Drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë duke u përpjekur maksimalisht që me çdo kusht të bëhen pjesë e Qeverisë së Kosovës. Nga një subjekt politik që ka qenë maksimalisht i ashpër për keqqeverisjen në vend, AAK-ja është shndërruar pothuajse në parti pushtetare, ndërkaq, e vetmja gjë që partinë e kryeministrit Hashim Thaçi e dallon nga ajo e Ramush Haradinajt, është se kjo e fundit nuk është duke i “shijuar” kolltukët e ministrave.
Të paktën kështu shihet Aleanca nga analistët politikë, të cilët janë të bindur se shumë shpejt mund të ndodhë koalicioni i partive të dala nga lufta, ashtu siç është paralajmëruar shumë kohë më parë nga shoqëria civile.
Të enjten gjatë seancës plenare, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë abstenuar nga miratimi i mocionit për pezullimin e privatizimit, edhe pse ata fillimisht e kishin mbështetur këtë nismë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e nënshkruar një gjë të tillë.
Madje, përderisa brendapërbrenda deputetëve të partive në pushtet ka pasur deputetë që kanë votuar pro mocionit të partisë së Albin Kurtit, të kundërtën e kanë bërë ligjvënësit e AAK-së, shkruna “Zwri”.
Pikërisht ky veprim, për analistin politik, Avni Zogiani, është tregues i qartë se AAK-ja është mërzitur duke qëndruar në opozitë, ndërsa lakmia për pushtet është duke u rritur çdo ditë e më shumë. Por, ai ka edhe një arsyetim tjetër që ka shtyrë deputetët e kësaj partie t’i thonë “jo” pezullimit të privatizimit. /Tg/kohaislame