Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar Ministrinë e Diasporës rreth paralajmërimeve se vitin tjetër do të bëhet regjistrimi i diasporës, duke thënë se ky regjistrim është i vonuar, pasi ka mundur të bëhet kur është bërë regjistrimi i popullsisë në Kosovë.
Gjithashtu edhe njëherë kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës rreth keqpërdorimeve të mjeteve financiare, gjatë regjistrimit që është bërë në vend vitin e kaluar. Ndërsa kanë përkrah idenë që diaspora shqiptare të ketë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, anëtarja e kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se ministri Diasporës, Ibrahim Makolli, ka paralajmëruar se në vitin e ardhshëm do të bëjë regjistrimin e diasporës dhe se vetëm sa kanë filluar përgatitjet për këtëprojekt.
Ajo konsideron se ministri është shumë i vonuar në këtë projekt, duke ia përkujtuar atij se është bërë një luftë shumë e madhe në kohën e administrimit të UNMIK-ut që të fitohet e drejta e regjistrimit të qytetarëve tanë jashtë vendit, pasi sipas saj UNMIK-u atë botë konsideronte se nuk është në përputhje me normat ndërkombëtare regjistrimi i qytetarëve jashtë vendit. Tërmkolli shtoi se fituar e drejta që të hartohet një formular, me të cilën do të bëhej regjistrimi i qytetarëve tanë jashtë vendit, pra i diasporës. Por, sipas saj sapo erdhi në pushtet kjo qeveri, e ndryshoi Ligjin për regjistrim, transmeton rtv21.
Anëtarja e kryesisë së AAK-së ka thënë se me këtë rast Qeveria e Kosovës e mashtroi diasporën shqiptare, duke mos i regjistruar ata.
“Duhet të them se kjo qeveri e mashtroi diasporën, por i mashtroi edhe qytetarët e Kosovës, sepse në vend se të bëjë regjistrimin e gjithë qytetarëve jashtë vendit, në mënyrë perfide e cilësuan se duhet të bëhet regjistrimi i qytetarëve që kanë dal nga Kosova, pra jo edhe i atyre që kanë krijuar familje jashtë Kosovës. Edhe kjo është një porfilitet i i kësaj qeverie dhe respektivisht i institucioneve të regjistrimit të popullsisë, duke i përjashtuar qytetarët tanë që janë krijuar jashtë Kosovës”, ka thënë Tërmkolli.
Për më tepër ajo ka shtuar se është kërkuar herën e kaluar hetim i shpenzimeve të mjeteve financiare për regjistrimin e popullsisë, pasi që vlerësoi se janë shpenzuar miliona në mënyrë enorme në këtë projekt.
Ajo tha se me regjistrimin e diasporës po bëhet një punë e dyfishtë dhe harxhim i mjeteve financiare të dyfishta për të njëjtin projekt.
Tërmkolli ka thënë se qeveria po vazhdon të vjedh paratë para syve të organeve të drejtësisë dhe para qytetarëve të vendit.
“Kjo qeveri siç po shihet vjedh në pikë të ditës, para hundëve të organeve të drejtësisë dhe para syve të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo qeveri nuk e ka dertin e regjistrimit të diasporës, por dertin e hajnisë, sepse po të kishte dertin e regjistrimit të diasporës, këtë do ta bënte atëherë kur është bërë regjistrimi i popullsisë, se me ligj ka qenë i obliguar të bëhet ky regjistrim”, ka theksuar ai.
Gjithashtu ky subjekt politik përkrah idenë që edhe diaspora shqiptare të ketë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.kohaislame