Liridon Kadriu
Një abetare e rrallë e gjetur nga një studiuese e shquar shqiptare e quajtur Lumnije Çitaku më zgjoi kërshëri të madhe, sepse ishte Abetarja e parë në gjuhën shqipe që ka vlera të shumta e në mesin e këtyre vlerave ka edhe disa elemente islame. Është abetarja e pare e botuar me ngjyra. Fillova ta lexoj dalëngadalë dhe vërejta se në të kishte shumë gjëra interesante që ia vlen t’ia bëjmë të ditur publikut shqiptar. Është shumë e vërtetë se abetarja e shkruar në kohën e fashizmit italian ka edhe elemente ku lëvdohet Italia e Duçes, por një karakteristikë tjetër që e bën të dallueshme nga abetaret e tjera është se në të gjinden edhe tregime për figura të caktuara të kombit tone siç është Ismail Qemajli dhe vëllezërit Frashëri dhe lartësohet dashuria ndaj atdheut.
Dy faqe të plota u kushtohen vëllezërve Frashëri. Në faqen 54 shkruhet:
“Naim Frashëri kishte katër vllazën. Nga katër vllazën po përmendim Abdylin dhe Samin. Naimi ka punue shumë për Shqipni. Ai ka shkru edhe shumë libra të bukura. Edhe Abdyli e Samiu kanë punue për lirinë e Shqipnisë. Ata që punojnë për Shqipni janë Shqiptarë të mirë.”
Siç duket nga teksti i shkruar më lartë Abetarja është shkuar në dialektin gegë, i cili ishte prezent në atë kohë në Shqipëri. Në këtë faqe gjendet edhe tregimi Atdheu, ku ngrihet lartë dashuria ndaj atdheut. Në faqen e parë shkruan: Abetare gegënishte dhe në ballinë ka një çupë dhe një çun duke luajtur me flutura. Në faqen e parë është fotografia e Gjergj Kastriot, Skënderbeut, në faqen e tretë lartë shkruan: BOTIM I MINISTRIS S’ARSIMIT dhe poshtë krejt: SHTËPIJA BOTUESE MARZOCCO=FIRENZE 15 Shtatuer 1942-XX.
Pjesë e Abetares 1942
Në faqet në vijim gjenden prononcimet e punëtorëve shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës Dr. Mehmet Halimit dhe Dr. Shkelzen Raçës, ku ndër të tjera shkruajnë: ”Ndonëse abetarja botim i Ministrisë së Arsimit e botuar në Firencë më 1942 ka të meta nga aspekti i metodikës dhe shembuj të frymëzuar nga periudha fashiste, abetarja në fjalë ka një rëndësi të veçantë, sepse është ndër abetaret e para të botuara në gjuhën shqipe e shkruar në dialektin e gegërishtes letrare, por ka edhe shembuj poezish në dialektin e toskërishtes”, më pas Dr. Daut Bislimi tregon historinë interesante se si erdhi kjo abetare në vendin tonë në Kosovë, i cili ndër të tjera shkruan: “Kjo Abetare bëri rrugë të gjatë e të mundimshme. Erdhi në Kosovë dhe u shpërnda kur në çdo anë ndihej fryma e Luftës së Dytë Botërore. Vendosmërisë së popullit për të qëndruar me armë i erdhi në ndihmë edhe dituria… Ajo padyshim arriti të ndezë zjarrin e shqiptarizmës.
Mr. Enver Rexha, sekretar shkencor në Institutin Arkeologjik të Kosovës shkruan: “Abetarja që e keni në dorë është një monument historik, meqë shquhet ndër të parat e këtij lloji ndër ne. Kam nderin të propozoj që kjo të ruhet si vlerë e veçantë jo vetëm në biblioteka të çdo librofili shqiptar, por edhe në çdo familje, meqë ajo ishte dhe është pjesë e traditës së familjeve tona”, përfundon Mr. Enver Rexha.
