1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Agjërimi në hadithe

Më të lexuarat

Hadithi i parë: “Kush agjëron Ramazanin me besim…”

Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!] transmeton se i Dërguari i Allahut [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë:

Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari, i falen mëkatet e mëhershme!”

Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi [Allahu i mëshiroftë!]

Shprehjet e paqarta të hadithit:

– ‘Imanen’  – me besim: qëllimi me besim është bindja në obligimin e agjërimit të Ramazanit.

– ‘Ihtisaben’  – llogari: Ihtisabi është të kërkosh dhe shpresosh në shpërblimin e Allahut të Lartësuar.

Reflektimet e hadithit:

Thënia profetike: “Kush agjëron Ramazanin” është formë e përgjithshme, që përfshin të dy gjinitë, meshkujt dhe femrat.

Hafidh Ibni Haxheri në Fet’hu-l-Bari, ka thënë: “Qëllimi me ‘besim’ është bindja se agjërimi i Ramazanit është obligim. Ndërsa qëllimi me ‘llogari’ është kërkimi i shpërblimit prej Allahut të Lartësuar.” Hitabiu thotë: ‘Ihtisabi’ e ka kuptimin e vendosmërisë (ar. el-azimeh), e që nënkupton agjërimin duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe duke mos e perceptuar agjërimin si të rëndë apo duke mos i menduar ditët e tij si të pasosura.

Ka thënë Imam Neveviu: Domethënia e ‘besimit’ ka të bëjë me vërtetimin se ai (Ramazani) është i vërtetë dhe (se agjëruesi është) i bindur për (apo kërkon me maturi) vlerat e tij. Ndërsa ‘ihtisabi’ ka për qëllim se ai me këtë vepër synon vetëm kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe jo se do që ta shohin njerëzit, apo gjëra tjera të ngjashme që bien ndesh me sinqeritetin (ihlasin).

Thënia “…i falen mëkatet e mëhershme!” është përgjigje e kushtit, të përmendur paraprakisht: kush agjëron Ramazanin ashtu siç kërkohet, duke besuar në Allahun dhe në urdhrat e Tij, në këtë rast edhe agjërimin, si dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, atëherë ajo që shpresohet prej Allahut është falja e mëkateve të mëparshme.

Në një version të Imam Ahmedit, hadithit i është dhënë dhe një shtojcë: “i falen mëkatet e mëhershme dhe të mëvonshme”, por shtesa është e refuzuar, siç nënvizon Shejhu Shuajb Arnauti në komentet – shënimet që i bënë Musnedit të Imam Ahmedit.

Në hadith është përmendur se agjërimi fal mëkatet e mëhershme, por, për qëllim është falja e të gjitha mëkateve apo vetëm mëkateve të vogla? Dijetarët kanë sqaruar se falja vlen vetëm për mëkatet e vogla, ndryshe, për të mëdhatë duhet doemos pendim. Ibji Abud-l-Berr-rri në librin e tij ‘et-Temhid’ përcjell edhe konsensusin e dijetarëve muslimanë ndërsa argumenton me disa hadithe, një prej të cilëve edhe hadithi që është shënuar në dy Sahihët:

Pesë namazet ndërmjet tyre, xhumaja deri në xhuma dh Ramazani deri në Ramazan, i falin mëkatet ndërmjet tyre, me kusht që të jenë shmangur mëkatete e mëdha!”

Burimi: www.alssunnah.com

Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI

Ramazan, 1433 (Korrik, 2012)

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit