Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania e Madhe i kanë përgatitur presidentit të Serbisë një befasi të hidhur, në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Publiku serb ka pasur pritje të mëdha pas zgjedhjes së Donald Trumpit president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shpresuar se administrata e re në Shtëpinë e Bardhë do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.
Por, së fundmi, presidenti i 45-të i SHBA-së dhe njerëzit e tij më të afërt i kanë shtypur bindshëm shpresat e serbëve.
Fillimisht, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, deklaroi haptas se Kosova duhet të bëhet pjesë e OKB-së, e më pas, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, publikoi një fotografi të një takimi që kishte pasur me numrin një të Amerikës, në Uashington.
Këto dy goditje, siç i quajtën mediat serbe, ia kujtuan Serbisë se Kosova, për SHBA-në, është kapitull i mbyllur, dhe se ajo do të vazhdojë ta trajtojë Kosovën si shtet i pavarur.
Por, duket se këtu nuk përfundojnë goditjet nga SHBA për Serbinë. Një shuplake tjetër pritet ta marrë Serbia dhe presidenti i saj, Tomisllav Nikolliq, në Nju-Jork, të hënën.
Shtetet e Bashkuara, si dhe Franca e Britania e Madhe, kanë vendosur të përfaqësohen në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së me zyrtarë të nivelit të tretë.
Kjo në shenjë revanshi, pas vendimit të Serbisë për ta çuar presidentin në këtë mbledhje, dhe jo ambasadorin e saj në OKB apo ministrin e Jashtëm të vendit.
Në mbledhjen e së hënës të KS të OKB-së, SHBA0ja, Franca e Britania e Madhe nuk do të përfaqësohen as nga ambasadorët e tyre në OKB, e as nga zëvendësambasadorët.
Serbia duhej të përfaqësohej nga ambasadori i saj, por me dërgimin e presidentit në Nju-Jork për mbledhjen e radhës të KS të OKB-së, duket se shteti serb ka vendosur të përfaqësohet në nivelin politik.
Si rezultat, Nikoliç do të bisedojë me zyrtarë më të ulët amerikanë, francezë e britanikë, meqë këtë mbledhje do ta bojkotojnë ambasadorët e tyre dhe vartësit e tyre të parë.
Republika e Kosovës, në këtë mbledhje, do të përfaqësohet nga Vlora Çitaku, ambasadore e shtetit në Uashington.