1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Agim Shahini akuzohet për mashtrim

Më të lexuarat

Dy banka të huaja në Kosovë, “Raiffeisen” dhe “Teb Bank”, e pandehin për mashtrues Agim Shahinin, kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve. Ndaras e kanë denoncuar në prokurori. Një aktakuzë kundër tij është ngritur e po ashtu edhe një kallëzim penal kundër tij është deponuar në prokurori.

 

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, kishte ftuar shumë mysafirë në një ceremoni të mbajtur më 17 gusht të vitit të kaluar.

 

I kishte thirrur në një ngjarje të pazakonshme për të.

 

Madhu Krishan nga India, përfaqësues i Akademisë Botërore të Paqes me bazë në Nju Jork, kishte vendosur t’i ndante çmimin “Doctor Honoris Causa” për ekonomi dhe diplomaci.

 

Shahini mbajti një fjalim para të ftuarve në mesin e të cilëve ishte edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

 

 “Nga dita e sotme ky çmim do të më japë përgjegjësi më të madhe, do të më shti në obligime që të jem më i përgjegjshëm për ju, për veten, për familjen time, për shtetin tim. Do të më detyrojë të punoj më shumë. Më mbështetni ashtu si deri më sot”, thoshte kryetari i AKB-së,  një organizatë joqeveritare që mbron interest e firmave private e themeluar nga Shahini më 2002.

 

AKB-ja është pjesë e trupave të përbashkëta qeveri-biznes që kanë për qëllim  përmirësimin e  mjedisit afarist në Kosovë.

 

Kjo organizatë është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social që vendos për pagën minimale në Kosovë dhe është pjesë e Këshillit Konsultativ që vendos për hartimin e ligjeve për mjedisin afarist.

 

Por derisa Shahini, gjatë fjalimit të tij, premtonte se do të bëhej edhe më i përgjegjshëm në të ardhmen, ai akuzohet për mashtrime në të kaluarën e tij.

 

Ndaj tij është ngritur një aktakuzë dhe po ashtu një kallëzim penal kundër tij është deponuar në prokurori.

 

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 9 mars të vitit 2012 thotë se Shahini dhe dy vëllëzërit e tij, Bashkimi e Skënderi, kanë mashtruar Bankën “TEB”. Kjo aktakuzë është ngritur pas kallëzimit penal të bërë nga “TEB Bank”.

 

Të tre së bashku akuzohen se kanë dëmtuar qëllimshëm “TEB Bank”-ën duke tjetersuar pasurinë e kompanisë së tyre “Besarti Company” që e kishin lënë peng për të marrë një kredi në vlerë prej 250 mijë eurove.

 

Ndërkaq kallëzimi tjetër penal është dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë më 5 maj të vitit 2010 nga “Raiffeisen Bank”.

 

Bazuar në këtë kallëzim penal , më 10 dhjetor 2013, prokruroria nisi hetimet ndaj Agim Shahinit nën dyshimin se ka tjetersuar mallin e kompanisë “Besarti Company” që e kishte lënë peng në këtë bankë për të marrë një kredi në vitin 2007 në vlerë prej 500 mijë eurove .

 

 “Besarti Company”, e themeluar nga Shahini më 1990 meret me shitjet me shumicë e pakicë të pajisjeve elektro-shtëpiake, pijeve e produkteve të duhanit dhe artikujve tjerë shtëpiakë e ushqimorë.

 

Tash kjo firmë në regjistrat e biznesit në Ministri të Tregtisë figuron në emër të vëllait të tij, Bashkimit.

Shahini, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, tha se nuk është në dijeni për dyshimet e ngritura ndaj tij.

 

 “Nëse ekziston diçka e tillë, lëreni gjykatën ta kryejë punën e saj. Unë nuk kam çfarë të them”, tha ai.

 

Ai në cilësinë e përfaqësuesit të bizneseve ishte ankuar ndaj bankave në Kosovë.

 

 “Bankat duhet t’i ulin normat e interesit. Bankat nuk kanë krijuar partnerit të mirë reciprok. Bankat me biznese nuk janë duke u sjellë në atë mënyrë që t’i ndihmojnë bizneset që janë në gjendje të vështirë financiare”, kishte deklaruar Shahini për Radio Evropa e Lirë më 5 dhjetor 2012.

 

Akuzat që rëndojnë mbi Shahinin

 

Në aktakuzë tregohet se më 9 mars të vitit 2010 tre vëllëzërit Shahini firmosën me degën e “TEB Bank”-ës në Vushtrri një marrëveshje në vlerë prej 250 mijë eurosh që përfshinte lejimin e mbitërheqjes(over-draft) deri në 150 mijë euro dhe lëshimin e një letërgarancioni në vlerë prej 100 mijë eurosh.

 

Agim e Skënder Shahini kanë qenë bashkë-kredimarrës, ndërsa kredimarrës ka qenë Bashkim Shahini .

 

Ata akuzohen për veprat penale-mashtrim, dëmtim i personit tjetër dhe dëmtim i kreditorëve.

 

Letërgarancioni i lëshohet një firme private për nevoja të konkurrimit në tenderë apo nevoja të partneritetit me një kompani të madhe ndërkombtare.

 

“Besarti Company” dhe “Agrana Studen” me seli në Vjenë kishin nënshkruar kontratë më 11 mars të vitit 2010, bazuar në aktakuzën e ngritur nga prokuroria.

 

Por më pas kompania austriake kishte kërkuar që t’i paguheshin 100 mijë euro në xhirollogarinë e saj. 

Kërkuesit e letërgarancionit (Agrana Studen) kanë të drejtë ta konfiskojnë atë në rast se firma (Besarti Company) së cilës i është kërkuar kjo nuk arrin të përmbushë obligimet e saj kontraktuale.

Bazuar në aktakuzë TEB-i kishte ekzekutuar kërkesën e kompanisë austriake duke i transferuar 100 mijë eurot.

 

Banka, më pas,  kishte kërkuar nga “Besarti Company” që të kthente 100 mijë euro në bankë. 

Pasi që firma nga Vushtrria nuk kishte arritur të paguante borxhin, zyrtarët e bankës kishin vendosur të konfiskonin pasurinë e lënë pëng nga tre vëllëzërit Shahini.

 

Kishin dalë në terren për ta bërë këtë.

 

“Mirëpo në vend të pronarit të vërtetë të kompanisë “Besarti Company” , është paraqitur Arsim Shahini duke thënë se këtu keni ardhur ne vendin e gabuar ngase këtu është kompania ‘Sucrakos’”, thuhet në aktakuzë.

 

Në aktakuzë thuhet se vëllezërit Shahini e  kanë bartur mallin e firmës “Besarti Company” dhe asetet e tjera të kësaj kompanie të lëna peng në bankë te kompania “Sucrakos”, në pronësi të Arsim Shahinit, një familjar i Agim Shahinit.

 

Në aktakuzë figuron edhe deklarata e Agim Shahinit dhënë hetuesve policorë.

 

Ai kishte thënë para hetuesve se ishte vëllai i tij Bashkimi që kishte kërkuar nga TEB-i ristrukurimin e borxhit dhe se një marrëveshje ishte arritur.

 

Por, sipas tij, kur Bashkim Shahini kishte shkuar në bankë për t’i rregulluar dokumentet, i është thënë se marrëveshje nuk ka dhe se borxhi duhet të kthehet komplet.

 

“Kompania ‘Besarti Company’ nuk ka pasë mundësi të kthejë borxhin menjëherë sipas kërkesës së bankës”, kishte thënë Shahini.

 

Ndërkaq, sipas aktakuzës,  Skënder e Bashkim Shahini nuk e kishin parë të nevojshme të deklaroheshin me arsyetimin se po e presin marrjen e vendimit nga gjykata.

 

Ndërkohë Ismet Ujkani, prokurori që ngriti aktakuzën, tha se nuk e di se pse ende nuk ka nisur procesi gjyqësor që prej ngritjes së aktakuzës në mars të vitit 2012.

 

“Unë nuk mund të them asgjë lidhur me aktakuzën. Gjykata e di se kur do të nisë procesi gjyqësor”, tha Ujkani për Gazetën Jeta në Kosovë.

 

Gjykata Themelore në Mitrovicë ende nuk ka dhënë përgjigje se kur do të nisë procesi gjyqësor lidhur  me këtë aktakuzë.

 

Ndërkaq “TEB Bank”-a ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e dërguara nga Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me aktakuzën kundër vëllezërve Shahini.

 

Kallëzim Penal nga “Raiffeisen Bank” 

 

Dhjetë muaj pas ngritjes së aktakuzën për dëmtim të “TEB Bank”-ës, një tjetër proces penal kishte nisur kundër Agim Shahinit.

 

“Raiffeisen Bank”-a më 5 maj të vitit 2010 dorëzoi në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë një kallëzim penal kundër tij.

 

Edhe rasti i Raiffeisen-it është i ngjashëm me atë të Bankës TEB. Shahini dyshohet për vepren penale-mashtrim.

 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 dhjetor 2013 nisi hetimet kundër Agim Shahinit.

 

“Hetimet në këtë rast janë duke vazhduar”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë prokurorja e rastit, Vahide Badivuku.

 

Ai më 25 shtator 2007 kishte marrë një kredi në vlerë prej 500 mijë eurosh në “Raiffeisen”.

 

Bazuar në dyshimet e prokurorisë, Shahini nuk e kishte paguar kredinë dhe dëmi ndaj bankës llogaritet të jetë në vlerë prej 548 mijë eurosh.

 

Shahini dyshohet se e ka tjetërsuar mallin e lënë peng në këtë bankë, i cili përbëhej nga makineri dhe inventar të kompanisë “Besarti Company”.

 

 “Ai (Agim Shahini) me dashje ka shitur pajisjet ekzistuese të lëna peng në Bankën “Raiffeisen”, thuhet në arsyetimin e vendimit të prokurorisë për nisjen e hetimeve .

 

“Raiffeisen Bank” nuk pranoi të komentojë detajet e hetimeve.

 

“Ne në parim nuk i bëjmë publike detajet e marrëveshjeve që kemi me klientët tanë” , tha Iliriana Tahiraj, zyrtare për media në këtë bankë.

 

Ndërkohë Vahide Badivuku, prokurorja e këtij rasti, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se hetimet ende janë duke vazhduar.

 

“Ende ka vetëm aktvendim për fillimin e hetimeve. Ende nuk kemi mbrri të marrim ndonjë vendim, edhe pse policia e ka kry shumicën e punëve hetimore”, tha Badivuku.

 

Ndërkohë Shahini në cilësinë e kryetarit të AKB-së është edhe anëtar I Këshillit Konsultativ të Biznesit që në vete përfshin Ministrinë e Financave, Doganën e Kosovës, ATK-në, Odën Ekonomike dhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës. Qëllimi i këtij këshilli është që të lehtësohen aktivitetet biznesore në Kosovë.

 

Anëtarët e  këtij këshilli nuk pranuan të komentonin lidhur me dyshimet e ngritura ndaj Shahinit. Vetëm Doganat e Kosovës komentuan lidhur me këtë rast.

 

Zëdhënësi Adritaik Stavileci tha se autoritetet doganore nuk ishin në dijeni për situatën e Shahinit me bankat.

 

 “Në takimin e radhës do të ngrihet kjo temë para anëtarëve të Këshillit dhe varësisht nga mendimi  i këshillit do të veprohet”, tha Stavileci.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit