„TAP” (Trans Adriatic Pipeline) është projekti i gazsjellësit të madh që sjell gazin natyror nga Azerbajxhani për në Itali dhe më tutje. Kjo linjë e gazit që është miratuar disa muaj më parë nga BE-ja, pasi të ketë kaluar më parë Gjeorgjinë, Turqinë dhe Greqinë, kalon edhe nëpër Shqipëri.
Vendimi që të zgjidhet fitues ky projekt i përmasave evropiane, është një fitore e madhe për Shqipërinë, pasi që fare lehtë mund të fitonte projekti tjetër (Nabuco) që favorizonte një linjë që e përjashtonte Shqipërinë. Për shqiptarët, përfshirë edhe Qeverinë Shqiptare që firmosi këtë projekt, ky është një hap historik.
Por, si mund të ndjehet pas tërë kësaj inxhinieri shqiptar që ka qenë bashkautor i këtij projekti, Naske Afezolli?
Me Afezollin takohemi një ditë të freskët të fundit të verës në një lokal buzë Liqenit të Cyrihut. Pak më lart, në një breg me pamje të bukur nga liqeni, ai ka shtëpinë, ku prej disa vitesh jeton bashkë me familjen. Në vitet `70 të shekullit të kaluar, inxhinieri që sot është rreth të gjashtëdhjetave, kishte filluar rrugën e profesionit, në kushtet e Shqipërisë së atëhershme të izoluar. Por, si u bë që inxhinieri i dikurshëm i ri metalurgjikut të Elbasanit dhe veprave tjera të Shqipërisë socialiste të “përfundonte” në Cyrih, në Zvicër?
Nga fillimi i viteve `90, pas një periudhe të shkurtë si zëvendësministër në Qeverinë e parë demokratike të Shqipërisë, Naske Afezolli, tashmë inxhinier me përvojë, kalon në SHBA. Atje punon disa vite në Bankën Botërore, mbaron një specializim në profesionin e tij dhe fillon angazhimet me kompanitë që merren me tregtinë e energjisë. Kjo e sjell në kontakt me kompaninë zvicerane po për tregti me energji, EGL, për të cilën fillon të punojë nga viti 1995.
– Sfida “TAP” qe zgjati tetë vite
Në fillim të viteve 2000 Afezolli së bashku me dy inxhinierë, kolegë të tij nga EGL nis një projekt tepër ambicioz: atë të sjelljes së gazit nga Azerbajxhani, nga vendburimi “Shahdeniz” në Itali përmes një gazsjellësi që do të kalonte edhe nëpër Shqipëri. Këtu fillon sfida e madhe e ekspertit shqiptar, e cila nuk do ta lë të qetë për rreth 10 vjet, deri në kurorëzimin me sukses, në qershor të vitit 2013, kur projekti i tij shpallet fitues nga BE-ja.
“Evropa perëndimore është ndër importuesit më të mëdhenj të gazit natyror në botë dhe për të siguruar këtë, ajo është e varur nga vendet ku ka burime gazi. Nga Rusia janë plotësuar deri 30% të nevojave evropiane për gaz. Por varësia kaq e madhe nga ky vend ka nxitur te kompanitë evropiane nevojën për të kërkuar një zgjidhje alternative. Kështu, Evropa dhe SHBA kanë nisur prej fillimit të viteve nëntëdhjetë përpjekjet për krijimin e një tregu të gazit të shkëputur nga çmimi i naftës dhe për uljen e influencës ruse, e cila impononte lidhjen e çmimit të gazit me atë të naftës. Pas problemeve që patën Rusia me Ukrainën, ku kalon gazsjellësi, për perëndimin u bë e qartë se nevojitej diversifikimi i burimeve të gazit. Si alternativë për këtë u bënë Kaspiku dhe Lindja e mesme”, e shtjellon për albinfo.ch Afezolli temën që e ka preokupuar vazhdimisht së paku gjatë dhjetë viteve të fundit.
“Në atë kohë isha në SHBA dhe merresha me tregun amerikan të energjisë. EGL kishte ndërtuar në Itali një central me gaz për prodhim e 2 megavatëve energji elektrike. Por për të punuar centrali nevojiteshin burime gazi që të ishin me çmime më të ulëta. Ne si EGL me mjete të pakta e filluam në kushtet e një konkurrence të fuqishme kompanish evropiane, projektin TAP për të siguruar këto burime. Dhe Tapi sigurisht që nuk do të triumfonte sikur të mos ishte projekti më ekonomik e më racional. Ai mundësonte sjelljen e gazit më të lirë dhe shpenzimet për infrastrukturën e nevojshme ishin dukshëm më të ulëta se ato të konkurrencës. Nga viti 2002 deri 2008 kemi punuar vetëm ekipi ynë i vogël, pa ndihmën e askujt, drejt realizimit të qëllimit përfundimtar” thotë Afezolli.
