Anëtari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka komentuar zhvillimet pas publikimit të “bombës” së dytë nga lideri opozitar, Zoran Zaev.
Në profilin e tij në Facebook, Gashi ka shkruar se pas “bombës” së parë, me të cilën ra në ujë krejt sistemi i sigurisë, “bomba” e djeshme, e publikuar nga LSDM-ja në lidhje me keqpërdorimin e gjyqësisë nga Ekzekutivi, e rrënoi përfundimisht edhe sistemin e drejtësisë.
“Mendoj se tash të dënuarit e rasteve ‘Monstra’ dhe ‘Sopot’ duhet të shpallen të pafajshëm, të lirohen nga burgjet menjëherë dhe të dëmshpërblehen. Edhe pse e kemi ditur se është ashtu, tashmë vetë zyrtarët e shtetit e konfirmuan se në Maqedoni sistemi i gjyqësisë është i kapur plotësisht nga partia e nga Qeveria, madje më saktë nga policia dhe nga shërbimi sekret i shtetit”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, këtij sistemi mund t’i themi si të duam, por sistem të gjyqësisë në Maqedoni nuk ka më besueshmëri.