Pjesë e Abetares 1942
E fascinuar pas librave të vjetra, znj. Lumnije Çitaku-Orana e cila i ka të gjitha meritat që sot kjo abetare u botua, sepse është znj. Orana ajo e cila e gjeti të grisur këtë abetare, por me punën e saj të palodhur e mori dhe e tuboi dhe ja ku e kemi sot në dorë të plotë ashtu siç ishte në vitin 1942, ndër të tjera znj. Orana shkruan: “Ekzemplari i kësaj abetareje, krahas gëzimit më solli edhe brengosje po ashtu të mëdha, sepse që nga kopertina e deri në faqet e fundit ishte tejet e dëmtuar…, por me përpjekje arrita ta kompletoj. U shfaq një dëshirë e zjarrtë që kjo të ribotohet edhe ne kohën tonë. Ribotimi i saj shpresoj se do të na ngjallë sadopak edhe ndonjë element të kujtesës sonë nacionale. Znj. Orana përfundon se kjo abetare frymon shqipen e pastër dhe se u gjend në bankat e shkollarëve tanë, pikërisht në kohën kur ata kishin nevojë për të.”
Siç e shohim nga renditja alfabetike alfabeti nuk është i renditur sipas shkronjave në gjuhën shqipe: a,b,c,ç,d,dh, e……..etj, por me një renditje tjetër e cila ndoshta për ndonjë arsye metodike që të mësohet më lehtë alfabeti në mënyrë zig-zage apo ndoshta edhe për ndonjë arsye tjetër që ne nuk e dimë. Është interesante që shkronja “r” dhe”rr” janë të shkuara në një faqe të vetme dhe e njëjta gjë është edhe me shkronjat “e” dhe “ë”.
Një gjë interesante që na bie në sy në këtë abetare është elementi islam që është i dukshëm në disa faqe të kësaj abetareje. Në faqen 44 duket qartazi elementi islam ku tek shkronja “xh” kemi këtë formulim:
“xh, a, xhamija, hoxha, xhepi. Xh- një xhep, një xhybe, një xhamadan, ruej se e then xhamin! hoxha falet në xhami. sa xhami ka qyteti i ynë?”
Pjesë e Abetares 1942
Në fotografi është një xhami e bukur që ta ilustrojë më mirë mësimin e shkronjës xh tek nxënësit. Fjala xhami, hoxhë sepse shkronjën e parafundit e ka me xh të fortë, pastaj fjala xhybe që është veshje e hoxhës, pastaj fjalia Hoxha falet ne xhami dhe pyetja sa xhamia ka qyteti ynë janë dëshmi e qartë për përkatësinë e elementit islam në këtë Abetare. Do të ishte shumë e udhës që edhe në abetaren moderne tek shkronja xh të gjendej kjo foto dhe nxënësit të mësonin për shtëpinë ku adhurohet Zoti pasi që shumica e nxënësve te ne janë të besimit islam. Për t’ia bërë më të qartë lexuesit po sjellim të skenuar këtë faqe.
Elementi islam është paraqitur edhe në shumë faqe të tjera të kësaj abetareje ku nëna shqiptare është paraqitur gjithnjë e veshur me kostum kombëtar shqiptar, kostum i cili është ekuivalent me veshjen islame. Nëna shqiptare askund nuk paraqitet me ndonjë veshje tjetër përveçse me veshje normale siç i ka hije një femre të ndershme. Kjo paraqitje gjendet në shumë raste si duke e ushqyer fëmijën e vet, duke punuar, duke e shëtitur fëmijën si dhe duke e vënë në gjumë fëmijën. Më poshtë po sjellim disa fotografi që gjenden në këtë abetare që lexuesi ta kuptojë më mirë këtë që e shtjelluam më lartë.
Një element tjetër islam siç është besimi dhe frikë-respekti ndaj Zotit paraqitet edhe në këtë abetare ku synohet që fëmijëve qysh në vegjëli t’u mbillet në zemra besimi në Zot siç paraqitet tek shkronja z në faqen 47 ku në mënyrë decidive shkruhet:
z, Z, Zoti, më poshtë vazhdon Zogu i ri. Zogu i vogël kishte ranë prej çerdhes. “Zen-e zen-e!” i tha Zeka, së motrës. Zekë mos i banë gjë të keqe Zogut të vogël, se edhe atë e ka falë Zoti, si të gjithë kafshët e tjera”, u-përgjigj e motra.
Në këtë tregim të shkurtër demonstrohet shumë mirë besimi në Zot dhe dhembshuria ndaj atyre që kanë shpirt.
Kjo abetare është ribotue në gjuhen shqipe në vitin 2003.
{jathumbnail off}