1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

A pranon ndryshim harta e Islamit?!

Më të lexuarat

 

Islami nuk është një grumbull dispozitash, të hapërdara sa andej këndej, që kërkon prej njerëzve vetëm tu përmbahen atyre. Ai nuk është as parcela të shpërndara në tokë, të cilat njeriu mund t’i zhvendosë si të dojë. Nuk është as objekt me shtresa, të cilat mund të ndahen sipas dëshirës. Islami është një ndërtesë solide, e përfunduar dhe harmonike me pjesët e tij, është një entitet ku përbërësit e tij ndërfuten me njeri-tjetrin dhe ku çdo gur është i vendosur në vendin e tij më të përkryer, me urtësi dhe kujdes. Ligjvënësi i Urtë në ndërtimin e rendit islam nuk është mjaftuar vetëm me vendosjen e dispozitave të ligjit islam, por i ka kushtuar rëndësi edhe dizenjimit preciz të hartës së këtyre dispozitave, në mënyrë të atillë ku çdo pjesë në të është vendosur në vendin e duhur dhe në mënyrën më të bukur.

Allahu i Lartësuar, është Ai që krijoi gjithësinë dhe përsosi çdo pjesë të saj dhe çdo gjëje në të i dha masën e saj, është Ai që e përsosi ndërtesën e hartës së Islamit dhe e konsolidoi rendin e tij hierarkik dhe çdo gjëje i dha masën e saj.
 
Forca e Islamit, bukuria dhe veçantia e tij nuk qëndron vetëm te dispozitat e tij ligjore, por te ndërtesa e tij e bukur dhe harta e tij e dizenjuar me përsosmëri, finesë dhe hijeshi vezulluese.
Ne me Islamin, nuk jemi përpara disa dispozitave ligjore të shkëputura mes tyre, por përpara një harte gjigande për të cilën jemi urdhëruar të mos ndryshojmë asnjë shenjë të saj, por t’i përmbahemi kufijve dhe treguesve të saj. Si muslimanë që jemi, ashtu siç e kemi për detyrë t’i përmbahemi dispozitave të sheriatit, po ashtu e kemi për detyrë të ruajmë hartën e Islamit ashtu siç e ka dizenjuar Profeti (alejhi salatu ue selam), duke mos i shtuar dhe hequr asaj asgjë dhe duke mos i ndryshuar vendin pjesëve të saj. Kuptimi i hartës së Islamit bazohet në parim tek përcaktimi i objektivit primar të mesazhit të fesë, që padyshim është përmbushja e adhurimit të Allahut në tokë. Argumentet për këtë janë të shumtë, po kështu edhe për renditjen e përparësive ligjore të fesë dhe njohjen e çdo niveli të saj. Në momentin që ndodh një problem në kuptimin e objektivit primar të mesazhit islam ose në renditjen e përparësive të tij ligjore, padyshim që ky problem do të reflektohet në pamjen e hartës së dizenjuar nga Profeti (alejhi salatu ue selam).
Procesi i kuptimit të Islamit dhe realitetit tërësor të mësimeve të tij, është një domosdoshmëri dhe ka një rëndësi të veçantë, por në të njëjtën kohë është edhe një proces i rrezikshëm, është një punë madhështore dhe gjigande, por edhe skajshmërish e ndjeshme, sepse saktësia e këtij përfytyrimi dhe gabimi në të reflektohet te dimensionet e pjesëve të tjera të fesë dhe tek natyra e marrëdhënieve në mes tyre. Nëse ky përfytyrim është i gabuar edhe pamja e hartës së Islamit dhe godinës së tij do të jetë e gabuar.[1]
 
Edhe pse Sheriati e ka sqaruar objektivin primar të tij në mënyrë tepër të qartë dhe ka dizenjuar rendin hierarkik të përparësive të tij shumë qartë, përsëri ka ndodhur që hulumtues të ndryshëm të gabojnë në përcaktimin e tij. Shkaqet për këtë janë të shumtë, por nga më të rëndësishmet janë:
-futja në kuptimin e Islamit nga dritarja e ndreqjes së gabimeve të pjesshme dhe zhytja në to,
-hyrja nga dritarja e mbrojtjes së Islamit nga akuzat e kundërshtarëve të tij për të,
-futja nga dritarja e trysnisë së momentit,
-hyrja nga dritarja e ndikimeve të organizatave që kanë përparësi të ndryshme nga përparësitë e rendit islam.
 
Këto shkaqe apo disa prej tyre e përqendrojnë vëmendjen drejt asaj që i përshtatet në hartën e Islamit, duke i dhënë kështu asaj përparësi dhe duke formësuar kështu me anë të saj kuptimin e Islamit, objektivat dhe renditjen e përparësive të tij në përputhje me këtë vështrim.
Nuk është fare e vështirë të gjejmë shembuj real të tillë që zbulojnë shenja të gabimeve në të kuptuarin e mesazhit të Islamit dhe përcaktimin e treguesve në hartën e tij.
Epoka jonë karakterizohet nga shkrimet e shumta, të cilat flasin për kuptimin e realitetit të Islamit dhe mesazhin e tij në këtë botë, rreth përbërësve, veçorive dhe përparësive të tij. Në këtë drejtim gjejmë njerëz nga spektra dhe grupime të ndryshme, qofshin këta islamik, orientalistë e të tjerë, që parashtrojnë vizione dhe ide të ndryshme rreth temës. E gjitha kjo ka rezultuar në atë që mund të quhet “rrëmuja e interpretimit të Islamit”.
Kur disa islamik vunë re sesi bota islame vuante nga prapambetja qytetërimore dhe mungesa e zhvillimit dhe donin ta ndreqnin këtë gjë, u kapën pas aspektit të zhvillimit të botës dhe e shndërruan atë në përfaqësues të objektivit primar të mesazhit të Islamit. Funksioni primar i njeriut në këtë jetë ishte pra, ndërtimi i qytetërimit në këtë botë dhe misioni primar i Islamit ishte bërja e njeriut.
Kur disa islamik vunë re përmasat tragjike të prapambetjes në fushën e dijes, qytetërimit dhe shoqërisë, e donin ta shpëtonin umetin e tyre nga kjo prapambetje, i kushtuan rëndësi çështjes së ndryshimit duke e ngritur lart këtë gjë, sikur kjo të ishte objektivi primar i mesazhit të Islamit dhe se Allahu e kishte dërguar Profetin e Tij për të ndryshuar shoqëritë e ndryshme njerëzore.
 
Kur disa mendimtarë islam u përballën me strukturën e ngrirë të mendimit në botën islame, e cila ia kish mbyllur derën ixhtihadit dhe kish ngushtuar rrugët e dijes dhe njohjes dhe i kish mohuar arsyes rolin e saj në të kuptuarin e fesë dhe deduksionin e dispozitave, ata donin t’i jepnin zgjidhje këtij problemi, ndaj dhe nuk u ndalën te kufijtë e racionales, por e kaluan atë duke i dhënë arsyes një rol tepër të lartë argumentimi,  aq sa ajo qëndronte edhe mbi tekstet e shenjta të Fesë.
Kur disa reformator vunë re deviacionin politik që vegjetonte në shoqëritë islame dhe dëmin që ai u kish sjellë dhe donin ta shpëtonin umetin e tyre nga kjo gjendje, filluan të thonë se, objektivi primar i mesazhit të Islamit është revolta kundra rendeve politike të padrejta, kthimi i të drejtave në vendin e vet dhe themelimi i një rendi të drejtë islam.
Një nga dëshmitë më të qarta, që provojnë këtë realitet, është edhe perceptimi mbi të cilin është ngritur xhemati islamik në Indi, me udhëheqjen e Prof. Ebu el-Ala el-Meududit. Ai thekson në mjaft libra të tij se, objektivi primar i mesazhit të Islamit është ngritja e qeverisjes islame në tokë dhe se, qëllimi i besimtarit në këtë qeverisje është vënia në zbatim e ligjeve të Fesë. Pikërisht për këtë arsye në disa shkrime të tij Medudi vlerëson se, thelbi i hyjnitetit të Zotit qëndron te pushteti dhe qeverisja dhe për pasojë edhe adhurimet praktike, ai i konsideron si mjete për përmbushjen e këtij objektivi. Namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi, ishin pra për Meududin norma stërvitore që e përgatisnin njeriun për të kryer detyrën e ngritjes së qeverisjes islame në tokë![2]
 
Bazamenti i përbashkët i të gjitha këtyre perceptimeve është, përpjekja për të interpretuar mesazhin primar të Islamit me çështje të sakta fetare, por në realitet ai nuk është objektivi primar i Islamit dhe as peshorja me të cilën gjykohet harta e tij dhe as ideja tërësore e universale e tij.
Nuk vihet në dyshim se, ndërtimi i kësaj bote, domosdoshmëria e ndryshimit, njohja racionale apo rëndësia rendit të drejtë politik, janë çështje të kërkuara nga feja dhe janë pjesë përbërëse e hartës së saj, por ato nuk përfaqësojnë objektivin primar të mesazhit të Islamit dhe nuk janë urtësia e tij universale dhe as qëllimi primar i çdo muslimani në jetë.
Problemi pra, nuk qëndron në faktin se këto interpretime nuk janë të sakta në vetvete dhe as në faktin se ato zënë një vend të rëndësishëm në hartën e Islamit dhe as në domosdoshmërinë e përqendrimit në to dhe dhënies rëndësi dhe as te ndriçimi i tyre dhe nxitja për t’i trajtuar ato dhe as te përdorimi i fjalëve të forta për të ftuar në to, jo, asnjëra nga këto nuk përbën problem, por problemi qëndron kur ato zhvendosen nga vendi i tyre në hartën e Islamit, kur ato marrin vend më të lartë se ai që u takon në fakt, si dhe tek përdorimi i fjalëve që të lënë përshtypjen se këto çështje zënë vendin kryesor në majën e hierarkisë së Islamit.
Rrezikshmëria e këtyre interpretimeve qëndron në faktin se ato lidhen me interpretimin e realitetit tërësor dhe universal të mesazhit islam dhe nuk është si gabimi në kuptimin e një pjesë të caktuar të Islamit, si p.sh. gabimi në çështjen e gjykimit të atij që braktis namazin apo çfarë gjykimit për namazin përshëndetës të xhamisë. Ky gabim ka të bëjë me tërësinë e përcaktimit, të ndërtimit hierarkik të strukturës së fesë dhe të shpirtit të saj. Është e qartë se, nëse ndryshon këndvështrimi i perceptimit të realitetit tërësor, kjo ndikon në pozicionin e pjesëve dhe renditjen e niveleve të tyre.[3] Në këtë rast disa pjesë zhvendosen nga vendi i tyre në hartë, ose duke u ngritur lart, nëse kemi përputhje me objektivin primar që propozohet, ose duke u ulur poshtë, nëse objektivi nuk është i tillë. Në të dyja rastet imazhi i hartës së Islamit nuk do të mbetet ashtu siç është. Nëse dikush kërkon të ndryshojë p.sh. strukturën skeletore të elefantit, duke mos shtuar dhe as hequr asgjë në fakt, por duke ndryshuar pozicionin e pjesëve të tij, a do të mbetet në këtë rast pamja e elefantit ashtu siç ajo është, apo do të ndryshojë dhe pamja e tij do të deformohet?        
 
E njëjta gjë do të ndodh edhe për atë që ndryshon rendin në hartën e Islamit, duke ngritur lart disa pjesë, aq sa të zënë kreun e hierarkisë së tij apo duke i ulur disa pjesë të tjera nga vendi i përcaktuar i tyre, padyshim që kjo do të ndryshojë pamjen e hartës së Islamit dhe formën e saj.
Këto interpretime –të gabuara- paraqesin një perceptim që përfshin të gjitha pjesët e fesë, por duke lëvizur nga vendi i tyre origjinal ato kanë krijuar për pjesët e fesë një renditje jo të saktë, të kushtëzuar nga situata të veçanta dhe jo nga situata normale, mbi të cilën dhe është bazuar ndërtimi i Sheriatit islam, pamja dhe renditja e tij.
 
Nuk ka dyshim se ne në këtë epokë që jetojmë kemi nevojë të domosdoshme të përcaktojmë përfytyrime të sakta islame dhe jemi të detyruar të zbulojmë hartën e Islamit ashtu siç e dizenjoi Profeti (alejhi salatu ue selam), duke larguar prej saj çdo cen që i është ngjitur përgjatë historisë. Kjo hartë është padyshim rripi i sigurimit që na shpëton nga dallgët tronditëse të ideologjive njerëzore, ajo është busulla që na tregon drejtimin e saktë mes humbëtirës e sorollatjes njerëzore. Por, ne veç kësaj në të njëjtën kohë, kemi nevojë të eliminojmë të gjitha zgavrat që të shpien në gabime në kuptimin e realitetit universal të Islamit.
 
Prof. Sejid Kutbi ka tërhequr vëmendjen rreth domosdoshmërisë së kësaj çështje dhe ka theksuar se procesi i zbulimit të hartës së Islamit kërkon prej nesh të mos “evokojmë para nesh devijimet e caktuara të mendimit  apo realitetit islam dhe më pas i gjithë preokupimi ynë të zhytet në to, aq sa kritika dhe ndreqja e tyre të bëhet tërësia e lëvizjes dhe energjive tona, që ne japim për të përcaktuar veçoritë e perceptimit islam dhe përbërësit e tij… Por, ne duhet të përpiqemi në përcaktimin e të vërtetave të këtij perceptimi në vetvete, ashtu siç i ka sjellë Kurani fisnik, të plota, përmbledhëse, të ekuilibruara dhe harmonizuara, si harmonia e kësaj gjithësie dhe ekuilibri i saj…
Ndryshe, evokimi i një devijimi të caktuar apo një mangësie çfarëdo dhe preokupimi i tërësishëm në largimin e saj dhe riformulimi i vërtetësive të Islamit për t’iu përgjigjur këtyre devijimeve, është një rrugë tepër e rrezikshme, që prodhon devijim të ri në perceptimin islam, për të eliminuar devijimin e vjetër. Devijimi mbetet devijim në të gjitha rastet.”[4]
Sido që të jetë, biem ose jo dakord, nëse edhe vetë Sejid Kutbi pati sukses në përmbushjen e kësaj metodologjie apo ra edhe ai vetë qe viktimë e asaj që kishte paralajmëruar; gjithsesi çështja për të cilën tërhoqi vëmendje mbetet çështje qendrore dhe tepër e rëndësishme dhe e rrezikshme.
Çështja e parë të cilës duhet t’i përmbahemi në zbulimin e hartës së Islamit është, dallimi në mes së vërtetës së objektivit që solli Islami për të përmbushur, që është edhe shpirti i mesazhit dhe mendimit të tij universal dhe përbërësve shoqërues të domosdoshëm të këtij objektivi.
 
Tekste të shumta të Fesë provojnë se objektivi primar –fjala “primar” do të thotë se ka edhe objektiva të tjerë, por që nuk janë primar- i saj është përmbushja e adhurimit të Allahut të Lartësuar në tokë dhe rregullimi i marrëdhënieve në mes njeriut dhe Zotit të tij. S’ka pikë dyshimi se ky mesazh kërkon domosdoshmërish rregullimin e jetës njerëzore në këtë botë dhe rregullimin e marrëdhënieve të tij me ekzistencën, kërkon prej njeriut të ndërtojë këtë botë dhe të ndryshojë gjendjen e korruptuar në të…etj. Por, të gjitha këto mbeten pjesë përbërëse të objektivit primar dhe konsiderohen objektiva pasues të tij, por jo më të lartë apo të njëjtë me të.
Ndjeshmëria e lartë, e rëndësisë së devijimit, të një ideje dhe pasojat që vijnë prej saj, nuk e justifikojnë për ne faktin, që gjatë ndreqjes së saj, t’i japim asaj një vend më të lartë sesa ajo zë në Fenë islame, nuk përligj për ne që t’i ndërrojmë asaj vendin që ajo zë në hartën e Islamit.
Nëse imagjinojmë p.sh. një kohë ku është përhapur imoraliteti në të si asnjëherë tjetër, dhe një grup njerëzish që duan ta ndreqin këtë problem, duke e vendosur këtë në krye të përparësive të tyre… Ata kanë gjithë të drejtën ta konsiderojnë këtë objektiv primar të tyre, e ndoshta kjo është detyrë për ta, por ama nuk u lejohet atyre tu paraqesin të tjerëve se, objektivi kryesor i Profetit (alejhi salatu ue selam) ishte lufta kundra imoralitetit dhe se Allahu i Madhëruar i dërgoi Profetët për të përmbushur këtë objektiv, sepse kjo bie ndesh me argumentet e dukshme dhe të qarta të Fesë.
 
Origjina e problemit metodik në këtë lloj predikimi që përmendëm, qëndron tek mos dallimi në mes gjendjes së jashtëzakonshme dhe asaj normale mbi të cilën ndërtohet Feja. Në rastet kur kemi devijim dhe largim nga e vërteta, është detyrë që ligjërimi të përqendrohet dhe t’i jepet përparësi rregullimit të problemeve të aktualitetit dhe luftës ndaj mjeteve që i mbajnë në jetë këto probleme, por kjo natyrisht që dallon në një situatë normale në të cilën është detyrë të shihen me kujdes vetë argumentet e Fesë, pa marrë parasysh diçka tjetër.
Problemi qëndron në faktin se, disa nuk bëjnë dallim në mes përparësive të projekteve të tyre, që i nënshtrohen situatave të kufizuara historike dhe shoqërore dhe në mes përparësive që ka sjellë vetë Feja për të përmbushur në këtë botë, duke i shndërruar përparësitë e projektit të tyre stacionar në përparësi të vetë Islamit! Këtu qëndron edhe rreziku dhe keqkuptimi i hartës së Islamit.
Parimisht, nuk ka asnjë pengesë që kush dëshiron, prej reformatorëve, të përcaktojë përparësitë, të cilat ai i sheh si më të nevojshme për t’iu kushtuar, e që kanë nevojë të ndreqen në botën islame, qofshin këto përparësi në fushën e thirrjes islame, në besim apo në shoqëri. Njerëzit që punojnë në fushën e thirrjes dhe mendimit islam duhet ta kuptojnë mirë këtë larmi, madje duhet ta mbështesin dhe përkrahin atë dhe atëherë diskutimi duhet të kufizohet vetëm në faktin, nëse ky përcaktim i këtyre përparësive është i saktë apo jo? Por, ama nuk është aspak e drejtë që këto prioritete të ngrihen në pozitë të atillë që të zënë vendin e vetë mesazhit të Islamit.  
         
 
Shkruar nga: Sultan ibn Abdurrahman el-Umeri       
Burimi: http://taseel.com/display/pub/default.aspx?id=2066&ct=21&ax=5
Përktheu: J. Topulli
 


[1] Shih: “Hata fi Tefsiir” Uahidudin Khan fq. 256.

[2] Rreth interpretimit të idesë së Meududit shih: “Tefsir sijasi lil Islam” të Ebul Hasan en-Nedeui dhe “Hata fi Tefsir” të Uahidudin Khan. Të dy këta autorë kanë marrë në shqyrtim fjalët e Meududit, duke lidhur mes tyre, nga shkrime të ndryshme të tij dhe kanë sqaruar problematikën që ato mbartin. Ndërkohë njerëz të tjerë kanë mbrojtur qëndrimet e Meududit, por ata janë ndarë në dy qëndrime: një pjesë janë të mendimit se kjo ide që i atribuohet Meududit është e saktë dhe ai vërtetë e ka thënë atë dhe ka pasur të drejtë për të, ndërsa të tjerë janë të mendimit se ideja që i atribuohet Medudit nuk është e saktë dhe se fjalët e tij nuk janë kuptuar ashtu siç duhet… Praktika indiane në kuptimin e hartës së Islamit konsiderohet një nga më të pasurat dhe më vitalet në kohën tonë, dhe me të drejtë ajo ka nevojë për studim më të gjerë dhe më të thellë.
 

[3] Shih: “Hata fi Tefsiir” Uahidudin Khan fq. 234.

[4] “Veçoritë e perceptimit islam dhe përbërësit e tij” fq. 17.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit