Pyetja:
Kam dy vjet që falem rregullisht. Allahu ma ka mundësuar të mësoj leximin e Kuranit. Familja ime nuk falet dhe shumë shpesh me flasin, ndërsa kur më shohin se lexoj diçka për fenë më bërtasin. Shumë herë familja ime më flet edhe kur nuk kam faj. Mundohem shumë që të jem sa më e dëgjueshme ndaj tyre, por kur ata flasin për mua keq pa faj, unë vetëm se i shikoj dhe mundohem që mos t’ia kthej fjalën, pastaj qaj shumë, sa që nuk më ndalen lotët dhe them se pse familja ma bënë kështu edhe kur nuk kam faj? A mund të më tregoni se a vlen durimi im nëse unë qaj shumë? Veten e ndiej më rehat kur qaj, sepse edhe lotët vet nuk më ndalen.
Përgjigje:
Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ajo që e bën muslimanin të ndiej gëzim në këtë kohë kur njerëzit u janë dhënë pas kënaqësive dhe epsheve të kësaj bote, është fakti se shumë nga të rinjtë i kthehen Krijuesit të tyre dhe i lënë anash të gjitha këto dëfrime. Kjo, pa dyshim, është një përgëzim për muslimanët se ardhmëria është për ta, prandaj kërkohet nga ne një mund i madh të parapërgatitemi për punët që na presin.
Një nga problemet që më së shumti ballafaqohen dhe ankohen të rinjtë që i kthehen Islamit, janë familjet e tyre që nuk i pranojnë ata ashtu apo u duhet një kohë, derisa të adaptohen. Gjithashtu kërkohet mençuri nga këta që t`i pajtojnë prindërit e tyre për mënyrën e jetës që kanë zgjedhur.
Prandaj, ju këshillojmë që së pari të bësh durim se fitues si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër është vetëm ai që bënë durim. Pastaj të mundohesh të sillesh me familjen sa më mire. Dije se mirësia hap çdo derë! Nëse me këtë nuk ndikohet e gjithë familja, gjithsesi duhet të ndikohet ndonjëri prej tyre. Nuk po ua themi këtë se ju keni mangësi në këtë, për shkak se nga mesazhi kuptoj se mundohesh të jesh e sjellshme me ta, por të rikujtoj se nga kjo, padyshim do të kesh rezultate.
Mundohu të bëhesh më e fortë dhe dije se edhe pse nga të qarët vjen një lehtësi dhe rehati, nuk është mirë që qetësi të gjesh vetëm në të dhe atë ta paramendosh si të vetmen zgjidhje. Ne mendojmë se ju jeni tepër e ndieshme dhe i merrni gjërat shumë personalisht, thellohesh në rishqyrtimin e çdo imtësie që të ndodh, kjo nuk është e nevojshme për shkak se e ngarkon veten me shumë gjëra të panevojshme. Problemet për të cilat ti shqetësohesh dhe qanë aq shumë, nuk mendojmë se janë edhe me aq peshë të madhe dhe janë gjëra të përditshmërisë së njeriut dhe ato gabime janë të zakonshme. Na e merr mendja se edhe ti pajtohesh me këtë posaçërisht pas një kohe kur ti i mendon ato më mirë se a ia vlenë që ti ta mundosh veten aq shumë për to. Ndoshta është e nevojshme për ty të tregosh edhe personalitetin tënd në familje që anëtarët e familjes të shikojnë se je një person që ke qëndrime, përpikmëri dhe të njëjtën kohë edhe respekt ndaj tyre, por jo duke e anuluar apo shkelur dinjitetin tënd. Mos u mbyll me veten duke i menduar ato gjëra që të kanë ndodhur, mundohu të gjesh dikë nga familja që është më i afërt me ty, qoftë vëllai apo motra apo edhe dikush nga shoqet e tua e ti të mundesh të bisedosh me ta. Lute Allahun e Lartësuar që t`i lehtësojë problemet me të cilat ballafaqohesh.
Alaudin Abazi
20.04.2005