duke filluar nga mars i vitit 1874, prandaj me anë të kësaj shkrese i përkujtojmë Këshillit Drejtues të Vilajetit se kemi për qëllim që ditën e enjtë në vijim të përurohet çelja e mejtepit në fjalë e cila është parashikuar që të ngrihet me ndihmën financiare të banorëve të lagjes, data 4 mars 1873.
(Marrë nga Ditari në osmanisht i Daut Boriçit, fq.121, që ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit).

Çelja për herë të parë e mejtepit në lagjen Dërgut nga ana e Ahmet Efendi Bushatit ishte një evendiment i rëndësishëm për tërë komunitetin. Kudo në lagje ishte festë e vërtetë. Atë ditë u mblodhën tërë banorët e lagjes më femijë e katandi dhe mes gëzimit të pa treguar inauguruan mejtepin e tyre. E të gjitha këto i bënte për hir të Zotit, duke sakrifikuar kohën e çmuar, pa marrë parasysh lodhjen e mundimet e jo rrallë, duke përballuar shpenzime shpeshherë edhe të rënda për kuletën e tij, dhe për të plotësuar dëshirat dhe nevojat e barorëve. Përkushtimi dhe devotshmëria e tij, e shoqëruar me vullnetin e përpjekjet e shumta e të parreshtura bënë që dituria e aftësitë në drejtimin e veprimtarive fetare në lagjen ku shërbente, në xhaminë e Dërgutit, të lidheshin fort, gjithnjë e më tepër me jetën e popullit, me preokupimet e hallet e tij. E këto halle të jetës shoqërore të përditshme, në raste të caktuara merrnin karakter të theksuar atdhetar e politik, prandaj Ahmet Efendija, edhe pse klerik i devotshëm, u bë një udhëheqës shpirtëror në shumë fusha të veprimtarisë shoqërore, kryesisht të jetës familjare që kishte të bënte edhe me edukaten atëdhetare të fëmijëve të lagjes Dërgut.

Në vitin 1857 ishte antarë aktiv i Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, degë e cila drejtohej nga Daut Efendi Boriçi. Ahmeti ishte pjesë e elitës kleriko-politiko-patriotike shkodrane, e cila që më datë 10 qershor 1878, ende pa u krijuar mirë Lidhja e Prizrenit, u pozicionuan drejtë dhe u prononcuan shumë shpejt në krahun e Lidhjes së Prizrenit. Në këtë datë u njoftua se Shkodra bashkohej me Lidhjen dhe se do të dërgonte delegatët e vet, të cilët u nisën me vonesë për shkak të situatës së vështirë krijuar në kufirin me Malin e Zi. Aktiviteti politik i Ahmet Efendi Bushati spikat kudo.

Pas disa viteve punë intensive Ahmeti transferohet si imam dhe mesues mejtepi pranë xhamisë së në lagjen Dudas ku punoi pa nderprerje gjer në fund të jetës. La pas vetëm një djalë, Alushin i cili u martua me Nurijen. Alushi la pas dy djem, Ahmetin (Metin) dhe Rizanë të cilët e mbushën shtëpinë me djem e vajza; Qazimin, Qamilin, Kabilin, Fatmirin, Fitnetin dhe Driten. Djali i madh,sipas adetit shkodran mori emrin e gjyshit.
Në Dudas ishim kojshi me familjen e nderuar të Alo Vorfës. Shtojmë se nipi i Ahmetit, që është babai i im ka marrë pjesë së bashku me të rinjtë e lagjes në Luftën e Koplikut më 1920, por këtë do ta paraqes më gjerë në historinë e familjes që jam duke shkruar.

Pas një karriere të suksesëshme që do ta kishte zili çdo mësues dhe çdo shërbyes fetar, në mesin e vitit 1911 Molla Ahmet Efendi Bushati mbylli sytë përgjithnjë dhe u nda nga kjo jetë. Funerali i tij u bë madheshtor,me një pjesmarrje të gjërë nga tërë Shkodra. U varros para xhamise së Dudasit së bashku me njerëzit e shquar të kësaj lagjeje. Varre të cilët diktatori do t’i prishte bashkë me xhaminë në vitin 1967 kur Shqiperia u vetshpall “shteti i vetëm ateist në botë”.

Dërgoi: Kabil Bushati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit