-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Afrika, toka e Islamit

Më të lexuarat

Historiani i falshëm arab, Ibën Halduni ka shkruar që emri “Ifrikija” u vu sipas Ifrikos bin Kais bin Sam, një nga mbretërit e Jemenit.

Për El Bekrin, kufijtë e Ifrikijas ishin Barga në lindje dhe Tangier në perëndim, e cila do të thotë që në vazhdim të pronave të Afrikës së romakëve, përfshinte Tripolin, Numidian dhe Mauritaninë. Sot, me emrin Ifrikija ose Afrika, arabët dhe joarabët nënkuptojnë gjithë kontinentin e Afrikës, i cili përfshin Afrikën Veriore, Lindore, Perëndimore, Qendrore dhe Afrikën e Jugut. Kuptohet që streha e myslimanëve të parë ishte në Afrikë (Abisini, 615). Në kohën kur profeti Muhamed filloi misionin e tij, egjiptianët dhe sirianët kishin shkëputur pjesërisht lidhjet e tyre me Perandorinë Romake.
Kur marshimi arab filloi në vitin 647, Ekzarc Gregori kishte kundërshtuar aleancën me Kostandinopojën dhe e kishte shpallur vetën perandor. Në Egjipt, koptët vendas ishin udhëzuar prej peshkopit të tyre në Aleksandri, që të mos u kundërshtonin arabëve myslimanë që po marshonin drejt Egjiptit. Merita për përpjekjet e para për të përhapur Islamin në Afrikë i jepet Ukabah (Okba) bin Nafi, i cili respektohet edhe sot e kësaj dite si themeluesi i Afrikës myslimane. Në të shumtën e zonave të pushtuara, feja e mëparshme, qoftë ajo krishterimi, judaizmi apo kultet indigjene, vazhduan të mbijetojnë pa pasur ndonjë shtypje edhe disa shekuj pas pushtimit nga ushtritë myslimane. Kështu edhe në këto zona, në të cilat autoriteti politik ishte në duart e myslimanëve, duke iu detyruar aleancë fuqisë qendrore të kalifatit në Damask ose Bagdad, islamizimi i popullsisë ishte relativisht një proces i ngadaltë.
Islami u përhap në Afrikën Veriore me një shpejtësi të çuditshme, dhe në vitin 732, i cili shënoi 100 vjetorin e parë të vdekjes së profetit Muhamed, ithtarët e tij ishin pronarë të një perandorie që ishte shumë herë më e madhe se sa ajo e Romës, gjatë kohës së shkëlqimit të saj, një perandori që shtrihej nga gjiri i Biskaj, deri në Indus dhe kufijtë e Kinës, dhe që nga Deti Aral, deri në brigjet e Nilit. Emri i profetit, si lajmëtar i Zotit së bashku me emrin e Zotit (Allah) thirrej pesë herë në ditë nga mijëra minare të shpërndara nëpër gjithë Afrikën Veriore, Evropën Jugperëndimore dhe Azinë Qendrore dhe Perëndimore.
Përqindja e myslimanëve në Afrikë është 51.7%, ndërsa përqindja e myslimanëve në Azi është 27%, në Evropë 5%, dhe në Amerika më pak se 1%. Gjithashtu, dukuria e konvertimit në Islam nga religjionet e tjera në kontinentin e Afrikës është 90%, ndërsa përqindja e konvertimit në krishterim është vetëm 10%.
Nuk ka asnjë shtet afrikan me shumicë të krishterë, si dhe religjioni i krishterë nuk është religjion zyrtar madje as në Etiopi, që është shtet sekular, me përjashtim të periudhës së udhëheqjes së perandorit Haile Selassie, që ka përfunduar më 1974, me grusht shtetin ushtarak të kryer nga Mengistu Miriam. Duke konsideruar se identiteti i shumicës përfaqëson identitetin e shtetit, atëherë duhet që Etiopia të jetë shtet islamik, pasi që përqindja e myslimanëve në të është mbi 65%. Por, pakica ortodokse jakobite është e kapur për krishterimin e shtetit, të nxitur nga të krishterët evropianë. Shumica myslimane është neglizhuar dhe është larguar nga postet e larta shtetërore.
Fenomeni i konvertimit në Islam është bërë fenomen evident, dhe atë me fuqinë e vet apo të fshehtën nga Zoti, sidomos pas përsëritjes së incidenteve në shtetet e Evropës Perëndimore. Gjithashtu, pas incidentit të 11 shtatorit 2001 në Manhattan të New York-ut, në SHBA, kur menjëherë pas tij 35 mijë persona vetëm në SHBA janë konvertuar në islam. Duhet theksuar se producenti holandez, Ornaud Van Dom, një nga producentët e filmave fyes ka shpallur Islamin e tij, dhe e ka kurorëzuar me kryerjen e haxhit, në tetor 2013.
Dhe pas ngjarjes së 11 shtator 2001, janë angazhuar aktivistët në lidhjen e saj me treguesit kuranor, që i shohin në ajetin 109 të sures Et- Tevbe:
” A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi në devotshmëri dhe në kënaqësi të Allahut, apo ai që në ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë”.
Aktivistët lidhin treguesit në ajetin kuranor me ngjarjen si vijon:
1 – Kaptina në fjalë gjendet në xhuzin ll, që është data e ngjarjes,
2 – Numri i saj është 9 sipas renditjes së kaptinave kuranore, që është numri i muajit kur ka ndodhur ngjarja,
3 – Numri i fjalëve të sures është 2001, që është viti i ngjarjes,
4 – Ajeti kuranor është i kufizuar në renditjen e ajeteve të kaptinës, midis numrave 108 dhe 109, që janë numrat e kullave.
Liga e Botës Islame ka nxjerrë raportin e saj, që konfirmon se përqindja e myslimanëve në Afrikë është 51.7%, apo rreth 242 milionë banorë nga totali i popullsisë së Afrikës që është 467 milionë banorë. Shkalla e fertilitetit të myslimanëve është 6.87%, ndërsa shkalla e fertilitetit të zakonshëm në Afrikë është 2.5%.
Profesoresha e shkencave politike në Universitetin e Kajros, dr. Houria Tafwik Mujahid, ka theksuar në librin e saj “Islami në Afrikë dhe realiteti i Krishterimit dhe religjioneve tradicionale”, se çdo i dhjeti person braktis religjionin tradicional të trashëguar dhe konvertohet në ndonjë prej religjioneve qiellore, apo që 9 persona konvertohen në islam, ndërsa në krishterim konvertohet vetëm një person. Gjithashtu, ajo e konsideron Afrikën në fushën e religjioneve të krahasuara si kontinent të Islamit, pasi që është kontinenti i vetëm ku përqindja e myslimanëve tejkalon gjysmën e popullsisë, ndërsa përqindja e të krishterëve arrin në 13.11%, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë afrikane i takojnë religjioneve tradicionale të trashëguara, që kanë filluar të shkrihen për shkak të faktorëve të shkrirjes në shoqërinë afrikane.

Mr. Qemajl Morina

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit