0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Agjërimi i fëmijëve midis provës dhe vazhdimësisë

Më të lexuarat

Ja Ramazani që valëvit krahët e tij në mesin tonë. Por, a i ke ofruar fëmijëve të ty qoftë edhe një pjesëz të vogël nga begatia e këtij muaji të madhëruar? Sa fëmijë të vegjël ke stërvitur për agjërim? Dhe sa prej tyre kanë agjëruar? Sa prej tyre ua ke mësuar veçoritë e këtij muaji për t’i nxitur ata, që të mësohen me detyrimet fetare, që kur të rriten kjo të jetë kthyer në një pjesë të jetës së tyre?! Bashkimi i familjes muslimane rreth tryezës nxit shumë fëmijë që të agjërojnë me dëshirën për ta provuar, ose me dëshirën për të imituar të mëdhenjtë, ose për të treguar se janë rritur tashmë.
Ky studim hedh dritë mbi përvojën e agjërimit nga fëmijët.
· Inkurajim dhe imitim
Në fillim kaluam disa çaste me disa nxënëse, duke diskutuar rreth shkaqeve që i nxitën ato për të provuar agjërimin. Lemisa, Sara, Abiri, Anudi dhe Meha janë disa nxënëse në klasën e pestë, që e kanë filluar agjërimin që në moshën 8 vjeçare, të nxitura nga familja e tyre. Mamatë e tyre përdorën mënyra të ndryshme për t’i joshur dhe për t’i inkurajuar, që të agjëronin dhe prova e tyre filloi me agjërimin e tri ditëve në javë, pastaj katër e kështu me radhë, derisa plotësuan një javë të tërë në fund të Muajit të Madhërueshëm. Vitin tjetër, ato e vazhduan agjërimin e tyre të gjithë javën, pa ndjerë lodhje apo ndonjë shqetësim.
Ndërsa Nura, Rimi, Hejfa dhe Selma, që mësojnë në klasën e katërt, na bënë me dije se ato e ndërmorën provën e agjërimit, me qëllim që të imitojnë të mëdhenjtë në familje. Ato e filluan agjërimin në klasën e dytë dhe fillimi i tyre u bë i përshkallëzuar. Ato filluan me agjërimin e një gjysmë dite dhe e përfunduan me një javë të vetme nga muaji i Ramazanit. Prova u përsërit sërish vitin tjetër dhe ato e vazhduan agjërimin gjatë gjithë muajit në vazhdimësi, pa ndjerë lodhje, edhe pse shkonin në shkollë çdo ditë dhe kryenin detyrat shkollore me regjim të plotë. Ato na siguruan se rezultatet e tyre ishin më të mira gjatë muajit të Ramazanit.
· Nënat luajnë një rol të rëndësishëm
Shpejtuam për të mësuar rreth pozitës së familjes dhe rolit të saj në agjërimin e fëmijëve. Kështu, u takuam me nënën e Zijadit, Muhamedit dhe Fehdit, të cilat më treguan për frikën e tyre në fillimet e provës së agjërimit të vajzave të tyre në një moshë të njomë, sidomos kur Ramazani vjen në sezonin shkollor, gjë e cila mund të ndikojë në të kuptuarin e mësimeve. Në fillim ato u përpoqën që t’i ndalonin vajzat e tyre që të agjëronin, por nuk arritën ta bënin një gjë tillë. Ato u tërhoqën para këmbënguljes së vajzave të tyre dhe ato e filluan provën e tyre, nën kontrollin e përditshëm të nënave të tyre. Kështu, ato arritën që të kalonin shqetësimin dhe lodhjen që buronte nga agjërimi, duke e plotësuar atë. Kjo rezultoi një përpjekje e suksesshme.
Ndryshe nga qëndrimi i nënave të mëparshme, pozicioni i nënës së Fejsalit, Sulltanit dhe Halidit ishte inkurajimi i vajzave të tyre me çdo formë dhe nxitja e tyre për të agjëruar dhe të mësuarit me të që në moshë të vogël. Ato pohuan faktin se kjo është një detyrë e të gjitha nënave muslimane, që kanë si objektiv rritjen e vajzave të tyre me parimet dhe vlerat islame që në vogëli, me qëllim që ato të kuptojnë se si t’i kryejnë detyrimet e tyre në mënyrën më të mirë. Ato na treguan se inkurajimi dhe kujdesi i tyre ishte më se i mjaftueshëm që vajzat e tyre të kalonin me sukses provën e agjërimit.
· Shëndeti i fëmijës agjërues
Disa nëna mund të ndihen të shqetësuara në lidhje me shëndetin e fëmijëve të tyre, të cilët këmbëngulin në vazhdimin e agjërimit. Por a ndikon agjërimi negativisht në shëndetin e fëmijës? A ka mundësi fëmija që ta përballojë agjërimin?
Mjeku Abdulla Ali Es-Sejid, specialist i fëmijëve në Spitalin Universitar të Mbretit Fehd, jep këtë përgjigje dhe thotë: “Fëmijët nën moshën 12 vjeçare nuk janë në gjendje që të përballojnë agjërimin ashtu si­ç e përballon një njeri i pjekur, por nëse struktura e tyre trupore është e fortë dhe formimi fizik ua jep këtë mundësi, atëherë ata mund të nxiten që të agjërojnë në mënyrë të përshkallëzuar, në mënyrë që të mos i drejtohen mashtrimit me justifikimin se mund ta vërtetojnë më së miri përballimin e agjërimit, duke e privuar vetveten nga të ngrënët dhe të pirët vetëm para njerëzve. Si rrjedhojë, nuk ka asnjë dëm nëse fëmija agjëron për aq kohë sa gëzon shëndet të plotë, por lind si detyrë e prindërve që t’i kontrollojnë vazhdimisht ata.” Mjeku bën me dije se agjërimi ul nivelin e sheqernave në trup dhe fëmija ka nevojë për më shumë sheqerna, sepse lëvizjet e tij janë më të shumta se një njeri i rritur. Kështu, agjërimi bën që fëmija të humbë më shumë sheqerna, duke shkaktuar ndjesinë e lodhjes dhe këputjes.
Vihet re edhe diçka tjetër. Fëmija nuk arrin t’i konceptojë të gjitha urtësitë që lidhen me agjërimin, siç është përllogaritja e kohës së agjërimit dhe marrja e ushqimeve të nevojshme për trupin. Njeriu i pjekur ushqehet me gjithçka ka nevojë trupi, ndërsa fëmija ha më pak seç i nevojitet, mungesë e cila shkakton lodhjen e tij, por nëse ekziston kontrolli nga familja dhe vëzhgimi për llojet e ushqimeve që do të konsumojë, fëmija i ka të gjitha mundësitë që të vazhdojë agjërimin pa asnjë shqetësim apo komplikacion. Nëse fëmija ndjek me rigorozitet të gjitha këshillat mjekësore në lidhje me agjërimin dhe konsumon aq ushqim sa i nevojitet, ai do të përfitojë nga agjërimi ashtu si të rriturit në aspektin e përballimit të vështirësive dhe durimit.
Mjeku Abdullah shton se ka fëmijë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kjo kategori nuk duhet t’i futet një prove agjërimi në mënyrë absolute, sepse ndikimi i agjërimit mbi ta do të jetë realisht i rrezikshëm. Një kategori e tillë janë ata fëmijë që vuajnë nga funksionet e veshkave apo nga anemia e dukshme. Këtyre nëse i mungojnë lëngjet në trupin e tyre do të ekspozohen ndaj një sulmi dhembjesh në nyjat e kockave. Po kështu edhe fëmijët që vuajnë nga diabeti.
· Udhëzime mjekësore
Nëse fëmija arrin ta kalojë një provë me shëndet të plotë, që i jep mundësinë të vazhdojë agjërimin, duhet që familja ta inkurajojë dhe ta kontrollojë ushqimin e tij, sidomos vaktin e syfyrit, i cili duhet të përmbajë sasi të mjaftueshme sheqernash, të cilat e furnizojnë trupin me energji të mjaftueshme për aktivitetin e tij arsimor gjatë ditës, në mënyrë që të mos ndjejë lodhje. Nëse fëmija merr sasinë e nevojshme të ushqimit, të shplodhjes dhe bie të flejë herët, i ka të gjitha mundësitë që ta vazhdojë agjërimin pa u ballafaquar me asnjë problem shëndetësor.
· Mosha e përshtatshme për agjërimin e fëmijës
Dijetari Abdul Aziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë –rreth agjërimit të fëmijës thotë: “Djemtë dhe vajzat, nëse mbushin moshën shtatë vjeçare urdhërohen që të agjërojnë, me qëllim që të mësohen dhe lind si detyrë e prindërve të tyre që t’i urdhërojnë për këtë ashtu siç i urdhërojnë për faljen e namazit dhe nëse arrijnë moshën e pubertetit, agjërimi është i detyrueshëm për ta.” Ndërsa mjekja Fatime El-Xharullah, profesoreshë asistente në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin Islamik të Imam Muhamed b. Saudit bën me dije se mbushja e moshës së pubertetit është domosdoshme për detyrimin e agjërimit. Si rrjedhojë, agjërimi sipas mendimit më të saktë, nuk është i detyrueshëm për fëmijët, me argument fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem që thotë: “Lapsi nuk shkruan për tri grupe: Për të fjeturin derisa të zgjohet, për fëmijën derisa të piqet dhe për të çmendurin derisa të arsyetojë”, edhe pse ai është një adhurim trupor dhe nuk është i detyrueshëm për fëmijën, ashtu si Haxhillëku.
Përcillet nga Abdurrahman b. Ebi Lejla në një hadith mursel, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse fëmija përballon agjërimin e tri ditëve, e ka për detyrë të agjërojë muajin e Ramazanit.”
Është detyrë e prindërve (ose kujdestarëve) të fëmijës që ta urdhërojnë atë të agjërojë, nëse arrin ta përballojë dhe ta godasin që të mësohet, ashtu si namazi. Kjo ishte metodologjia e sahabeve –Allahu qoftë i kënaqur me ta, siç përcillet në Sahihun e Muslimit 2/1136, faqja 799, nga Halid b. Dhukrani, i cili thotë: “Pyeta Rabian, vajzën e Muauedhit rreth agjërimit të ashurasë dhe tha: “I Dërguari i Allahut çoi të dërguarit e tij nëpër fshatrat e Ensarëve…” dhe pasi përmendi hadithin tha: “Fëmijëve u punonim lojëra prej leshi dhe shkonim, e nëse na kërkonin ushqim, u jepnim lojën që t’i hutonte derisa të plotësonin agjërimin e tyre.”
Kështu, prova e agjërimit të fëmijës mund të vazhdojë me sukses pa lënë gjurmë negative për të, në rast se sigurohet kujdesi i mjaftueshëm nga familja për fëmijën, për ruajtjen, nxitjen dhe ndjekjen e detyrave të tij me metoda mjekësore, të cilat i japin mundësi të shplodhet dhe të flejë mjaftueshëm, derisa të arrijë të ndjekë nxënien me efikasitet dhe të përballojë vështirësitë njëkohësisht, duke u shndërruar në një njeri të durueshëm dhe të fortë.
Përktheu: Genc PLUMBI
Shpërndaje:

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit