Pyetja:
Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Po afrohet Ramazani dhe pata një pyetje. Dihet që prej sunetit është të falen 8 rekate teravi duke dhënë selam mbas çdo dy rekatesh, mirëpo në xhamitë tona falen nga 20 rekate. Si të veprojmë në këtë rast, a të largohemi nga xhamitë pasi të falim 8 rekate, apo të falim 20 rekate duke dhënë selam mbas çdo katër rekatesh?
Shpesh ndodh që nëse largohemi më herët, d.m.th. mbas 8 rekatesh, kjo po bëhet edhe si burim përçarjeje dhe urrejtjeje, sidomos nga më të vjetrit, dhe kjo ndodh sidomos në vendet rurale e nuk është si në Prishtinë.
Ues-selamu alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Është e vërtet ajo që thoni ju, se ende nuk është punuar në vendet rurale sa ç’mund të jetë edhe praktikimi i një suneti (apo praktikimi i ndonjë mendimi që e sheh se është i qëlluar) shkak i përçarjes apo urrejtjes, sidomos në ato xhami ku numerikisht të moshuarit janë më shumë dhe të rinjtë bredhin rrugëve, kurse në Prishtinë dhe në shumë qytete është e kundërta, dashtë Allahu që së shpejti të bëhen edhe vendet rurale sikurse qytetet. Amin!
Nëse jeni të sigurt se praktikimi i këtij suneti, apo marrja e këtij mendimi si të saktë shkakton përçarje, atëherë unë mendoj që më mirë është të falni 20 rekate dhe të punoni me rininë që ta gëzoni pas një të ardhme të shpejtë faljen e këtij namazi ngadalë dhe jo si falet në vendet tona, sepse falja e teravive në atë formë qysh bëhet tek ne nuk i ngjan aspak sunetit të të Dërguarit salallahu alejhi ue selem dhe se ky problem është më i rrezikshëm sesa numri i rekateve të teravisë. Allahu e di më së miri.
Allahu na pranoftë namazet tona! Amin!
Fatmir Raçi
14.9.2007