Ai sqaron se që nga fillimi i realizimit të projektit, Shqipëria ishte e paraparë të ishte brenda tij. “Për 8 vjet deri sa projekti është pranuar, kemi qenë në ethe”, kujton Afezolli.
– Cilat janë përfitimet e Shqipërisë nga TAP-i?
Detyrë e të gjitha qeverive shqiptare është që të sigurojnë një sasi gazi. Aksionarët e TAP-it kanë marrë përsipër të bëjnë disa pika daljeje të gazsjellësit nëpër territorin shqiptar, në mënyrë që gazi pastaj të shfrytëzohet edhe nga Shqipëria. Por qeveria shqiptare duhet të angazhohet për të gjetur investues të huaj, që pikat e daljes kur të kryhet i gjithë projekti në vitin 2019 të jenë të gatshme për ta shfrytëzuar gazin, tërheq vërejtjen Naske.
Ai druan se kjo, sa i përket shfrytëzimit të pikave të daljes edhe mund të dështojë. Këtë frikë e mbështet në një dështim energjetik që Shqipëria vazhdon akoma ta paguajë. “Është një central i gazit në Vlorë që nuk punon fare pasi që nuk ka as burime gazi, ndërtimi i të cilit ka qenë një gabim fatal, pasi ka kushtuar 150 milionë dollarë, investim nga Banka Evropiane, me interesa”, thotë Afezolli. Ai më tutje përkujton se gazi është më i leverdishëm se burimet tjera të energjisë. “Nga prodhimi i energjisë elektrike me gaz çlirimi i emisioneve të karbonit është përgjysmë më i vogël se me burimet tjera. Pra kjo energji është ekologjikisht më e pastër”, thotë Naske Afezolli për albinfo.ch
Pastaj, investimet e huaja që pritet të bëhen në Shqipëri në lidhje me TAP-in do të jenë rreth 1 miliard deri 1 miliard e gjysmë dollarë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë gazsjellësi do të gjenerojë në Shqipëri disa mijëra vende pune etj.
– Shqipëria futet në një korridor evropian dhe vlerësohet e barabartë me fqinjët e saj
Sidoqoftë bashkautori i projektit “TAP” konsideron se kryesorja në këtë projekt është se “ai i sjell Shqipërisë gazin pastaj Shqipëria futet në një korridor evropian duke u radhitur ashtu siç e meriton, e barabartë me fqinjët e vet.
“Përfshirja në Korridorin Jugor Evropian të gazit natyror do te ishte licenca energjetike “de fakto” e një Shqipërie me te ardhme te garantuar evropiane sepse korridoret madhore strategjike të gazit është e nënkuptueshme që kalojnë ne vende me stabilitet të garantuar politik. Bashkëbiseduesi ynë e quan gazsjellësin një “Via Egnatia” të gazit natyror.
Afezolli si një ekspert i nivelit botëror që është në degën e vet, ka interesime të gjera edhe sa i përket zhvillimeve në shoqërinë shqiptare, në vend dhe në botë, kudo ku jetojnë shqiptarët. Në këto njëzet vite jashtë vendit, ai ka marrë eksperienca të ndryshme lidhur me gjendjen ku aktualisht ndodhen shqiptarët jashtë vendit. Nga ajo që ka parë, nuk është shumë i kënaqur me të arriturat e tyre.
“Vërej se ka shumë të rinj shqiptarë si në SHBA ashtu dhe në Zvicër, të rritur ose edhe të lindur këtu, me kushte për të ecur përpara në karrierë. Ne kemi ndoshta një numër inxhinierësh por a i kemi ata në pozicione të duhura? Për fat të keq, nuk kane depërtuar sa duhet. Sikur u mungon ambicia, vullneti për të çarë përpara. Rezultatet arrihen jo vetëm me dëshirë por edhe me njëfarë lufte. Sigurisht, për të arritur diçka më shumë nevojitet shkollimi cilësor, duhet shkuar, fjala vjen në ETH. Por për tu ngjitur në karrierë në korporata të mëdha duhet jo vetëm aftësia por edhe kontakti, miqtë lokalë, rrjeti. Ne shpesh e kemi rrjetin të dobët. Na mungon edhe mbështetja më e madhe politike” thotë veç tjerash për albinfo.ch Naske Afezolli, bashkautor i projektit të gazsjellësit nga Azerbajxhani për në Itali, me kalim edhe nëpër Shqipëri.kohaislame