2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

A nevojiten antibiotikë për dhembjet e fytit?

Më të lexuarat

Me ardhjen e stinës së ftohtë, është e vështirë t’i shpëtosh dhembjes së fytit. Në disa raste, ndjesia e djegies në fyt shërohet vetvetiu me kalimin e ditëve; herë të tjera shoqërohet me temperaturë, kollë, ftohje.

“Dhembja e fytit është pasojë e një inflamacioni akut të formacioneve limfatike të orofaringut në pjesën e tij të poshtme dhe në atë anësore ku ndodhen bajamet. Në pjesën më të madhe të rasteve, shkaku është një infeksion viral ose bakterial”, shpjegon një mjeke oritonolaringologe. Djegia është shenja më e shpeshtë e infeksionit që mund të godasë një nga zonat e fytit: nga bajamet te faringu. Përgjegjës janë në përgjithësi viruset dhe bakteret, por ndonjëherë dhembja e fytit mund të jetë një reagim ndaj irrituesve si pluhuri, tymi, smogu (ajri i ndotur) dhe ajri shumë i thatë. Infeksionet e fytit, të tilla si bajamet/ tonsilitis, janë të rralla te fëmijët nën një vjeç.

Ato janë më të zakonshme te fëmijët që sapo kanë filluar shkollën dhe që ekspozohen në një shkallë më të madhe ndaj baktereve. Nëse është një dhembje e zakonshme fyti që nuk shkakton gjendje të keqe fizike, është e mjaftueshme të pini pije të freskëta dhe të konsumoni ushqime të lëngëta. Kur keni temperaturë, dhembje të theksuar dhe vështirësi në frymëmarrje, është e nevojshme të konsultoheni me mjekun për t’ju nënshtruar një terapie më të përshtatshme.

Si mund ta dallojmë dhembjen e fytit kur është virale ose bakteriale?
Infeksionet virale, që janë më të zakonshmet, zakonisht shkaktojnë një dhembje të fortë në fyt që fillon menjëherë, duke u shoqëruar me dhembje koke, kollë dhe/ose të ftohtë. Ndërsa për sa i përket temperaturës, mund të ndodhë që të shfaqet ose jo, por nëse është e pranishme, zgjat vetëm dy-tri ditë. Kjo sepse gryka është shumë e skuqur. Format bakteriale, edhe këto karakterizohen nga dhembjet e fytit dhe pothuajse gjithnjë shfaqen me temperaturë të lartë, dhembje koke, ndonjëherë me të përziera, të vjella dhe dhembje barku. Fyti është i skuqur dhe ka gjasa të shihni disa vija të bardha që mbulojnë pjesërisht bajamet, të cilat mund të duken të fryra. Zakonisht ndodh edhe një rritje e vogël e nyjeve limfatike të qafës. Siguria absolute e diagnozës ekziston, megjithatë, përmes një tamponi për fytin mund të gjeni bakterin përgjegjës dhe të merrni terapinë e duhur me antibiotikë. Problemi është se për të pasur rezultatet e tamponit, i cili zhytet thellë në kavitetin oral, duke prekur fundin e fytit përmes një shkopi të gjatë e të hollë, me fundin e mbuluar me pak pambuk, nevojiten dy ditë dhe kështu ndodh shpesh që ju ta kapërceni këtë situatë, ose të filloni kurën para marrjes së rezultateve. Një nga pasojat është marrja e panevojshme e antibiotikëve edhe për dhembje të ndryshme, siç është ajo e fytit, që në të vërtetë kanë origjinë virale. Një alternativë tjetër përveç tamponit, sidomos te fëmijët, është testi i shpejtë për Streptokokun betahemolitik të grupit A, bakteri agresor më i zakonshëm te moshat e vogla, që jep një përgjigje të saktë brenda 10 minutave.

Si kurohen dhembjet e fytit?
Dhembjet e fytit me origjinë virale mund të kalohen me ilaçe për të parandaluar simptomat (kompresa dhe gargarë për lehtësimin e dhembjeve dhe dezinfektimin e fytit, antipiretikë në rast temperature). Dhembjet e fytit me origjinë bakteriale mund të kalohen me antibiotikë. Nëse nuk mund ta bëni analizën me tampon ose nuk mund të prisni rezultatin për të filluar terapinë, atëherë kjo mënyrë që do të lexoni më poshtë është më e arsyeshmja: duhet të zgjidhen antibiotikët më të tolerueshëm dhe më efikasë në bazë të përvojës klinike, që të luftojnë bakteret më të përhapura. Në këtë pikë nuk duhet të anashkalohet mosha e pacientit dhe ndonjë sëmundje shoqëruese. Nëse kura zgjidhet me kujdes dhe ndiqet me rigorozitet (ndërprerja e antibiotikëve nuk duhet të kryhet menjëherë pas uljes së temperaturës) problemi i faringitit zgjidhet pa pasoja. Një faringit bakterial i kuruar keq ose i lënë pas dore, mund të shkaktojë komplikacione të tjera si sinusi, infeksione të veshit dhe në rastet më të rënda, ethe reumatike dhe sëmundje të veshkave

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit