Pyetja:
A munden femrat ta falin në shtëpi namazin e teravive dhe sa rekate duhet te falet, 8 apo 20? Nëse mundeni një sqarim.
Përgjigje:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Namazi i teravive lejohet të falet në shtëpi, bile për femra është më e preferuar të bëhet në shtëpi. Por, nëse femra dëshiron të dalë në xhami, për shkak se e arrin më mirë koncentrimin nga leximi i imamit, apo nëse mbetet në shtëpi përton, atëherë del në xhami.
Kurse për numrin e rekateve në namazin e teravive është një polemikë e gjerë tek dijetarët, të cilën nuk do ta trajtojmë tani, por themi se qëndrimi më i saktë është qëndrimi i katër medhhebeve dhe shumicës së dijetarëve në përgjithësi, se nuk ka numër të definuar të rekateve. Mund t`i falësh tetë, njëzet rekate, më shumë apo më pak. Ajo që është esenciale në namazin e teravive, por edhe në të gjitha namazet e tjera është arritja e qetësisë, përkushtimit, përqendrimit dhe mosnxitimit në namaz. Për Zotin, një rekat në të cilën arrihet kjo është më me vlerë se njëqind regate, në të cilat nuk arrihet kjo. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai i cili vjedh në namaz.” Të pranishmit e pyetën: “O i dërguari i Allahut! Si vidhet në namaz?” Profeti iu përgjigj: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.” Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
17.10.2006