3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A u tradhëtua Nishani nga PD-ja dhe pse Meta mund të jetë presidenti i ri

Më të lexuarat

Opozita nuk ka ndërmend ta propozojë Nishanin si kandidat për një mandat tjetër. Nga ana tjetër mazhoranca s’ka asnjë emër duke i lënë rrugën hapur Metës për t’u bërë president pas zgjedhjeve…

Kuvendi ka nisur procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të Republikës, duke caktuar datën 19 prill për raundin e parë të votimit. Ndërkohë votimi mund të dështojë pasi nuk ka akoma asnjë kandidat për president të propozuar zyrtarisht. Sipas procedurës ligjore, kandidati për presidenti propozohet me firmat e 20 deputetëve dhe duhet të marrë shumicën e votave të tyre në raundin e fundit për t’u zgjedhur. Siç duket qartë, mazhoranca e ka gjithë mundësinë për të zgjedhur presidentin e ri me votat e saj, që, në votimet e fundit të paketës ligjore për Reformën në Drejtësi është konfirmuar me shumicë të cilësuar 84 vota, ndërsa për të zgjedhur presidentin mjaftojnë edhe 71 vota.

Atëherë pse nuk është thënë se kush do të jetë kreu i ri i shtetit?

Burimet nga mazhoranca flasin për një mosakordim mes PS-së dhe LSI-së për emrin e presidentit të ri. Mësohet se kryeministri Rama ia ka ofruar këtë post aleatit të tij, Ilir Meta, por ai nuk ka pranuar…të paktën deri në zgjedhjet parlamentare. Sipas burimeve, Meta ka si objektiv kryesor nxjerrjen e LSI-së si forcë politike e fortë në këto zgjedhje me synimin për të shtuar mandatet dhe për të qenë edhe një herë king-maker në skenën e re politike pas 18 qershorit. Duke pasur këtë objektiv, Meta do të jetë i angazhuar me fushatën elektorale dhe s’mund ta bëjë këtë duke qenë president.

Po ka një mënyrë që Meta të bëhet president para korrikut duke dështuar procedurën e zgjedhjes së presidentit të ri në prill. Nëse nuk zgjidhet presidenti i ri, atributet e kreut të shtetit me Kushtetutë i kalojnë Kryetarit të Kuvendit, detyrë të cilën sot e mban po Meta.

Pas konfigurimit të parlamentit të ri pas zgjedhjeve, ai mund të zgjidhet president në rihapjen e procedurave.

Nishani, i tradhëtuar nga partia e tij

Presidenti në detyrë, Bujar Nishani, ka shprehur hapur ambicjen për një mandat të dytë presidencial. Që ta realizojë këtë ai duhet të ripropozohet si kandidat nga të paktën 20 deputetë, por ata që mund të firmosnin për të janë deputetët e Partisë Demokratike, e cila sot është në bojkot të Kuvendit.

Burime nga opozita flasin për një ftohje mes PD-së dhe Nishanit. Ftohja ka ardhur që pas vendimit të presidentit për të dekretuar ministrin e ri të Ramës, Fatmir Xhafaj, për të cili kreu i PD-së Lulzim Basha ishte betuar se “do të shkelte mbi trupat tanë për t’u bërë ministër”.

Por me dekretin e tij, edhe pse i shoqëruar me rezerva publike ndaj Xhafajt, Nishani e bëri të mundur “shkeljen mbi trupin e PD-së”. Kësisoj divorci mes tij dhe partisë ku ka milituar duket se ka ndodhur. Nga ana tjetër, Nishani, si përfaqësues i “unitetit të popullit” nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zgjidhur krizës mes opozitës dhe qeverisë.

Me heshtjen e tij ai e ka shpërfillur kauzën e opozitës. Edhe për mosarrestimin e një të akuzuari për trafik droge, Nishani mblodhi Këshillin e Sigurisë; ndërsa kur opozita kërcënon se nuk do të hyjë në zgjedhje ai nuk lëviz as gishtin.

Deri më tani asnjë deklaratë dhe asnjë thirrje për dialog nuk ka pasur nga zyra e Nishanit dhe kjo e çon ujin më shumë në vijën e qeverisë dhe kryeministrit Rama, i cili thotë se kriza nuk ekziston, është më shumë një farsë e krijuar nga opozita.

Skenari tjetër i heshtjes së Nishanit mund të lërë dyshime për një “marrëveshje” të tij me mazhorancën aktuale për të qëndruar në detyrë dhe për një mandat tjetër, por për të ndodhur kjo ai duhet së pari të propozohet si kandidat.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit