4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A përgjigjet Edi Rama për “krimet” e të atit

Më të lexuarat

Andi Bushati

Presidenti i Republikës ka rimarë një akuzë të shpërdoruar dendur duke e anatemuar kundërshtarin e tij të momentit, Edi Ramën, për prejardhjen e tij biologjike. Fjala është për një histori që fillimisht e ka përdorur Berisha dhe më pas e kanë rinxjerë nga dosja të gjithë armiqtë politikë të kryeministrit aktual, sipas së cilës, babai i tij, skulptori Kristaq Rama, ka firmosur për dënimin me vdekje të poetit disident Havzi Nela.

Madje, madje, ai e ka bërë këtë duke nënshkruar prkrah Ramiz Alisë, në një kohë kur efektet e ‘glazdnosit” të Gorbçovit ishin të njohura botërisht dhe kur regjimet komuniste në mbarë europën lindore po përjetonin gërhamat e fundit.

Thënë në këtë mënyrë, kjo fabul përdoret rëndom për të bërë një lidhje automatike mes kreut aktual të socialitëve dhe pjesës më kriminale të diktaturës komuniste, për të treguar se Shqipëria vijon të qeveriset nga “bijtë e etërve”, pra shkurt se Edi Rama duhet përmbysur edhe për shkak të geneve të tij.

Në fakt, e vërteta është shumë më ndryshe.

Ajo lidhet me fatin tragjik të një kundërshtari periferik të regjimit si Havzi Nela, i cili shkruante edhe vjersha.

Kalvari i Nelës është një nga krimet më makabre të periudhës komuniste. Një djalë i ri që tenton të arratiset, që jugosllavët e rikthejnë sërish pas telave me gjemba, që për këtë dënohet me 20 vite burg dhe që pasi e kryen këtë ndëshkim të rëndë rifiton një “liri” që nuk ka se ç’i duhet, i spiunuar dhe i braktisur edhe nga njerëzit e vet më të afërt, madje edhe nga ata, dashuria për të cilët i kishte dhënë forcën të mbijetonte në errësirën e Spaçit apo Qafë Barit.

Pas dënimit atë e internojnë sërish. E prej aty ai do të largohet edhe njëherë. Por, syri vigjilent i atyre që silleshin sipas parrullës së njohur: “i gjithë populli ushtar” e pikas sërish. Atë e gjejnë një shtëpinë e një të afërmi të tij dhe aty, në gjendje të rënduar nervore, i dërmmuar fizikisht dhe i ezauruar psikologjikisht, ai qëllon, mbi Sahit Ibron, policin që kishte ardhur për ta marrë.

Pikërisht kjo plagosje u bë dhe shkak për dënimin e tij me vdekje. Pasi gjykata e lartë e konfirmoi këtë vendim dhe pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjestar i të cilit ishte edhe kristaq Rama, nuk e pranoi kërkesën për faljen e jetës, Havzi Nela u var në stacionin e autobuzëve të Kuksit, në 10 gusht 1988.

Kjo pra është një nga historitë më rënqethëse të diktaturës shqiptare, që sillet e risillet në vëmendje, jo si klithmë reflektimi mbi të shkuarën tonë, por si një mjet i ulët i luftës politike.

Nëse do të pyesni sot këdo që informacionin nuk e merr në mënyrë më të thelluar, por nga lajmet dhe batutat politikës ai do të thotë pa drojë se poetin disident Havzi Nela e ka vrarë babai i Edi Ramës.

Por faktet nuk thonë kështu. Kristaq Rama nuk ka nënshkruar për vrasjen e një poeti që thurte vjersha kundër regjimit, ai ka firmosur si një njeri krejt pa peshë dhe periferik në këto hulli, për mos faljen e një të dënuari që me optikën e atij regjimi, shihej me intranzigjencën barabare të atij që qëllon mbi një polic. Kjo është e vërteta e kësaj historie.

Ndërsa keqpërdorimi i saj përmban mbi vete dy mëkate të mëdha.

Së pari, ai fyen angazhimin e të gjithë atyre që zbardhjen e vërtetë të krimeve të komunizmit e kanë një mision solemn, që i detyron të mos luajnë me historinë sipas rethanave.

Së dyti ai promovon në politikën e sotme shpifjen si mjet për të arritur qëllimet. Nëse Edi Rama mund të ketë ndonjë mëkat në këtë pikë, atij mund ti përmenden thirrjet e fillim viteve ‘90 për ti shpënë në litar ish komunistët. Eshtë e kotë që atë të duash ta njollosësh me faje për sensibilitet ndaj regjimit të vjetër apo për lidhje gjaku të pëçudnuara si ajo me “dajë” Spiron.

Jo, Edi Rama nuk është një nostalgjik.

Por kjo nuk e bën atë aspak më të mirë sesa mijra idiotë të dobishëm që ende ruajnë nostalgjinë për regjimin e vjetër.

Me grykësinë për të grabitur, me lidhjet banditeske, me rrënimin që i ka bërë këtij vendi, ai ka kryer krime tejet më të mëdha se ato që duan ti mveshin të atit të tij të ndjerë. Prandaj, kur duam ta luftojmë, le të përballemi me atë që ai është realisht dhe jo me identikitin e rëmë që i skicojmë sa herë nevojitet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit